PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Cheng Wei, krijuesi i "Uber-it kinez"
2015-10-20 17:40:43 CRI Komenti juaj Printoni

Kina i ka kaluar tashmë Shtetet e Bashkuara, duke zënë vendin e parë në botë për numrin e miliarderëve, falë rritjes së numrit të të pasurve në sektorë të tillë si teknologjia dhe manifaktura.

Me gjithë rënien e ritmeve të rritjes të ekonomisë kineze, numri i miliarderëve në pjesën kontinentale të Kinës, sipas listës që harton Instituti "Hurun", sivjet është më shumë se dyfishuar, duke arritur nga 242 në 596, ndërsa numri i miliarderëve në Shtetet e Bashkuara është vetëm 537. Nëse shtohen edhe 119 miliarderë nga Hong-Kongu, Tajvani dhe Makaoja, atëherë numri i përgjithshëm i miliarderëve kinezë arrin në 715.

Sipas Listës së "Hurunit", njeriu më i pasur në pjesën kontinentale të Kinës është Wang Jianlin-i, kryetari i Grupit "Wanda" të Dalian-it, që ka në zotërim kinema, hotele dhe qendra tregtare. Wang Jianlin-i ka tashmë një pasuri që llogaritet në vlerën 34.4 miliardë dollarë, 52 për qind më shumë se vjet.

Ndërsa një biznesmen që sapo është futur në listën e miliarderëve të Kinës, me një pasuri që ka arritur tashmë pikërisht në 1 miliard dollarë, ështëCheng Wei, bashkëthemelues dhe zyrtar kryeekzekutiv i kompanisë së aplikacionit të porositjes së taksive "Didi Dache", një kompani revolucionare që ka përdorur teknologjinë e internetit të lëvizshëm për ta bërë gjetjen e një taksie më të lehtë në metropolet mjaft të populluara kineze.

Një nga telashet më të mëdha, veçanërisht për banorët e metropolove gjigante kineze si Pekini e Shangai, është gjetja e një taksie. Për shembull, në rrugët e kryeqytetit kinez me rreth 20 milionë banorë, qarkullojnë vetëm 70 mijë taksi. Përveç kësaj, drejtuesit e taksive nuk kanë liri në zgjedhjen e klientëve ose në caktimin e çmimeve të shërbimit të tyre, dhe për këtë arsye tarifa bazë për rreth një dhjetëvjeçar ka qenë 10 juanë (më pak se 1.60 dollarë), duke mbetur e pandryshuar deri disa kohë më parë, dhe kjo pavarësisht inflacionit dhe pavarësisht nga fakti se pagat reale në mënyrë të vazhdueshme kanë ardhur duke u rritur gjatë kësaj periudhe: një analizë e bankës së investimeve "Macquarie" tregoi se kostoja e marrjes së taksive në raport me të ardhurat mesatare reale u përgjysmua që nga viti 2003. Veç kësaj, edhe numri i licencave të dhëna ka qenë i kufizuar, ndërsa popullsia e Pekinit është katërfishuar brenda më pak se 10 vjetëve. Prandaj, të gjitha këto kanë bërë që të ketë mungesë taksish, veçanërisht në orët më të ngarkuara, duke sjellë vështirësi për jetën e qytetarëve e duke u bërë një problem në vëmendje edhe të qeverisë.

Në këto kushte, gjiganti kinez i internetit "Tencent" ofroi një shërbim të njohur si "Didi Dache". "Didi Dache", që në gjuhën kineze do të thotë pak a shumë "Bjeri borisë, merr një taksi", është një aplikacion në smartfon që lidh udhëtarët me drejtuesit e taksive që ndodhen në afërsi të tyre. Për udhëtarët krijohet një listë e taksive që ndodhen pranë nëpërmjet GPS, dhe dërgohet një sinjal që tregon shprehje interesi. Nga ana tjetër, për drejtuesit e taksive, sistemi GPS menjëherë liston dhe përcakton vendndodhjen e klientëve potencialë pranë; dhe sapo bëhet përputhja, taksia mund të shkojë për të marrë klientin.

