PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Liu Qiangdong, mësimi nga dështimi
2014-09-09 17:27:43 CRI Komenti juaj Printoni

Liu Qiangdong-u është vetëm 40 vjeç, por prej një viti është miliarder, falë zgjuarsisë dhe vullnetit të fortë për të arritur sukses. Në universitet ishte studenti që fitonte para më shumë se çdokush tjetër. Pasi nisi shitjen e pajisjeve elektronike, iu deshën vetëm tre vjet që nga vetëm një kioskë e vogël katër metra katrorë të bëhej milioner. Shpërthimi i SARS-it bëri që kompania e tij ta ndryshojë modelin e biznesit dhe të nisë biznesin në internet. Ishte kështu një lëvizje e ardhur jo nga frymëzimi, por nga dëshpërimi, e megjithatë Liu Qiangdong-u drejton tani një prej uebajteve më të mëdha të tregtisë në internet në Kinë.

Liu Qiangdong-u ka lindur më 14 shkurt të vitit 1974 në qytetin Suqian të provincës Jiangsu të Kinës Juglindore. "Për fat të keq, unë linda në zonën më të varfër të provincës Jiangsu. Familja ime ishte aq e varfër, saqë nuk kishim as edhe për të ngrënë. Orizi nuk ka dilte, kështu që ato që hanim zakonisht ishin misri dhe patatet e ëmbla. Ndihem aq i velur me to, saqë në 30 vjetët e fundit kurrë nuk kam ngrënë misër ose patate të ëmbla," kujton tashmë 40-vjeçari.

Por, për fat të mirë, ashtu si edhe për shumë familje të tjera kineze, edhe jeta e familjes së Liu Qiangdong-ut do të ndryshonte pas fillimit të Reformës dhe Hapjes në Kinë. Prindërit e tij nisën të merren me transportin e qymyrgurit nga Kina Veriore për në Kinën Jugore.

"Në fillim të viteve '80 im atë nisi biznesin e vet. Bizneset private nuk kishte shumë kohë që ishin lejuar në Kinë dhe ai ishte në grupin e parë të atyre që nisën bizneset e tyre. Në fillim babai, së bashku me nënën, blenë një barkë dhe filluan biznesin e transportit me të. Rreth 3 vjet më pas, ne kishim një jetë më të mirë," shprehet Liu Qiangdong-u.

Kur e pyet nëse babai i tij ishte modeli i sipërmarrësit për të, Liu thotë me të qeshur se i ati ishte njëfarë i vetëpunësuari, që kishte si punonjëse vetëm nënën e tij, megjithatë të dy krijonin një skuadër të shkëlqyer, që e bëri të kuptojë rëndësinë e punës në grup. 12 vjet më pas prindërit e Liu Qiangdong-ut blenë një anije 100-tonëshe. "Falë kësaj, motra ime e vogël dhe unë nuk e lamë shkollën për mungesë parash, por vazhduam universitetin. Po të mos ishte puna e mundimshme e prindërve të mi, patjetër ne fëmijët e tyre do ta kishim lënë shkollën," shprehet Liu Qiangdong-u.

Në vitin 1992, Liu Qiangdong-u shkoi në Pekin, duke filluar studimet për sociologji në Universitetin 'Renmin', meqë në atë kohë 18-vjeçari kishte pasion për shkencat politike dhe shoqërore.

Por shpejt Liu Qiangdong-u do të shfaqte interes dhe do të tregonte talent për biznes. Ai thotë se ndër të tjera në shkollë studioi edhe psikologji shoqërore, e cila e ndihmoi edhe në biznes, pasi sipas tij, bërja e biznesit përfshin shumë dukuri psikologjike.

Liu Qiangdong-u fitoi fillimisht para duke shkruar adresa nëpër zarfa e duke shitur libra. Më pas mësoi programim kompjuterik dhe fitoi që kur ishte student më shumë se 300 mijë juanë duke për programime për kompani të ndryshme. "Isha studenti që kishte fituar më shumë në Universitetin 'Renmin'", thotë ai.

Liu Qiangdong-u ende kujton ndjesinë e të pasurit që kur ishte student një telefon celular, që asokohe sapo kishte hyrë në Kinë, një "Motorola" "si tullë", siç thotë vetë ai. "As edhe dekani i Universitetit 'Renmin' nuk kishte një telefon celular në atë kohë," tregon Liu Qiangdong-u.

