PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Kinë, dyqanet tradicionale futen në tregun e internetit
2015-09-15 16:49:29 CRI Komenti juaj Printoni

Kompania e njohur kineze e dyqaneve të pajisjeve elektroshtëpiake "Suning" hapi në Pekin dyqanin e parë të biznesit cloud. Ndryshe nga më parë, ky nuk është një dyqan për shitjen e pajisjeve elektro-shtëpiake, por një vend për krijimin e përvojës së konsumit, ku përfshihen elemente të shumëllojshme, si produkte për nëna dhe foshnja, veshje, shërbime financiare, restorante e argëtim. Në këtë dyqan të ri njerëzit mund të pinë kafe, të luajnë lojëra dhe të marrin pjesë në disa programe të përvojës ndërvepruese.

Para Pekinit, "Suning" ka hapur tre dyqane të tjera të tilla në Nankin, Shangai dhe Guangzhou. Dyqani në Nankin është i pari në mbarë vendin. Brenda tre orësh nga hapja e tij, niveli i shitjeve arriti mbi 10 milionë juanë. Konsumatorët janë të mendimit që blerja në këto dyqane është më interesante dhe më e sigurt se blerja në internet.

 

"Për arsye që në dyqanin në internet nuk i shohim mallrat konkrete, ndërsa këtu mund t'i shohim realisht dhe pastaj të bëjmë blerjen në internet, unë mendoj që kjo është më e sigurt," thotë një blerëse në dyqanin e "Suning"-ut.

Po çfarë janë këto dyqane cloud? Në fakt, ato janë dyqane reale të platformës së ashtuquajtur "nga interneti jashtë internetit", të krijuar nga kompania tradicionale "Suning". Çfarë shiten në dyqanet cloud varet nga ajo çfarë ka në platformën e shitjes "Suning". Në një dyqan të tillë, njerëzit mund të shohin konkretisht mallrat që shiten në internet dhe mund të bëjnë porosi nëpërmjet skanimit të kodit. Më pas, mallrat dërgohen me postë të shpejtë. Lidhur me modelin e funksionimit të një dyqani cloud, zv.presidenti i biznesit cloud të "Suning"-ut, Sun Weimin, vë në dukje:

 

"Sipas prirjes së internetit, ky (dyqani cloud) sigurisht do të jetë me platformë të lëvizshme, rrjet social dhe shërbime të lokalizuara. Kështu, ne do ta kalojmë shërbimet në lagje në një dyqan real. Ndërkohë, dyqani cloud është një mënyrë për krijimin e përvojës së blerjes në internet, ku ndërthuren shërbimet në internet me ato reale. Prandaj, ne e quajmë dyqanin cloud si një dyqan real të tregtisë në internet."

Koncepti është i ri, mirëpo dallimi zakonisht nuk është i lehtë. Kompania "Suning" ka mbi 1600 dyqane reale dhe 180 mijë punonjës në 600 qytete të vendit. Anëtarët e regjistruar në platformën në internet dhe në atë reale arrijnë mbi 200 milionë. Në periudhën e programit kombëtar të inovacionit masiv, ndryshimi i biznesit të një kompanie gjigante si "Suning"-u vlerësohet si një vetërevolucion.

Në fakt, "Suning"-u e ka filluar shitjen me pakicë në internet qysh nga viti 2009. Në fillim kompania pësoi rënie, madje humbje, dhe vendimmarrësit e saj përballonin stres të madh. Njerëzit nuk e kuptonin çfarë po bënte "Suning"-u dhe dyshonin se kompania ishte në drejtim të gabuar. Po presidenti i biznesit cloud të "Suning"-ut Zhang Jindong shprehet se "Suning"-u në atë kohë po mblidhte fuqitë për të ecur më shpejt.

 

"Tani kam besim të plotë se po e drejtojmë 'Suning'-un në rrugën e duhur dhe se do të ecim përpara me shpejtësi. Nëse pyesni pse kemi besim, mendoj se përgjigjja është e thjeshtë: sepse gjatë këtyre vjetëve, 'Suning'-u ka ngulur këmbë te koncepti dhe ndjekja e rrugës së vet me risi. Vitet e fundit unë e kam përdorur fjalën 'rrugë' në mënyrë metaforike. Qoftë në rrugën e drejtë, qoftë në rrugën e tërthortë, një kompani duhet të zgjedhë së pari një rrugë të vetën," shprehet Zhang Jindong, president i biznesit cloud të grupit "Suning".