Ideuesi i këtij shërbimi është pikërisht Cheng Wei. Ai është diplomuar në Universitetin e Teknologjisë Kimike të Pekinit, për të punuar më pas në "Taobao", platforma më e madhe e tregtisë në internet në Kinë, si edhe në "Alipay", një platformë pagesash në internet.

"Risia jonë është ajo që mund të quhet rishpërndarje e burimeve të taksive duke përdorur internetin e lëvizshëm. Pas studimeve ne zbuluam se në 30 % të kohës taksitë në Kinë lëviznin bosh," shprehet Cheng Wei.

Dhe kështu Cheng-u i ngarkoi vetes misionin për ta bërë udhëtimin të thjeshtë dhe efikas, duke bashkëthemeluar në shtator të vitit 2012 "Didi Dache" dhe duke u bërë kryezyrtar ekzekutiv i saj.

Shpejt, "Didi Dache" doli se ishte jashtëzakonisht popullor në qytetet e mëdha kineze, duke u bërë aplikacioni më i madh i porositjes së taksive në Kinë. Klientët u larguan nga kompanitë tradicionale të taksive për një shërbim më të mirë dhe një udhëtim më të rehatshëm.

Aplikacioni i "Didi Dache"në përgjithësi ofron dy lloje shërbimesh: një shërbim porositjeje taksie, e cila është mirëpritur nga drejtuesit e taksive dhe që siguron që klientët të udhëtojnë me taksi të licencuara; dhe një shërbim më i shtrenjtë i udhëtimit sipas kërkesës, i cili ofron automjete të cilësisë së lartë që janë në pronësi të kompanive të makinave me qira.

Për të rezervuar taksinë mund të dërgosh një mesazh të shkruar, por mesazhi zanor që ofron aplikacioni është më i parapërlqyer nga përdoruesit.

"Në qytetet kineze, ndryshe nga Nju-Jorku apo ndonjë vend tjetër, është e vështirë që adresa të përshkruhet me vetëm pak fjalë," shprehet Cheng Wei. "Kjo është arsyeja pse 'Didi Dache' ju mundëson t'ia tregoni nëpërmjet mesazheve zanore vendndodhjen tuaj drejtuesve të taksive. Njerëzit në Kinë e duan këtë funksion. Mbi 60 % e përdoruesve tanë e përdorin atë," shton ai.

Për të imagjinuar suksesin e këtij shërbimi, mjafton të thuhet se "Didi Dache" në vitin 2014 kishte 40 milionë përdorues të regjistruar, një dyfishim i bazës së përdoruesve krahasuar me vitin 2013; dhe çdo muaj, më shumë se 21 milionë udhëtime me taksi rezervoheshin nëpërmjet këtij shërbimi, ose 700 000 rezervime në ditë. Përveç kësaj, "Didi Dache" ka edhe numër të madh drejtuesish taksie që ofrojnë shërbimet e saj, me më shumë se 350 000 automjete në mbarë Kinën.

Nga këndvështrimi ekonomik, "Didi Dache" ishte interesant, sepse ishte në fakt një nismë me humbje që duhej të gjente rrugët për t'u bërë fitimprurëse. Një kosto e veçantë ishte "subvencionimi" i dyanshëm nga "Didi Dache", si i udhëtarëve, dhe i drejtuesve të taksive, me "bonuse" që paguhen nëpërmjet "WeChat Payments", që është platforma e pagesës në internet e "Tencent"-it. Shërbimi i nxiste si taksistët, ashtu edhe udhëtarët me një shpërblim monetar, 10 juanë (afro 1.6 dollarë) për shoferin dhe 5 juanë (rreth 0.8 dollarë) për udhëtarët. Megjithatë, subvencioni kishte edhe kufijtë e vet, dhe "shpërblimet" për drejtuesit e taksive mund të arrinin vetëm deri në 50 juanë (afro 7.88 dollarë) në ditë, ndërsa për udhëtarët 30 juanë (pak më shumë se 4.7 dollarë) në ditë.