Me paratë e fituara, në 1994, kur ishte në vitin e dytë të universitetit, Liu Qiangdong-u vendosi të niste një sipërmarrje të vetën, duke blerë një restorant.

"Krijova kushte të mira për punëtorët," tregon ai. "Për shembull, më parë ata jetonin në katin e nëndheshëm, ndërsa unë mora me qira për ta apartamente në katet e sipërme me ajër të kondicionuar. Rroga e tyre më parë ishte 300-500 juanë, ndërsa unë ua dyfishova dhe ua bëra 1000. Por nuk kishte menaxhim. Unë shkoja në restorant vetëm disa herë në muaj dhe rregullat nuk ndiqeshin me përpikmëri. Mungesa e një modeli të mirë menaxhimi dhe sistemi mbikëqyrjeje bëri që gjithçka të zgjaste vetëm më pak se tetë muaj."

E megjithatë, Liu Qiangdong-u thotë se gjëja kryesore që mësoi nga kjo përvojë nuk ishte që të mos u besosh të punësuarve të tu, por që përkundrazi, se kurrë nuk mund të arrish diçka të madhe pa besim. Sidoqoftë, shprehet ai, përveç besimit, duhet të ketë parime, sisteme dhe një varg procesesh.

Dështimi i restorantit i solli Liu Qiangdong-ut jo vetëm humbjen e të gjitha kursimeve të tij, por edhe të më shumë se 200 000 juanëve (apo të mbi 32 000 mijë dollarëve) që kishte huajtur nga i ati. Një gjë e tillë bëri që Liu Qiangdong-u të ndihej thellësisht i zënë ngushtë, sepse një ndër arsyet e blerjes të restorantit ishte që t'i tregonte babait të vet se mund të kishte sukses në drejtimin e një sipërmarrjeje e të fitonte kështu respektin e tij.

Dhe kështu, Liu Qiangdong-u ishte i detyruar për të gjetur një mënyrë për të shlyer borxhin ndaj të atit.

Pas diplomimit në vitin 1996, Liu Qiangdong-u filloi të punonte për degën në Pekin të shumëkombëshes japoneze të produkteve të shëndetit "Japan Life", duke qenë fillimisht përgjegjës për sistemin e informacionit, pastaj drejtor i logjistikës dhe në fund shef i departamentit të shitjeve, teksa vazhdonte ndërkohë me kohë të pjesshme të merrej edhe me programim kompjuterik. Pas dy vjetësh ai i kishte shlyer tashmë borxhet dhe ndihej gati për ta provuar përsëri të niste një biznes të vetin.

Dhe kështu në vitin 1998, këtë herë me vetëm 12 000 juanë (sot më pak se 2 mijë dollarë), Liu Qiangdong-u hapi një dyqan pajisjesh elektronike në distriktin Zhongguancun të Pekinit, që njihet edhe si "Lugina e Silikonit e Kinës". Kjo shënoi në njëfarë mënyre edhe krijimin e kompanisë "Jingdong", ose shkurt JD,që do të bëhej më vonë"360buy". Në të vërtetë, më shumë sesa dyqan, Liu Qiangdong-u kishte një kioskë prej vetëm katër metrash katrorë. "Në tre muajt e parë nuk kisha asnjë punonjës përveç vetes," thotë ai, teksa tani për "360buy" punojnë 12 mijë veta. Asokohe Liu Qiangdong-u as që e shkonte nëpër mend se se biznesi i tij do të rritej e do të bëhej ai që është sot, ndonëse thotë se sigurisht edhe ai e kishte një ëndërr, ashtu si edhe miliona biznesmenë të tjerë kinezë asokohe. Në të vërtetë, jo të gjithë e mbështetën ëndrrën e Liu Qiangdong-ut, duke përfshirë edhe të dashurën e tij në atë kohë, e cila e qortonte se si një i diplomuar në Universitetin "Renmin" aq të famshëm, mund të bënte një punë e jetë të tillë. Edhe prindërit e Liu Qiangdong-ut, ndonëse vetë biznesmesë, nuk e panë me shumë besim sipërmarrjen e tij. Por Liu nuk u ndie zemërthyer dhe falë përkushtimit sipërmarrja e tij lulëzoi e u bë shumë fitimprurëse. Deri në vitin 2003 Liu Qiangdong-u kishte hapur 12 dyqane në katër qytete të ndryshme të Kinës, duke arritur fitime me një vlerë më shumë se 10 milionë juanë.

