Furnizimi me vaj luledielli nuk rrezikohet nga konflikti në Ukrainë
2022-08-25 14:59:17

Shtrenjtimi i vajit të lulediellit dhe emigracioni i popullatës kanë ndikuar në rënien e konsumit të vajit të lulediellit. Kjo është deklaruar në një intervistë për revistën “Monitor” nga administratori i Kompanisë PDF sh.p.k  Aredi Sado, sipas të cilit aktualisht çmimi i vajit ka rënie të lehtë për shkak të nisjes së furnizimeve nga Ukraina.

Foto:VCG

“Le ta quajmë pozitive, pra do të thotë që vaji i lulediellit vazhdon të importohet në mënyrë normale nga të gjitha kompanitë e prodhimit, ambalazhimit të vajit të lulediellit, po ashtu dhe nga ata që e importojnë produktin si të ambalazhuar. Kuptohet që jo vetëm që është normalizuar furnizimi, por kemi dhe një rënie të çmimit në blerje, i cili po reflektohet dhe në treg gjithashtu. Ndërkohë që jemi në pritje se çfarë do të ndodhë me hapjen e kanalit të furnizimit nga Deti i Zi, ku bëhet fjalë kryesisht nga drithëra, si dhe është i përfshirë dhe vaji i lulediellit në këtë pjesë të eksportit që do të zhvillohet nga Ukraina drejt vendeve të tjera të botës, nëpërmjet kanalit të Detit të Zi, i cili ka qenë i bllokuar. Marrëveshja që është bërë ndërmjet Ukrainës, Rusisë me ndërmjetësinë e Kombeve të Bashkuara dhe Turqisë po fillon tani të reflektohet në treg. Pavarësisht se mund të ketë bllokime të vogla, të cilat kryesisht lidhen me situatën në zonën e Krimesë, ku janë më të përqendruara një pjesë e porteve të Ukrainës, në të cilën realizohet lëvizja e mallrave. Megjithatë shpresoj që gjithcka do të shkojë në rregull sipas marrëveshjes” ka thënë administrator Sado.

Sipas  tij  furnizimi me vaj luledielli nuk rrezikohet.

“Aktualisht mendoj që jo. Arsyeja është sepse depozitat e Ukrainës me vaj luledielli vazhdojnë të mbeten duke u depozituar. Nuk dimë të themi dot sa është kjo sasi, por dimë që ka ende depozita vaj luledielli të prodhuar vitin e kaluar. Ndërkohë që pritet dalja e prodhimit të ri nga mesi i dytë i shtatorit dhe muajit tetor, prodhimi i Ukrainës, po ashtu edhe i Rusisë. Nuk kemi statistika lidhur me Ukrainën sa kanë qenë sipërfaqet e mbjella dhe sa kanë qenë sipërfaqe të dëmtuara nga lufta, por dimë që ka një nivel prodhimi”-thekson ai.

Administratori i Kompanisë PDF sh.p.k jep një panoramë të ecurisë së konsumit të vajit luledielli në vend.

“Gjatë tremujorit të fundit pati një rënie të fortë të konsumit të vajit të  lulediellit ose më saktë të blerjes së vajit të lulediellit për arsye të rritjes së depozitave familjare gjatë momentit kur plasi lufta dhe u komunikua që s’do të ketë produkte, si edhe shumë produkte të tjera të shportës. Familjarët u ngarkuan shumë, gjë që bëri një çorientim të situatës në treg. Patjetër që gjatë kësaj periudhe u realizua qarkullimi i vajrave dhe të mbetur, vajra ndoshta jo të cilësisë së duhur, etj. sepse në panik e sipër konsumatori nuk vuri re se çfarë po blinte më, por tha vetëm ta kem në shtëpi mos të mbetem pa ushqim. Kjo krijoi një problem të vogël për situatën e mëtejshme përreth 2 muaj e pak gati 3. Mund të themi që tregu gati kaloi në 50% të konsumit ose qarkullimi i kompanive vendase, por aktualisht që flasim ka një rënie të këtyre depozitave familjare dhe për këtë aryse kemi një rritje të konsumit rreth 20% më tepër krahasuar me atë që ishte para 1 muaj e gjysmë ose 2. Kjo është situata që paraqitet. Shpresojmë që në vijim të ketë përmirësim të mëtejshëm të situatës. Nuk e dimë çfarë do të ndodhë me hyrjen ose rritjen e numrit të popullsisë për shkak të turizmit, gjë që deri tani në fakt nuk është reflektuar sipas pritshmërive.”- shprehet Sado.

Cilat janë shkaqet që ka rënie të konsumit të vajit të lulediellit?

“Ne vërejmë që ka një rënie të konsumit dhe për arsye të tjera. E para, që është një arsye shumë e rëndësishme, është rënia e numrit të popullsisë, sepse vazhdojmë të kemi një largim të popullsisë nga Shqipëria. E dyta është rritja e çmimeve, gjë që ka shtrënguar konsumatorin shqiptar të jetë më i kursyer në konsumin e vet dhe që të jetë më i ndërgjegjësuar për situatën që po kalon, duke parë mundësinë që të konsumojë gjithmonë atje ku ai e ka më të domosdoshme. Mos harrojmë që jemi në një miks situatash sepse sapo kemi ardhur ose jemi në postpandemi, ku patëm një situatë të ngjashme edhe nga pandemia. Pra, do të thotë që konsumatori shqiptar gjatë pandemisë ka shpenzuar shumë para për nevoja të shëndetit dhe kjo ka bërë që ekonomia familjare të bjerë mjaft. Pra këtu kemi reflektim nga të gjithë krahët, edhe rënie ekonomike për shkak të pandemisë, edhe çmime të larta, shpeshherë mungesë produkti etj.gjë që ka çuar në këtë situatë kaq të rënduar të konsumit”- thekson Sado.

Rënia e prodhimit të farave të lulediellit në Europë dhe rritja e çmimit nisi që në 2020, ndërsa nisja e konfliktit Rusi-Ukrainë e thelloi edhe më shumë mungesën e prodhimit dhe shtrenjtoi çmimin. Në fillimi të muajit mars të këtij viti vaji i lulediellit në Shqipëri u shit 340 lekë/litër nga 260 që ishte në muajin shkurt. Në raport me muajin shkurt çmimi për muajin maj 2022 ishte  46,5% më i shtrenjtë.