Në 7 shkurt 2014, ditën që shumë kinezë ktheheshin në shtëpi pas vizitave tek të afërmit me rastin e Vitit të Ri kinez, u regjistruan 2.62 milionë udhëtime me taksi nga "Didi Dache", për të cilat pati rreth 2 milionë juanë (ose 312 000 mijë dollarë) "subvencione" si për udhëtarët, ashtu edhe për drejtuesit e taksive.

Një arsye e rëndësishme për marrjen përsipër të humbjeve të "Didi Dache" nga "Tencent"-i është se të dhënat për vendndodhjen e klientëve janë shumë të vlefshme për kompanitë e shërbimeve të internetit, ashtu si "Google" siguron fitime nga informacioni për vendndodhjen nëpërmjet shërbimeve të saj të hartës. Njohuritë rreth vendndodhjes së klientëve mund të prodhojnë vlera të jashtëzakonshme për "Tencent"-in, edhe nëse vetë nisma nuk sjell një fitim të drejtpërdrejtë. Për më tepër, subvencioni gjithashtu mund të shihet si një formë e çmimit hyrës për të nxitur depërtimin në treg. Pasi tregu të maturohet dhe të arrihet një masë e konsiderueshme përdoruesish, subvencioni mund të hiqet dhe çmimet të ngrihen.

Me pak fjalë, shërbimi i porositjes së taksive "Didi Dache" i "Tencent"-it ka parë rritje të jashtëzakonshme për shkak të lehtësisë që u krijon banorëve të qyteteve të mëdha. Komoditeti i ofruar nga "Didi Dache" qëndron si një shembull i spikatur i zgjidhjeve krijuese për të mirën e transportit urban në metropolet e Kinës, duke u vlerësuar edhe si një nismë "e gjelbër", që mund të ndihmonte në zbutjen e problemit kronik të ndotjes urbane.

Duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të përdoruesve të "Didi Dache", nuk është çudi që konkurrentë të mëdhenj më pas u futën në lojë, më i rëndësishmi ndër të cilët "Kuaidi Dache" (që mund të përkthehet si "taksi e shpejtë"), një nismë nga gjigandi i internetit "Alibaba". Pronari i "Didi Dache", "Tencent"-i, ka qenë një rival tradicional i Grupit "Alibaba" në pothuajse çdo segment biznesi ku të dy gjigantët janë përfshirë, dhe të dyja janë të njohura si kompani novatore në hapësirën kibernetike kineze. Megjithatë, ishte "Dididache" i "Tencent"-it që zotëronte në tregun e porositjes së taksive të Kinës, duke zënë rreth 60 % të tij dhe duke e shtrirë shërbimin e vet në 32 qytete, duke përfshirë megaqytetet: Pekinin, Shangain, Guangzhou-n dhe Shenzhen-in.

Për të tërhequr drejtuesit e makinave dhe udhëtarët drejt aplikacioneve të tyre, me qëllim që të siguronin një pjesë sa më të madhe të tregut, të dyja kompanitë harxhuan 700 milionë dollarë për shpërblime dhe ulje të ndryshme vetëm në periudhën nga vera e vitit 2013 deri në fund të vitit të kaluar. Kjo garë jo vetëm siguroi dhjetëra milionë përdorues të aplikacioneve të tyre. Në ditët e tyre më të mira, "Didi" dhe "Kuaidi" mund të zinin dy të tretat e mesatarisht 30 milionë porosive ditore të taksive. Ka pasur 172 milionë përdorues të aplikacioneve për porositjen e taksive deri në dhjetor 2014, 99.8 për qind e të cilave përdorën këto dy aplikacione. Por një gjë e tillë tërhoqi edhe aktorë të tjerë. "Ishte një konkurrencë vërtet shumë e ashpër," shprehet Cheng Wei. "Në sektorin e internetit në Kinë, të ofrosh shërbim falas tashmë është e pamjaftueshme."

