Përfundojnë përgatitjet lidhur me Panairin Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës
2022-08-25 17:39:16

服务--- [fú wù]---shërbim

Nga 31 gusht deri më 5 shtator, në Qendrën Kombëtare të Konferencave dhe parkun "Shougang" të Pekinit, do të organizohet Panairi Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime i Kinës. Mësohet se niveli i ndërkombëtarizimit dhe specializimit të panairit të këtij viti do të ngrihet më tej. 189 të ftuar të rëndësishëm nga brenda e jashtë vendit kanë pohuar pjesëmarrjen e tyre në këtë panair. 71 vende e organizata ndërkombëtare do të organizojnë ekspozita të tyret në panairin e këtij viti, 10 vende nga të cilat për herë të parë.

Tema e edicionit të sivjetshëm të Panairit Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime është "Bashkëpunim në shërbime për zhvillim më të mirë, risi për një të ardhme më të gjelbër", dhe gjatë tij do të zhvillohen gjashtë lloje veprimtarish. Nënkryetari i bashkisë së qytetit të Pekinit Yang Jinbai bëri të ditur:

"Sivjet ne kemi shtuar Aleancën Globale të Tregtisë së Shërbimeve si një të organizatë të re të bashkëpunimit ndërkombëtar. 189 të ftuar të rëndësishëm vendës e të huaj do të marrin pjesë në këtë panair. Ndër mbi 100 veprimtari dhe konferenca, 60 zhvillohen nga organizatat ndërkombëtare, ambasadat e huaja në Kinë, institucionet e huaja dhe ministritë e komisionet përkatëse të Kinës. Në më shumë se 70 sesione do të publikohen raportet mbi sektorët përkatës, propozimet e bashkëpunimit etj."

Drejtori i Tregtisë i Bashkisë së Pekinit Ding Yong vuri në dukje se deri më 22 gusht, 71 vende dhe organizata ndërkombëtare kanë konfirmuar se do të zhvillojnë ekspozita në këtë panair, duke përfshirë 59 vende, si Emiratet e Bashkuara Arabe, Gjermania, Britania e Madhe etj., dhe 12 organizata ndërkombëtare, si Organizata Botërore Meteorologjike, UNESCO etj.

"10 vende - Emiratet e Bashkuara Arabe, Suedia, Italia, Australia, Norvegjia, Pakistani, Maqedonia e Veriut, Burundi, Lihtenshtejni dhe Qipro - hapin ekspozita shtetërore për herë të parë. Emiratet e Bashkuara Arabe do të jenë vendi i ftuar i nderit i panairit të këtij viti, dhe do të shfaqë shërbimet e aviacionit, shërbimet financiare, prodhimin e përparuar, shërbimet kulturore etj. Kompanitë ajrore 'Emirates Airways' e 'Etihad Airways', Banka e Parë e Abu-Dhabit dhe kompani të tjera të njohura të Emirateve të Bashkuara Arabe do të marrin pjesë në këtë panair," tha Ding Yong.

Zv.ministri i Tregtisë Sheng Qiuping vuri në dukje që, në dhjetë vjetët e fundit, vëllimi i sektorit të shërbimeve të Kinës u shtua 1.49 herë dhe vlera e përgjithshme e shërbimeve të importuara i kaloi 4 trilionë dollarët amerikane, duke shtuar se epërsia që ka Kina si treg i madh do të forcohet më tej. Ai theksoi se panairi i këtij viti do t'i ofrojë Kinës një platformë tregtare për të vënë plotësisht në shfrytëzim tregjet e brendshme dhe të jashtme.

"Në këtë panair do të marrin pjesë mbi 400 ndërmarrje që janë të përfshira në listën e 500 kompanive kryesore botërore të hartuar nga revista 'Fortune' ose që janë udhëheqëse në shkallë globale. Ndërkombëtarizimi i panairit këtë vit ka arritur në 20.8 %, duke u rritur me afro tre pikë përqindjeje krahasuar me edicionin e vjetshëm. Ky panair do të drejtojë prirjen e konsumit të shërbimeve të Kinës dhe do të shpejtojë mëkëmbjen dhe përmirësimin e konsumit, duke u ofruar mundësi të gjithanshme kompanive të vendeve të ndryshme për të hyrë në tregun e madh kinez të shërbimeve," u shpreh numri dy i dikasterit kinez të tregtisë.(Xu Guang)