Thellohet kriza energjetike në Evropë, thatësira godet prodhimin e energjisë elektrike
2022-08-25 15:13:47

Temperaturat e larta dhe thatësira kanë thelluar krizën energjetike në Evropë këtë verë, duke ndikuar në prodhimin e energjisë elektrike në një kohë kur ekonomitë evropiane po përballen tashmë me çmime të larta të paprecedentë të naftës dhe gazit.

 

Foto:VCG

Në Francë, prodhuesi më i madh në Evropë i energjisë bërthamore, disa centrale përgjatë Rhone dhe Garonne u detyruan të reduktonin prodhimin, sepse temperaturat e lumenjve ishin shumë të larta për të ftohur termocentralet. Kjo reduktoi më tej furnizimin me energji elektrike pas mbylljes së një duzinë prej 56 centraleve bërthamore të vendit për mirëmbajtje të planifikuar.

 

Prodhimi i energjisë bërthamore në Francë ishte 20.1 TWh (teravat për orë) në qershor, shumë më poshtë se 27.7 TWh e regjistruar në të njëjtin muaj të vitit të kaluar, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga operatori francez i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike “RTE”.

 

 

Hidrocentrali gjithashtu mori një goditje të fortë. Mesatarisht, Franca në korrik përjetoi një deficit reshjesh prej rreth 84 për qind. Ndërsa stoku i lumenjve dhe liqeneve ra në nivelet e tyre më të ulëta në më shumë se 20 vjet. Në qershor u prodhuan vetëm 4 TWh energji hidroelektrike, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë për të njëjtën periudhë.

 

Ndërkohë, “Electricite de France” (EDF) raportoi në gusht se në Luginën e Rhone-it, në Alpe dhe rajonin “Cote d'Azur”, të cilat përbëjnë më shumë se 70 për qind të kapacitetit hidroenergjetik të vendit, prodhimi i energjisë hidroelektrike ka rënë me 60 për qind që nga janari i këtij viti.

 

Situata në Itali nuk është më e mirë. Veriu i Italisë, ku ndodhet Po, lumi më i gjatë i vendit, si dhe hidrocentralet kryesore të tij, aktualisht po përballet me thatësirën më të madhe në 70 vjet. Niveli i Posë ra me gati 50 për qind krahasuar me mesataren e viteve të mëparshme.

 

Kompania energjetike “Enel” bëri të ditur se një termocentral pranë Piacenza-s, në juglindje të Milanos, u mbyll në qershor për një kohë të pacaktuar dhe shumica e hidrocentraleve të tjerë nuk po funksionojnë me kapacitet të plotë, për shkak të niveleve të ulëta në lumit Po që i ushqen ato.

 

Nga janari në maj, prodhimi i hidrocentralit ra me rreth 40 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas federatës italiane të kompanive të ujit “Utilitalia”.

 

Norvegjia, eksportuesi numër një i energjisë elektrike në Evropë me një prodhim hidroelektrik prej 137.9 TWh vitin e kaluar, po përgatit një plan për kufizimin e eksporteve të energjisë elektrike.

 

Për shkak të rezervuarëve gjysmë të zbrazët të ujit, eksportet e energjisë hidroelektrike nga Norvegjia, cilësuar si “bateria e Evropës” dhe një alternativë kryesore ndaj mungesës së gazit rus, nuk e përmbushin këtë premtim.

 

Në fund të korrikut, niveli i mbushjes së rezervuarëve norvegjezë të ujit ishte 67.9 për qind, dukshëm më i ulët se 77.7 për qind në të njëjtën periudhë të vitit nga viti 2002 deri më 2021-shin. Shkalla më e ulët e nivelit prej 50.4 për qind u pa në Norvegjinë jugperëndimore në fillim të këtij muaji, sipas raportit të fundit nga Drejtoria e Burimeve Ujore dhe Energjisë (NVE).

 

Në një përpjekje për të trajtuar situatën e përkeqësuar të çmimeve të larta që prekin konsumatorët vendas, ministri norvegjez i Naftës dhe Energjisë, Terje Aasland, tha se qeveria ishte e përgatitur të ndërmarrë veprime shtesë nëse situata përkeqësohet. Ky veprim mund të përfshijë ose kërkesat e ruajtjes për rezervuarët e ujit ose kufizimet e eksportit, ose të dyja.

 

Prodhimi i energjisë së qymyrit është ndikuar gjithashtu në Gjermani, pasi fundosja e ujërave të lumit Ren e ka bërë më të vështirë transportimin përgjatë lumit. Një kompani vendase e anijeve bëri të ditur për mediet se megjithëse ishte ende i lundrueshëm, varkat mund të mbanin vetëm rreth një të katërtën e kapacitetit të tyre.

 

“Uniper”, me bazë në Dyseldorf, një nga kompanitë më të mëdha të furnizimit me energji në Gjermani, njoftoi se dy nga fabrikat e saj të qymyrit në pjesën perëndimore të vendit mund të kenë funksionim të parregullt deri në fillim të shtatorit për shkak të furnizimeve të pasigurta të qymyrit.

 

Rënia e niveleve të prodhimit ka rritur çmimet. Në korrik, çmimet e energjisë elektrike në Francë dhe Gjermani ishin pranë niveleve rekord. Në javën e parë të gushtit, kontratat e energjisë elektrike për vitin e ardhshëm në Evropë tejkaluan 550 euro (550 dollarë amerikanë) për megavat orë, krahasuar me më pak se 100 euro (100 dollarë amerikanë) një vit më parë.