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2014, subvencionet e gjigantit të internetit "Alibaba" për "Kuaidi"-në arritën në 1 miliardë juan (rreth 157 milionë dollarë amerikanë), ndërsa subvencionet për Didi nga "Tencent," arritën në 1.4 miliardë juanë (220 milionë dollarë amerikanë).

Por subvencionet nuk mund të zgjasin përgjithmonë, prandaj të dy kompanitë vendosën t'i bashkojnë forcat në shkurt.

Pas një viti rivaliteti të ashpër, "Didi Dache" dhe "Kuaidi Dache", të dyja kompani fillestare, por në rritje të shpejtë, njoftuan se do t'i linin mënjanë dallimet dhe do të kërkonin të ecnin së bashku përpara.

Bashkimi i dy platformave të aplikacioneve të porositjes së taksive në ditën e sivjetshme të Shën-Valentinit ishte befasia më e madhe e asaj dite.

Bashkimi do t'i lejonte kompanisë së sapokrijuar, të quajtur "Didi-Kuaidi" të përshpejtonte zgjerimin në fusha të tjera dhe po ashtu të mendojë edhe për një ofertë publike fillestare; gjë që ishte e pamendueshme vitin e kaluar.

"Kuaidi Dache" me bazë në Hangzhou dhe "Didi Dache" me bazë në Pekin do të ruajnë markat dhe biznesin e tyre pas bashkimit. Kryezyrtarët ekzekutivvë të të dy firmave janë bashkëkryesues të kompanisë së re, për të cilën analistët thonë se mund të vlerësohet në 6 miliardë dollarë amerikanë.

Cheng Wei shprehet se bashkimi i shpëtoi të dy kompanitë nga fokusimi te konkurrenca me njëra-tjetrën. Ai thekson se marrëveshja ishte bashkimi më i madh në historinë e kompanive të internetit në Kinë dhe se kompania e re e krijuar do të bëhej shpejt një ndër 10 kompanitë kineze të internetit.

Cheng Wei vë në dukje se hapi i ardhshëm është futja e shërbimeve të tilla si ofrimi i makinës dhe shoferit personal, si edhe i makinave për përdorim të përbashkët, për t'u ardhur më tepër në ndihmë nevojave që ka për shërbime të ndryshme transporti.

Cheng Wei është optimist se kompania e re ka një të ardhme përtej vetëm taksitë. "Kur të hapni aplikacionin, ai mund t'ju tregojë se kur mbërrin autobusi tjetër ose nëse duhet të merrni në metronë për të shmangur trafikun, ose edhe mund t'ju ndihmojë të porositni një makinë," thotë ai duke përshkruar vizionin e vet për pesë vjetët e ardhshëm.

Cheng Wei thekson rëndësinë e të pasurit një menaxhim të mençur të kapitalit: "Kapitali është gjithnjë e më i rëndësishëm për bizneset sot, dhe duhet të krijosh kornizën që më parë dhe të mësosh si ta përdorësh kapitalin sa më shpejt."

"Përpara bashkimit, gjithçka për të cilën mendoja ishte se si të subvencionoja, si të konkurroja dhe si të krijoja dallimin nga kompanitë e tjera simotra," tregon Cheng-u, "por në çastin kur marrëveshja u arrit, asgjë prej këtyre nuk ishte më e rëndësishme."

