PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Azi-Paqësor, miratohet harta e rrugës për Zonën e Tregtisë së Lirë
2014-11-18 10:27:59 CRI Komenti juaj Printoni

Javën e kaluar përfunduan në Pekin takimet e APEK-ut 2014. Gjatë këtyre takimeve, liderët shtetërorë, drejtuesit e biznesit dhe studiues të njohur të 21 ekonomive të rajonit të Azi-Paqësorit u mblodhën në kryeqytetin kinez, duke arritur konsensus për nisjen e procesit të Zonës së Tregtisë së Lirë, shtimin e lidhjeve dhe zhvillimin e novacionit. Krahas kësaj, u miratuan edhe "Programi i Pekinit" dhe "Deklarata e Partneritetit të Azi-Paqësorit", në të cilat janë përcaktuar më qartë drejtimi i zhvillimit dhe objektivat e bashkëpunimit ekonomik në rajonin e Azi-Paqësorit.

APEK-u është një organizatë që zë gjysmën e GDP-së botërore dhe 44 % të tregtisë globale. Nga këto dy shifra mund të kuptohet rëndësia e takimeve të javës së kaluar të APEK-ut në Pekin. Pas 13 vjetëve, Kina u bë sërish vendi organizator i takimeve të APEK-ut. Gjatë javës së kaluar u bënë qindra propozime dhe u arritën rezultate të shumta, duke hapur një kapitull të ri për mbarë Rajonin e Azi-Paqësorit.

Në këtë kapitull të ri, më e rëndësishmja është nisja e procesit të formimit të Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit, çka ka nxitur krijimin e një harte rruge të këtij procesi. Kjo do të thotë që ekonomitë e këtij rajoni po ecin me hapa konkretë drejt eliminimit të pengesave tregtare ndërkombëtare. Për këtë, ministri i Tregtisë i Kinës Gao Hucheng shprehet:

"Harta e rrugës ka bërë të qarta parimet drejtuese dhe planin e veprimit të APEK-ut për nxitjen e formimit të Zonës së Tregtisë së Lirë. Ky dokument do të bëhet një gur kilometrik në historinë e APEK-ut."

Me qëllim që të zgjidhen problemet e financimit, pjesëmarrësit në takime miratuan edhe "Hartën e ndërlidhshmërisë të APEK-ut", në të cilën propozohet që deri në vitin 2025, të realizohen shkëmbimet njerëzore dhe lidhjet në fusha të ndryshme në rajonin e Azi-Paqësorit, për të përfituar sa më shumë njerëzit në të dy brigjet e Paqësorit.

Gjatë takimeve të APEK-ut 2014, Kina shpalli fillimin e krijimit të fondit të Rrugës së Mëndafshit me një vlerë prej 40 miliardë dollarësh. Qëllimi i këtij fondi është që t'u ofrohet mbështetje financiare vendeve përgjatë Rrugës së Mëndafshit dhe Brezit Ekonomik të Rrugës së Mëndafshit për ndërtimin infrastrukturor, shfrytëzimin e burimeve, bashkëpunimin industrial etj. Një ide e tillë është mirëpritur dhe është vlerësuar nga përfaqësuesit e ekonomive të rajonit. Presidenti i Bangladeshit Abdul Hamid thotë:

"Për një kohë të gjatë kemi planifikuar lidhjet rrugore dhe hekurudhore me vendet fqinje. Krahas kësaj, kemi në plan që të ndërtojmë një aeroport të nivelit botëror në pjesën qendrore të vendit. Kështu, do të kemi një nga aeroportet kryesore në rajonin e Azi-Paqësorit."

Për të eksploruar pikat e reja të rritjes dhe për të siguruar më shumë gjallëri ekonomike dhe një model të rritjes së qëndrueshme, përfaqësuesit që morën pjesë në takimet e APEK-ut zhvilluan diskutime mbi nxitjen e ekonomisë në internet, urbanizimin, "ekonominë blu" dhe shmangien e të ashtuquajturit "kurth i nivelit të mesëm të të ardhurave", duke arritur shumë rezultate konkrete. , drejtor i drejtorisë së çështjeve ndërkombëtare në Ministrisë së Tregtisë të Kinës Zhang Shaogang shprehet:

"Në fakt, janë përcaktuar afate të qarta, sipas të cilave duhet të krijohet para vitit 2018 Qendra e të Dhënave e APEK-ut mbi zinxhirin global të vlerës dhe vlerën e shtuar tregtare. Pjesëmarrësit në takimet e APEK-ut ranë dakord që të krijohet në Shangai Qendra e Informacionit Elektronik e Rajonit të Azi-Paqësorit. Kështu, Shangai mund të luajë një rol drejtues në zhvillimin e ndërlidhmërisë brenda rajonit. Ndërkohë, është përcaktuar që të ngrihet në Tianjin Qendra e Zinxhirit të Gjelbër të Furnizimit të APEK-ut, e cila mund të hapet në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër."

