PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kina, e parapëlqyer nga investitorët e kapitaleve me rrezik
2016-02-05 16:28:35 CRI Komenti juaj Printoni

Të dhënat e firmës britanike të konsultimeve "Preqin" tregojnë që vjet investimet globale me rrezik në Kinë shënuan rekord, duke arritur vlerën 37 miliardë dollarë amerikanë dhe duke zënë vendin e dytë në botë. Në të vërtetë, mund të thuhet se rritja është realizuar duke u mbështetur në programin e qeverisë kineze "Hapje biznesi dhe krijim masiv risish".

Pak kohë më parë, në Panairin Ndërkombëtar të Pajisjeve Elektronike të zhvilluar në Las Vegas të Shteteve të Bashkuara, mijëra ndërmarrje të mesme dhe të vogla kineze tërhoqën një numër të madh kapitalesh me rrezik nga investitorët e SHBA-së. Investitori nga Kalifornia Li Guangyi u shpreh se, në krahasim me kompanitë e mëdha, ai u kushton më shumë vëmendje kompanive fillestare.

"Në këtë panair ka shumë kompani të reja, të cilat kryesisht janë në fazën e rritjes. Unë shpresoj ta shfrytëzoj këtë rast për të parë më shumë kompani të teknologjive dhe aplikacioneve të reja," u shpreh Li Guangyi.

Investitori i kapitaleve me rrezik Song Qingsong është nga Pekini dhe kjo ishte hera e parë që merrte pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Pajisjeve Elektronike. Ai u shpreh se kishte udhëtuar që nga Kina e largët për në Las Vegas, për të gjetur projekte investimesh në kompanitë fillestare kineze.

"Ne në përgjithësi kemi besim te ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sepse kompanitë e mëdha kineze janë shumë të afërta me gjigantët ndërkombëtarë. Si investitorë, në këtë periudhë ne u kushtojmë më shumë vëmendje ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, për të gjetur ndër këto ndërmarrje ndonjë që krijon surprizë dhe që është si 'lule në shkretëtirë'," thotë Song Qingsong-u.

Sipas të dhënave të publikuara nga firma "Preqin", në vitin 2015 investitorët e kapitaleve me rrezik nga mbarë bota kanë bërë gjithsej 1555 investime në Kinë. Vlera e përgjithshme e këtyre investimeve arrin në 37 miliardë dollarë, duke shënuar një rritje me 147 % dhe duke u renditur në vendin e 2-të të botës, pas ShBA-së. Në fakt, një valë e tillë investimesh nuk ka filluar në vitin 2015, por edhe në vitet 2013 dhe 2014, rritja e investimeve me rrezik në Kinë është dyfishuar. Krahas kësaj, një vëllim kaq i madh investimesh me rrezik në Kinë ka qenë mbështetje për disa ndër kompanitë fillestare me vlerë më të madhe të shtuar në mbarë botën. Ndër to përfshihen kompani të njohura, si prodhuesja e celularëve MI, kompania e aplikacionit për porositjen e taksive "DiDi & Kuaidi" dhe platforma e shërbimeve financiare LU.com.

Përse investitorët e kapitaleve me rrezik i tërheq kaq shumë tregu kinez? Bashkëthemeluesi i kompanisë "Jiuyou Capital", Song Wei, është i mendimit se arsyeja kryesore është që këta investitorë janë optimistë për perspektivën e ekonomisë kineze.

"Rritja jonë ekonomike ende është e madhe. Megjithëse është ulur në një nivel tjetër, ende është më e shpejtë se e vendeve si ShBA-ja, kështu që ende ofron shumë mundësi," thotë Song Wei.

Një nga krijuesit e kompanisë "Linear Venture", Zhang Chuan, është i mendimit që arsyeja kryesore pse, për sa u përket investimeve me rrezik, Kina tani i është afruar ShBA-së, vendit të lindjes së këtij tip investimi, është që qeveria kineze i nxit individët të nisin bizneset e veta dhe të krijojnë masivisht risi.

"Tani mjedisi në Kinë për nisjen e biznesit është më i mirë se në të kaluarën. Me mbështetjen nga pushteti vendor dhe me më shumë platforma e vëmendje nga mediat, ata që hapin kompani mund të marrin më shumë fonde, burime dhe përkrahje," thotë Zhang Chuan.

Është e vërtetë që në ekonominë e 2-të të botës, falë programit "Hapje biznesi dhe krijim masiv risish", investimet me rrezik kanë pasur zhvillim të vrullshëm. Në tremujorin e parë të vitit 2015, 349 kompani fillestare në Kinë siguruan mbi 259 milionë dollarë amerikanë investime. Numri i investimeve të tilla është rritur me 93.9%, ndërsa vlera e përgjithshme 214.2%.

Megjithëse investimet me rrezik ose investimet për sipërmarrje fillestare po njohin një rritje të shpejtë në Kinë, analistët janë të mendimit kompanitë e saponisura në Kinë duhet të jenë vigjilente ndaj rritjes artificiale të shkaktuar nga mbivlerësimi prej investitorëve. Kryeekonomistja e kompanisë "Galaxy Securities" Zuo Xiaolei thotë:

"Ne nuk duhet të shohim vetëm vlerën e përgjithshme të investimeve me rrezik, por edhe nëse niveli i investimeve është vlerësuar tepër i lartë gjatë mbarë procesit. Nëse vlera është shumë e madhe, vlerësimi mund të ketë problem, pasi, nëse dallgët janë shumë të mëdha, anijet rrezikohen."

Ndërkohë, me pakësimin e investimeve në sektorin e shërbimeve në internet, përmasat e investimeve me rrezik në mbarë botën janë ndikuar në njëfarë mënyre. Sipas të dhënave të kompanisë "Preqin", në tremujorin e 3-të të vitit të kaluar, investimet maksimale në Azi arritën në 18 miliardë dollarë amerikanë, ndërsa që në tremujorin e 4-t ky nivel u ul në 9.4 miliardë dollarë, duke u pothuajse përgjysmuar. Gjatë kësaj periudhe, investimet me rrezik në SHBA u pakësuan nga 18.5 miliardë në 12.7 miliardë dollarë amerikanë. Përveç ShBA-së, edhe Kina ka pësuar ndikime. Në tremujorin e 3-të të vjetshëm, vlera e investimeve me rrezik ishte 13 miliardë dollarë, ndërsa në tremujorin e 4-t u ul në 7.8 miliardë.

Megjithatë, analistët vërejnë që këto shifra nuk tregojnë se periudha e vëllimit të madh të investimeve me rrezik ka përfunduar në Kinë, por se investimet me rrezik në të ardhmen do të jenë më racionale se të kaluarën.

"Mund të ketë ndonjë ndikim për një periudhë të vogël kohe dhe kjo është një luhatje e zakonshme afatshkurtër. Nga viti i kaluar deri në fillim të këtij viti, vëllimi i investimeve sigurisht ka qenë tepër i madh. Pastaj do të ketë një rënie të dukshme, por kjo nuk do të ndikojë në prirjen kryesore të zhvillimit afatgjatë," thotë Song Wei, bashkëthemeluesi i kompanisë "Jiuyou Capital".

(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China