Në vitin 2013 "Suning"-u e ndryshoi markën e vet në "Suning Cloud", ndërkohë që bëri investime strategjike prej 250 milionë dollarësh amerikanë, duke blerë 44 % të aksioneve të televizionit në internet PPTV. Vendimmarrësit e "Suning"-ut janë të mendimit që kjo ishte një detyrë urgjente dhe një hap kyç për kalimin e biznesit nga real në internet. Në muajin korrik të këtij viti, "Suning"-u dhe PPTV-ja hodhën në treg tre lloje televizorësh smart dhe një marrës tokësor PPBOX, duke filluar zgjerimin e biznesit në tregun e televizionit të internetit. Krahas kësaj, edhe sistemi PPOS i realizuar nga të dyja kompanitë është bërë i pari në sektorin e televizonit me shërbime të hapura dhe të ndashme me të tjerët.

Investimet gjatë disa vjetëve të mëparshme tani vlerësohen si vizionare. Kryemenaxheri i degës së "Suning Cloud"-it në Shangai dhe kryetari i Komitetit Menaxhues të PPTV-së, Fan Zhijun, vë në dukje që në periudhën e mëparshme "Suning"-u përballoi shumë vështirësi.

"Gjatë këtij procesi, disa njerëz jashtë grupit e panë rënien e fitimeve dhe ishin të shqetësuar që grupi ndodhej në një fazë të vështirë. Por, në fakt, ne që ndodheshim brenda grupit, i kishim të qarta në mendje të gjitha proceset që duhej të kalonim dhe nuk ndienim vështirësi, për arsye se e dinim që duhej medoemos të arrinim në këtë fazë. Në sektorin e programeve video në internet, tani është faza e investimeve dhe fitimet do të vijnë më vonë," thotë Fan Zhijun.

Për arsye të një largpamësie të tillë, analistët besojnë që, nga përparësia e "Suning"-ut në zinxhirin industrial të televizionit, sistemi PPOS në të ardhmen do të bëhet patjetër sistemi më i madh i televizonit smart në tregun kinez.

2015-a vlerësohet si viti i fillimit të programit "Internet+" dhe grupi "Suning" po planifikon të hapë 50 dyqane cloud në mbarë vendin. Fan Zhijun-u thekson që i gjithë procesi i ndryshimit nga biznesi real në biznesin cloud është thellimi i njohjes me sektorin e internetit.

"Në të kaluarën, bënim shitje tradicionale me pakicë ose në dyqane zinxhir. Kur 'Suning'-u arriti vendin e parë për shitjet ndër dyqanet zinxhir, biznesi në internet nisi të ishte një prirje e fuqishme. 'Suning'-u i kuptoi ndryshimet e sektorit të shitjes me pakicë të sjella nga biznesi në internet. Në vitin 2012, paraqitëm modelin 'nga interneti jashtë internetit', duke qenë të parët në Kinë që bashkuam biznesin në internet dhe atë real. Kur e paraqitëm këtë koncept, patëm kritika nga kompanitë që merren me biznesin në internet, të cilat thanë që biznesi tradicional do të zëvendësohet nga biznesi në internet. Tani, gjendja është që shitja me pakicë në internet nuk është njësoj me tregtinë në internet. Njerëzit, në fakt, nuk kërkojnë thjesht blerjen qoftë në internet, qoftë në dyqanet reale, por kërkojnë shërbimet që ofrojnë mallra kudo dhe kurdo. Kështu, ata mund të zgjedhin kanale të ndryshme të blerjes në një mjedis të ri. Për këtë arsye, kemi propozuar që të bashkohen biznesi në internet me biznesin real dhe ekonomia reale në mënyrë graudale të kalojë në shitje me pakicë në internet. Kështu, për mua, i gjithë procesi i ndryshimit është thellim i njohjes së internetit," thotë Fan Zhijun, kryemenaxheri i "Suning"-ut në Shangai.

Pas ndryshimeve që zgjatën afro 6 vjet, "Suning"-u është vlerësuar tani gjerësisht nga tregu, si edhe nga kryeministri kinez Li Keqiang. Është e vërtetë që ndryshimi i një gjiganti është një gjë pozitive për tregun, konsumatorët dhe kompanitë e tjera, ndërsa për presidentin e "Suning"-ut Zhang Jindong, biznesi i shitjes me pakicë është si një maratonë pa pikëmbërritje. (Jiang Lei/Artan Goga)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China