Krahasuar me "Uber"-in, "Didi-Kuaidi" ka përparësi falë depërtimit në tregun e taksive. Tani që kompania është zgjeruar edhe përtej taksive, shumë pyesin veten nëse ajo do t'i braktisë taksitë pak nga pak. Por Cheng Wei i hedh poshtë zërat se një gjë e tillë do të ndodhë. Ai thekson se ambiciet e "Didi-Kuaidi" në tregun e taksive janë edhe më të mëdha se ato në tregje të tjera. "Ne shpresojmë që një ditë, nëpërmjet teknologjisë sonë, përqindja e vendeve të pazëna në një taksi të jetë thuajse zero. Kjo do ta rriste në mënyrë të ndjeshme rendimentin e transportit modern," vë në dukje Cheng Wei. Dhe më tej shton se ka shumë mënyra për të të bërë para nëse një platformë mund t'i ofrojë një vlerë të tillë këtij sektori.

Një tjetër faktor i rëndësishëm, sipas Cheng Wei-t, për suksesin e "Didi Dache", është shpejtësia me të cilën arriti që të zmadhojë përmasën e vet. Në fillimet e veta në "Didi", ai dilte vetë nëpër rrugë për ta reklamuar aplikacionin e kompanisë te drejtuesit e taksive. Cheng Wei thotë se teksa ka shumë metoda e taktika për t'i tërhequr këta drejtues taksish, kishte diçka që "Didi" nuk pranoi ta bënte: t'u dhuronte harduerët atyre.

Cheng Wei vëren se kur e filloi kompaninë e tij, pak drejtues taksish kishin celularë, prandaj disa nga konkurrentët e tij nisën t'u jepnin celularë, e madje edhe kompjutera tablet falas, drejtuesve të taksive. Por Cheng Wei mendon se kjo është diçka jorentabël për një kompani softuerësh, pasi është mjaft e kushtueshme dhe jo medoemos e efektshme: nëse i jep një celular falas një drejtuesi ose drejtueseje taksie, ai ose ajo përsëri mund të instalojë edhe aplikacione të tjera në të e jo vetëm aplikacionin e kompanisë tënde.

Cheng Wei thotë se "Didi Dache" po i mbetet besnik të njëjtit parim edhe kur është fjala te tregu i makinave private: ajo nuk ka programe për t'i ndihmuar drejtuesit e automjeteve të blejnë ose të marrin me qira makina të reja. "Burimet e çfarëdo kompanie janë të kufizuara dhe sigurisht do të humbasësh konkurrueshmërinë nëse fokusohesh në zgjidhjen e çështjeve të gabuara," vë në dukje Cheng Wei.

Rritja e përmasave të "Didi Dache" ra në sytë e disa prej investitorëve më të mëdhenj të kapitaleve me rrezik, mbështetja financiare e të cilëve bëri nga ana e saj që "Didi Dache" të rritet me ritme edhe më të shpejta. Tani objektivi i "Didi-Kuadi" është të ketë përmasa dhjetë here më të mëdha se ato të konkurrentëve të vet. "Dallimi më i madh yni me 'Uber'-in është përmasa," thekson Cheng Wei. "Në qoftë se nuk ke një model të ndryshëm biznesi që të dallon nga të tjerët, po të jesh i vogël nuk mbijeton dot në tregun kinez.

Për Cheng Wei-n, objektivi i ardhshëm i "Didi-Kuadi" është të bëhet një e ashtuquajtur "platformë me një ndalesë", domethënë që ofron të gjitha llojet e shërbimeve: lundrim satelitor, taksi, shofer e makinë personale, përdorim të përbashkët të makinave dhe transport publik. "Vetëm na thuaj ku do që të shkosh dhe ne do të të çojmë," shprehet Cheng Wei.

Megjithë suksesin e kompanisë së tij, Cheng Wei beson se ka mjaft hapësirë për rritje të mëtejshme: "Transporti në Kinë ka ende shumë sfida që janë duke pritur për zgjidhje," shprehet Cheng-u. Dhe pastaj shton: "Kompania jonë është ende e re dhe rruga që ka para është ende e gjatë."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China