PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Eksperiencat e Erion Domit në EXPO 2010
2010-07-30 20:10:33 cri komenti juaj Printoni

Nuk është hera e parë që vizitoj Shanghai, por këtë herë kam një ndjesi të vecantë, këtë herë do të vizitoj Ekspozitën Ndërkombëtare.

Në të marrin pjesë gati gjithë shtetet e botës të cilat shfaqin aty historinë, vlerat, produktet e tyre. Tema për këtë Ekspozite është "Qytet me i mirë, jete me e mirë" Çdo shtet sjell eksperiencat e veta, dhe pershkruan projektet që ka realizuar ose planifikoj te realizoj.

Herën e parë që hyj ne Ekspo ndihem disi i emocionuar, vende nga të katër anët të mbledhura në Shanghai, një rast shumë i mirë për të kuptuar më shumë nga bota që na rrethon.

Diten e parë e kaloj duke vizituar pavionet afrikane. Afrika është vërtet një kontinent i veçantë, ndoshta nuk është e pasur, por aty gjenden të paktat vende ku natyra nuk është shfrytezuar dhe keqtrajtuar, njërezit, ndoshta me më pak mundësi se në vende të tjera, kanë një dëshirë të madhe për jetën. Vërtet e bukur Afrika, shpresoj të kem rastin ta vizitoj një ditë.

Ditën e dytë filloj të vizitoj pavionet europiane, këtu fillon të jetë pak problem pasi njërezit janë shumë dhe disa herë duhen bërë rradhë të gjata. Arkitektura e pavioneve europiane është vërtet tërheqëse, natën drita te pafundme jane një spektakel i rralle. Të vizitosh pavionet europiane është disi si të vizitosh shtëpinë tënde, dhe të shohësh dhe një herë gjëra që ndoshta i ke parë më përpara. Por këtu ka diçka ndryshe, brenda ditës më duket sikur jam në mëngjes në Romë, pas pak në Paris, për drekë në Madrid, më vonë në Londër, dhe për darkë në Berlin. Është një ndjesi vërtet e bukur.

Ditën e tretë jam përsëri në pavionet europiane, këtë rradhe për të vizituar pavionet e shteteve më të vogla, mes të cilëve edhe Shqipërinë. Këtu rradhët janë më të shkurtra, gjë që i bën vizitat më të këndshme. Në mëngjes vizitoj vendet e Europës veriore, më bën përshtypje pavioni i Suedise. Mes gjithë vendeve, Suedia ndoshta është vendi qe ka bërë më shumë për të mbrojtur dhe përmirësuar ambientin natyror të saj. Është vërtët mbreselenese të shohësh se si në një lum plot plehra 30 vjet më parë tani fëmijët e vegjël notojnë plot gezim, ose te shohësh që pyje të shkatërruara 50 vjet më parë tani janë plot gjelbërim. Kjo na tregon se nëse vërtet duam gjërat mund ti rregullojmë, me projekte konkrete gjërat mund të përmirësohen.

Më pas vizitoj vendet e Europës lindore, mes të cilave edhe Shqipërine. Është vërtet e bukur për tu parë se sa të ngjashme janë vendet e Ballkanit, në veshje, muzikë dhe tradita popullore.

Pavioni Shqiptar flet për vendet e bukura turistike qe ka vendi ynë, për përmirësimet që ka pasur Shqipëria vitet e fundit. Është me 2 kate por kati i dyte është i mbyllur, nuk e di përse.

Mbasi flas me Orestin, një djalë nga Vlora i cili po punon aty dhe që po si mua është duke mësuar gjuhën kineze këtu në Kinë, largohem për të ngrënë diçka. Duke ngrënë vazhdoj të mendoj se në Ekspozitën tjetër mund të bejmë edhe më mirë...

Ditën e katërt vizitoj vendet e lindjes së mesme dhe të largët. Kam një dëshirë të madhe të vizitoj pavionin e madh kinez, por për të hyrë aty duhet prenotuar më parë, unë arrij shumë vonë. Mjaftohem me një fotografi me pavionin si sfond.

Si fillim vizitoj vendet arabe, i veçantë është pavioni i Emirateve të Bashkuara Arabe, aty ata tregojnë historinë e tyre, shpjegojnë se si pasuria natyrore, e përdorur në mënyrën e duhur sjell pasuri dhe zhvillim për gjithë popullsinë. Dubai është sot një nga qytet turistike më tërheqëse në botë.

Vendet e lindjes së largët tregojnë në një anë historinë e lashtë të kulturës së tyre, në anën tjetër zhvillimin e shpejtë ekonimik që ato kanë pasur vitet e fundit. Bukuri të rralla dhe çmime shpeshherë të lira, më bëjnë të vendos që ndërsa studioj këtu në Kinë, duhet të shkoj të vizitoj këto vende fare afër.

Për arsye kohe nuk kam kohë të vizitoj vendet amerikane, shpresoj që përpara përfundimit te Ekspozitës të kem përsëri mundësi të vij këtu në Shanghai.

Gjatë rrugës për tu kthyer në Guangzhou, qytetin ku unë jetoj, jam vërtet i kënaqur për këtë eksperiencë, shpresoj dhe uroj që shumë veta si unë të kenë mundësi të vizitojnë këtë Ekspozitë Ndërkombetare, si të thuash: "Rreth botës në disa ditë".

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China