Në takimet e APEK-ut palët e ndryshme kanë arritur konsensus edhe për bashkëpunimin kundër korrupsionit. Vendet e rajonit të Azi-Paqësorit kanë rënë dakord që të formohet një rrjet bashkëpunimi kundër korrupsionit, të luftojnë bashkërisht korrupsionin ndërkufitar dhe të mos krijojnë lehtësi për arratisjen dhe fshehjen e kriminelëve.

Vlen të përmendet se takimet e APEK-ut kanë ofruar një platformë të mirë edhe për lidhjet dypalëshe. P.sh., Kina dhe Rusia nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi në fushën energjetike; Kina dhe Koreja e Jugut ranë dakord për tregtinë e lirë dypalëshe; bisedimet mes Kinës dhe Australisë për tregtinë e lirë janë futur në fazën përfundimtare, e madje edhe liderët e Kinës dhe Japonisë realizuan takimin e parë të tyre në dy vjetët e fundit.

Gjatë zhvillimit të takimeve të APEK-ut, kryetari i Shtetit i Kinës Xi Jinping pati një takim me kryeministrin japonez Shinzo Abe. Ky është takimi i parë mes liderëve të të dyja vendeve gjatë dy vjetëve të fundit. Më parë, të dyja palët arritën një marrëveshje në parim prej katër pikash për përmirësimin e marrëdhënieve mes tyre. Këtë herë liderët e dy vendeve, duke shfrytëzuar samitet e APEK-ut, patën një takim zyrtar në Pekin. Kjo shënon një ulje të tensioneve në marrëdhëniet kino-japoneze, që janë ndodhur në vështirësi të mëdha vitet e fundit. Ekspertët janë të mendimit që takimi i kryetarit të shtetit Xi Jinping me kryeministrin Shinzo Abe u zhvillua duke marrë parasysh interesat bazë të të dy popujve dhe situatën e përgjithshme të paqes, stabilitetit dhe zhvillimit në rajonin e Azi-Paqësorit. Drejtori i Institutit të Studimit të Çështjeve Ndërkombëtare të Kinës Qu Xing shprehet:

"Marrëdhëniet kino-japoneze po përmirësohen në mënyrë graduale. Ky është një proces dhe varet nga qëndrimi i Japonisë ndaj konsensusit prej katër pikash që kanë arritur të dyja vendet."

Në Samitin e CEO-ve të APEK-ut, kryetari i Kinës Xi Jinping paraqiti projektin kinez të "Ëndrrës së Azi-Paqësorit". Në Takimin jozyrtar të Drejtuesve Ekonomikë të APEK-ut që u zhvillua më pas, ky projekt pati një përmbajtje më të pasur. Kreu i shtetit kinez Xi Jinping u shpreh:

"Partneritet do të thotë që duhet të bëjmë së bashku gjëra të mira dhe të mëdha, siç thotë edhe fjala e urtë kineze 'Trimi mbështetet te tre veta të tjerë'. Duhet ta shndërrojmë organizatën e APEK-ut në një platformë për nxitjen e integrimit, një platformë për shtimin e shkëmbimeve, një platformë të hapur kundër proteksionizmit, një platformë që thellon bashkëpunimin ekonomik dhe një platformë që nxit ndërlidhshmërinë. Dëshiroj të shpall këtu se Kina do t'i ofrojë APEK-ut 10 milionë dollarë amerikanë për të mbështetur zhvillimin e mëtejshëm të kësaj organizate dhe për bashkëpunimin e rajonit në fusha të ndryshme."

Siç mësohet, në tre vjetët e ardhshëm, Kina do të ofrojë përgatitje profesionale për 1500 veta nga vendet e APEK-ut në fusha të tilla si tregtia dhe investimet. Me një mbështetje kaq të fortë dhe konkrete, rajoni i Azi-Paqësorit do të ketë një perspektivë të re dhe kjo organizatë ndërkombëtare që ka mbushur 25 vjet do të jetë e gatshme të hyjë në një fazë të re.(Jiang Lei)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China