BAZh: Pandemia i ka kthyer dy vjet prapa përpjekjet për uljen e varfërisë në Azi-Paqësor
2022-08-24 20:13:40

 Foto nga VCG

Pandemia e COVID-19 e ka kthyer të paktën dy vjet prapa luftën kundër varfërisë në Azi-Paqësor  dhe shumë banorë të këtij rajoni mund ta kenë më të vështirë se më parë t'i shpëtojnë varfërisë, sipas një raporti të publikuar nga Banka Aziatike e Zhvillimit (BAZh) të mërkurën.

Në raportin "Treguesit kryesorë për Azinë dhe Paqësorin 2022" të kësaj banke, bëhet e ditur që rritja ekonomike e rajonit këtë vit pritet të ulë varfërinë ekstreme, e përkufizuar si të jetuarit me më pak se 1.90 dollarë në ditë, në një nivel që do të ishte arritur në vitin 2020 nëse nuk do të ndodhte pandemia.

Në raport vihet në dukje gjithashtu se pandemia ndërpreu një prirje të gjatë të zbutjes së varfërisë në rajonin e Azi-Paqësorit, "kryesisht për shkak të humbjeve të konsiderueshme të vendeve të punës dhe qasjes së kufizuar në rrjetet e sigurisë shoqërore".

Banka Aziatike e Zhvillimit paralajmëroi se rajoni ka shënuar një ngadalësim të dukshëm në arritjen e shumë prej Objektivave të tij të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, që do të thotë vonesa të pashmangshme në arritjen e objektivave, duke përfshirë uljen e varfërisë e të pabarazisë shoqërore dhe përmirësimin e lëvizshmërisë shoqërore.

"Procesi i rimëkëmbjes mund të mos jetë drejtvizor për shumë ekonomi të Azi-Paqësorit," thuhet në raport, duke shtuar se pandemia mund të ketë përkeqësuar varfërinë përtej të ardhurave dhe kërcënon në drejtime të tilla si pasiguria ushqimore dhe pamjaftueshmëria e marrjes së shërbimeve shëndetësore dhe arsimit.

“Të varfrit dhe të pambrojturit janë goditur më së shumti nga COVID-19, dhe ndërsa ekonomitë po rimëkëmben, shumë njerëz mund të kuptojnë se dalja nga varfëria është edhe më e vështirë se më parë,” tha kryeekonomisti i BAZh-it Albert Park.

Deri në vitin 2030, përhapja e varfërisë ekstreme në rajon pritet të bjerë nën 1 për qind. Në të njëjtën kohë, rreth 25 për qind e popullsisë parashikohet të arrijë të paktën statusin e klasës së mesme.

Megjithatë, raporti thekson se kjo perspektivë kërcënohet nga ndryshimet në lëvizshmërinë shoqërore dhe pasiguritë e tjera, të tilla si potenciali për stagflacion, konfliktet e vazhdueshme që përfshijnë aktorët kryesorë globalë, rritja e pasigurisë ushqimore dhe luhatjet e çmimeve të energjisë.