Por në fund të vitit 2002 në Kinë kishte shpërthyer virusi vdekjeprurës i SARS-it dhe për disa muaj të vështirë, teksa dhjetëra jetë njerëzore kishin humbur, askush nuk dinte se ç'ishte kjo sëmundje dhe se si mund të trajtohej ajo. Bizneset në të gjithë Kinën u mbyllën, teksa njerëzit qëndronin në shtëpitë e tyre. Shpërthimi i SARS-it ishte një goditje e rëndë edhe për Liu Qiangdong-un dhe biznesin e tij. "Humbën një shumë të madhe parash në atë kohë," thotë ai. Teksa shumë nga punonjësit nuk vinin në punë nga frika e infektimit, por edhe sepse pothuajse nuk kishte fare klientë, Liu Qiangdong-u dhe disa prej menaxherëve u mblodhën në zyrën e tij në Pekin dhe diskutuan rrugët për të përballuar gjendjen e vështirë. Një prej menaxherëve dha mendimin për të shitur një pjesë të mallrave nëpërmjet internetit. "Unë thuajse nuk e dija se çfarë ishte interneti atëherë," thotë Liu Qiangdong-u. "Seriozisht. Kurrë nuk e kisha përdorur."

Megjithatë, Liu e miratoi idenë, dhe në vitin 2005 kompania e tij siguroi shitje nëpërmjet internetit me një vlerë prej 12 milionë dollarësh. Ai mblodhi përsëri menaxherët e lartë dhe kërkoi mendimin e tyre: A duhej thjesht t'i mbyllnin dyqanet tradicionale, "me tulla dhe llaç", siç quheshin, dhe të bënin biznes vetëm në internet? Të gjithë menaxherët ishin në një mendje: kompania do të zhvillonte vetëm tregti elektronike, dhe në fund të vitit 2005 lindi kështu "jd.com", që më pas do të bëhej "360buy". Doli se ishte një vendim i drejtë e largpamës dhe rritja vjetore e kompanisë arriti në 300 %. "360buy" është sot kompania e dytë për nga madhësia e tregtisë në internet, pas së famshmes "Alibaba" të Ma Yun-it, me të ardhura vjetore që në vitin 2012 arritën në mbi 60 miliardë juanë, ose rreth 10 miliardë dollarë amerikanë, më shumë se dyfishi i një viti më parë, 2011. Ndërsa vetë pasuria e Liu Qiangdong-ut sipas Listës së të Pasurve të Kinës të "Hurunit" për vitin 2013 arrin në 6.5 miliardë juanë (mbi 1.1 miliard dollarë amerikanë).

Liu Qiangdong-u e ka zgjeruar shkallë-shkallë gamën e produkteve që tregton "360buy", prej vetëm pajisjeve elektronike te veshjet, aksesorët, kozmetikë dhe produkte të tjera. Për të përmirësuar më tej shërbimin, në vitin 2007 kompania hyri në biznesin e logjistikës dhe të dërgimit të mallrave.

Rritja e shpejtë e kompanisë së Liu Qiangdong-ut dhe zakoni që ka ai për të bërë ndonjëherë komente të ashpra i kanë dhënë reputacionin e një sipërmarrësi të rreptë e të guximshëm që ecën përpara pa pasur frikë rreziqet ose humbjet. Por, po të shohësh se si e drejton ai "360buy" del se është e vërtetë e kundërta. Dështimi i pësuar në fillim e ka bërë të kujdesshëm. Kur e pyet nëse mund të mësosh më shumë nga dështimet sesa nga suksesi, Liu Qiangdong-u thotë se nuk është doemos kështu. Por kur dështon, shprehet ai, kjo të mbetet e ngulur thellë në kujtesë dhe, në situata të ngjashme, gjithmonë i kujton vetes që të mos përsëritësh dështime të tilla. Por nëse vazhdon të dështosh në jetë, kjo nuk është diçka e mirë, sepse mund të të shkatërrojë vetëbesimin.

Liu Qiangdong-u është i kujdeshëm veçanërisht sa i përket menaxhimit. Në mbledhjet e përditshme të mëngjesit ai merr raporte nga rreth 200 menaxherë për çdo hollësi të asaj që mund të ketë shkuar keq një ditë më parë dhe planet për ditën në vijim.

