Aeroporti i Vlorës ndikim në ekonomi, vijon puna me infrastrukturën lidhëse
2022-08-25 14:34:06

Foto: ATSH

Kryeministri Edi Rama publikoi të mërkurën në rrjetet sociale pamje nga puna intensive që po vijon në kantierin e rrugës lidhëse të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Finalizimi i këtij investimi infrastrukturor në fund të vitit dhe projekti i aeroportit, sipas kryeministrit Rama, do të kenë në të ardhmen një ndikim madhor në rritjen ekonomike dhe zhvillimin e turizmit.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është në strategjinë e aviacionit civil një nga veprat më të mëdha që është projektuar për të akomoduar të gjitha fluturimet kudo në botë dhe ato transoqeanike, që deri sot nuk janë ofruar nga vendi ynë për shkak të pistës jo të përshtatshme në aeroportin e Rinasit.

Sipas të dhënave të projektit, aeroporti do të shtrihet në një sipërfaqe prej 297 hektarësh. Kategoria e aeroportit do të jetë 4E, që do të thotë se plotëson kushtet për avionë të mëdhenj.

Me një vlerë investimi prej 104 milionë euro, në periudhën 2-vjeçare të fazës së parë do të ndërtohet godina e aeroportit dhe pista. Ndërsa në fazën e dytë, në 4 vitet e para do të zhvillohet infrastruktura suplementare e biznesit dhe turizmit, që arrijnë vlerën e investimeve me qindra-miliona euro. Ky investim pritet që të hapë 1 mijë vende pune të reja, do të ulë çmimet e biletave për shqiptarët dhe do ta kthejë Vlorën në portën më të rëndësishme turistike të rajonit. (Elona)