Zbulohen tre site të reja palafitesh buzë Ohrit
2022-08-25 15:58:02

Foto nga Prefekti i Korces FB

Zbulimeve arkeologjike në fushën e Korçës u janë shtuar edhe tre site të tjera në bregun e liqenit të Ohrit.

Njoftimin e bëri prefekti i qarkut të Korçës, Nertil Jole, në rrjetet sociale, duke shtuar se sipas arkeologut Ardian Anastasi, tre sitet palafite në breg të liqenit mendohet se datojnë rreth 5200 vjet para Krishtit.

Për të përcaktuar saktë vjetërsinë, arkeologu zviceran, i cili po punon së bashku me kolegët e tij shqiptarë, ka informuar prefektin Jole se pritet rezultati i analizave laboratorike nga universiteti i “Oxford”-it në Angli.

Prej mostrave të strukturës së tokës, marrë nga gërmimet në të tre sitet, pritet të përcaktohet vjetërsia e këtyre shtëpive të ngritura mbi shtylla druri, në zona bregliqenore, me qëllim mbrojtjen nga përmbytjet apo kafshët e egra.

Arkeologët mendojnë se po konfirmohen të dhënat që provojnë elementet e agrikulturës shumë të hershme në fushën pranë liqenit, që ata i kanë quajtur edhe si “Fermerët e parë të Evropës”.

Arkeologët po punojnë në terren me një projekt të përbashkët financuar nga qeveria zvicerane në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë në Tiranë, për zbulimin e shtëpive prej druri-palafite në bregun e liqenit të Ohrit, në afërsi të fshatit Buqezë.

Ky projekt ka nisur në verën e vitit 2019 dhe përfundon në vitin 2025.

Hulumtime të tilla, përveçse ngjallin kuriozitet, japin edhe jehonë pozitive për atraksione unike prehistorike në qarkun Korçë. (Elona)