Lidhur me këtë qasje të kujdesshme Liu Qiangdong-u thekson: "Që prej krijimit të kompanisë, kurrë nuk kemi pasur konceptin të arrijmë fitime të jashtëzakonshme e të tepruara. Ne këmbëngulim në shkallën e madhe dhe fitimet e vogla, por të shpejta. Ne do t'i qëndrojmë gjithmonë këtij parimi."

Përveç maturisë, Liu Qiangdong-u e vë theksin edhe te durimi: "Në sektorin e shitjes me pakicë," shprehet ai, "një kompani duhet të presë me vite për të lulëzuar. Gjigandët e shitjes me pakicë në të gjithë botën, nga 'Amazon' dhe 'Wal-Mart' te 'Suning' në Kinë, të gjithë këta kanë luftuar për një a dy dhjetëvjeçarë për të qenë ato që janë sot. Unë nuk di një rast kur vetëm pak vite mjaftojnë."

Liu Qiangdong-u thekson gjithashtu rëndësinë e zbatimit të rregullave. "Vetëm kështu mund të bëhemi një sipërmarrje me të vërtetë e madhe."

Lidhur me konkurrencën, Liu Qiangdong-u shprehet: "Nëse punon më shumë se të tjerët, do të jetosh më mirë se të tjerët. Ky është besimi që duhet të kesh, në vend që të nxjerrësh jashtë loje konkurrentët. Duhet të mbash gjithmonë në mend që, edhe nëse një nga konkurrentët dështon, do të ketë gjithmonë të tjerë që do të hyjnë në të njëjtën fushë".

Liu Qiangdong-u thotë po ashtu se, përballë konkurrencës në tregut, "360buy" nuk duhet të punojë vetëm me partnerët e biznesit, por gjithashtu - ndonëse sigurisht konkurrenca është themelore - duhet të gjejë një mënyrë për të bashkëpunuar me konkurrentët, për të krijuar një situatë me përfitime të ndërsjella.

Ndërsa "Taobao" dhe "Tmall", uebsajtet e tregtisë në internet të Grupit "Alibaba", janë uebsajtet më të mëdha të shitjes me pakicë në Kinë, ato vetë nuk kanë inventar të vetin, por thjesht ofrojnë platforma ku të tjerët mund të tregtojnë, një dallim kyç ky nga modeli i biznesit të Liu Qiangdong-ut. "360buy" është jo vetëm një ndërmjetës për tregtimin e mallrave të të tjerëve, por ka edhe mallra të vetat.

Përparësia e "360buy" ndaj simotrave të saj, përfshirë edhe gjigantë si "Amazon", dhe gjë që ka ndihmuar për të tërhequr investitorë të tillë si "Wal-Mart", është logjistika. Kompania garanton që, në qoftë se klienti e bën porosinë para orën 11 të paradites, ai ose ajo do ta marrë produktin para orës 6 të mbrëmjes së po asaj dite. Po ashtu, kushdo që e bën porosinë para orën 11 të natës e merr pakon deri në orën 9 të mëngjesit të nesërm. Përveç kësaj, kompania ka edhe të ashtuquajturën "politikë e 100-minutëshit": nëse një klient ka ndonjë ankesë në lidhje me një produkt, një nga punonjësit e dërgimit të mallit shkon përsëri në shtëpinë e atij klienti brenda një ore e 40 minutave pasi ankesa është paraqitur.

Liu Qiangdong-u shprehet po ashtu se i vlerësojnë mjaft mendimet dhe komentet e klientëve. "Ne japim shpërblime për klientët që bëjnë komente për prodhimet tona. Ne jemi të parët që e kemi bërë një gjë të tillë në Kinë. Shpresojmë që klientët do të bëjnë komente për prodhimet që kanë blerë në uebsajtin tonë, qofshin këto komente pozitive apo negative. Edhe nëse ata vënë në dukje të metat e produkteve tona, ne i vlerësojmë këto mesazhe dhe u japim shpërblim atyre që i kanë bërë. Ne u ofrojmë atyre produkte me ulje çmimi. Në këtë mënyrë, klientët e rinj mund të gjejnë komente të shumta për produktet që tregtojmë në uebsajtin tonë. Kështu, ata do të kenë besim në cilësinë e produkteve tona dhe do t'i blejnë ato," shprehet Liu Qiangdong-u."Mesazhet negative na kujtojnë që të vazhdojmë të përmirësojmë cilësinë e produkteve tona. Çdo kompani ka hapësirë për të arritur përsosurinë e çdo procedure. Ka gjithmonë disa arsye që sjellin pakënaqësinë e klientëve. Besimi i klientëve të rinj rritet edhe më shumë nëse ata lexojnë edhe këto komente negative. Disa uebsajte kanë mesazhe false ose mbajnë vetëm mesazhet pozitive dhe i fshijnë ato negative. Klientët sigurisht që janë mosbesues ndaj këtyre mesazheve. Në uebsajtin tonë ata mund të lexojnë edhe komente negative, e kështu mendojnë se ne jemi më të besueshëm. Sigurisht, asnjë kompani nuk është e përsosur dhe klientët e kuptojnë një gjë të tillë," thotë Liu Qiangdong-u.

