I dërguari kinez paralajmëron për rreziqet e Luftës së Ftohtë të re
2022-08-25 18:17:51

Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, flet në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në selinë e OKB-së në Nju-Jork të ShBA-së, 15 gusht 2022. /Xinhua

Zhang Jun, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara, flet në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në selinë e OKB-së në Nju-Jork të ShBA-së, 15 gusht 2022. /Xinhua

Përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun paralajmëroi të mërkurën për rreziqet e një Lufte të Ftohtë të re, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit strategjik global.

"Kriza e Ukrainës dhe një sërë zhvillimesh të tensionuara të kohëve të fundit në mbarë botën tregojnë se duhet të jemi shumë vigjilentë kundër çdo përpjekjeje të qëllimshme për të provokuar probleme dhe për të intensifikuar ndarjen e kundërvënien, dhe se duhet të ruajmë stabilitetin strategjik global," tha Zhang në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për konfliktin në Ukrainë.

"Kurrë nuk duhet të lejojmë që bota të rrëshqasë në një Luftë të re të Ftohtë," shtoi ai, duke vënë në dukje se faktet kanë vërtetuar që mendësia e Luftës së Ftohtë dhe e kundërvënies në bllok duhet të mos pranohen vendosmërisht.

Gjatë 30 vjetëve pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, NATO-ja ka vazhduar të zgjerohet drejt Lindjes, duke mos e bërë Evropën më të sigurt, por duke mbjellë farat e konfliktit, tha Zhang Jun. "I gjithë njerëzimi jeton në një bashkësi të pandashme sigurie dhe siguria e përbashkët është në interesin e të gjitha vendeve. Siguria e një vendi nuk duhet të arrihet në kurriz të një vendi tjetër dhe siguria rajonale nuk mund të realizohet duke forcuar blloqet ushtarake,” shtoi ai.

Mendësia e Luftës së Ftohtë dhe e lojës ku fituesi merr gjithçka janë koncepte të vjetruara në shekullin e 21-të, dhe fiksimi pas forcës ushtarake e kërkimi i sigurisë absolute do të çojnë vetëm në përshkallëzim të vazhdueshëm të tensioneve, gjë që nuk është në interesin e asnjë palë, theksoi Zhang.

Sipas tij, faktet kanë dëshmuar gjithashtu se shkëputja dhe mbajtja anë duhet të hidhen poshtë me vendosmëri.

Edhe pse ekonomitë anembanë botës janë thellësisht të integruara, disa vende po vendosin sanksione të njëanshme dhe po e ushtrojnë juridiksionin jashtë kufijve të tyre, duke i politizuar dhe duke i kthyer në armë ekonominë, tregtinë e teknologjinë dhe duke këmbëngulur në shkëputjen dhe ndërtimin e "oborrit të vogël me gardh të lartë", gjë që e ka vështirësuar  më tej jetesën e njerëzve në vendet në zhvillim dhe ka kërcënuar sigurinë globale ushqimore, energjetike dhe financiare, tha i dërguari kinez, duke shtuar që faktet kanë treguar sërish se standardet e dyfishta dhe zbatimi me përzgjedhje i rregullave duhet të hidhen poshtë me vendosmëri.

Mbështetja e qëllimeve dhe e parimeve të Kartës së OKB-së dhe respektimi i sovranitetit dhe integritetit territorial të të gjitha vendeve nuk duhet të bëhen vetëm në fjalë, por të gjitha vendet duhet t'u përmbahen këtyre parimeve në praktikë, për çështje të ndryshme që përfshijnë vende të ndryshme, tha ai.

Populli kinez i kupton thellësisht dhe ka ndjenja të forta për sovranitetin dhe integritetin territorial nga përvoja e vet e drejtpërdrejtë. Kina e respekton gjithmonë sovranitetin dhe integritetin territorial të vendeve të tjera dhe do të mbrojë me vendosmëri sovranitetin dhe integritetin e vet territorial, shtoi përfaqësuesi i përhershëm kinez në Kombet e Bashkuara Zhang Jun.