Çdo vit, "360buy" punëson rreth 100 të diplomuar dhe i trajnon ata nga fillimi. "Ne kërkojmë që ata kurrë të mos kenë punuar ndonjëherë për një ndonjë kompani tjetër," shprehet Liu Qiangdong-u.

Të trajnuarit, të cilët janë të joshur edhe nga pagat vjetore fillestare prej 100 000 juanësh, i nënshtrohen një programi njëvjeçar gjatë të cilit Liu Qiangdong-u ndërton marrëdhënie të forta personale me secilin prej tyre. Ata marrin pjesë në ligjëratat e mbajtura prej tij, shkruajnë dhe ia dërgojnë me postë elektonike raporte javore, dhe e shoqërojnë me radhë Liu Qiangdong-un nëpër dreka të ndryshme, gjatë peshkimit – pasionit të tij - dhe në udhëtimet e punës.

Për të krijuar ofrimin e shërbimeve të kompanisë nga e para, ai i bindi një pjesë të punonjësve të kompanisë, që të gjithë të diplomuar, që të shkonin dhe të dorëzonin pako bashkë me të. 80 për qind e menaxherëve të mesëm të kompanisë janë punonjës të saj që prej fillimit e jo të ardhur nga kompanitë e tjera.

Megjithatë, ndërsa themeluesi dhe zyrtari kryeekzekutiv i "360buy" ka krijuar lidhje të ngushta me punonjësit e vet, ata po ashtu i nënshtohen një regjimi të rreptë. Çdo punonjës për të cilin ka ankesë gjatë dorëzimit të pakos humb tërë bonusin e tij mujor - gjysma e pagës së tij.

Lidhur me faktin u bë miliarder ende pa mbushur 40 vjeç, Liu Qiangdong-u vë në dukje:"Në Kinë ka shumë biznesmenë më të rinj dhe më të suksesshëm. Dhe kjo sepse jetojmë në një kohë të mirë dhe me shumë mundësi për të gjithë. Tashmë jo vetëm të sapodiplomuarit, por edhe studentët nxiten që të hapin bizneset e tyre. Kjo ishte e papërfytyrueshme dhe e pamundur njëzet vjet më parë."

Ai shton po ashtu se përgjatë këtyre 20 vjetëve kompanitë kineze e kanë përmirësuar shumë menaxhimin dhe kanë pasur përparim më shumë se çdo kompani tjetër në botë

Liu Qiangdong-u shprehet se, kur të tërhiqet nga menaxhimi i biznesit, dëshiron të krijojë një organizatë që do t'u shërbejë të tjerëve, e po ashtu që të hapë një numër të madh shkollash. Ai thotë se të pasurit duhet të marrin më shumë përgjegjësi. Por megjithatë, thekson se nuk duhet pritur për të bërë bamirësi vetëm kur je i krimbur në para. "Dhjetë vjet më parë," thotë Liu Qiangdong-u, "unë kisha ca para, por nuk isha i pasur. Kompania ime ishte e vogël dhe kishte vetëm nja dhjetë punëtorë. Por megjithatë, unë kisha të birësuar atëherë 38 fëmijë nga qyteza Jingle e provincës Shanxi. Me zgjerimin e mëtejshëm të biznesit, ne kemi birësuar edhe fëmijë të tjerë atje. Dhe deri tani kemi arritur në më shumë se 100 fëmijë të birësuar. Ne paguajmë të gjitha shpenzimet për arsimimin e tyre"

Liu Qiangdong-u e quan tragjedi për biznesmenët që nuk arrijnë të gjejnë një baraspeshë mes punës dhe jetës familjare. Ai thotë se atyre shpesh u duhet të punojnë mbi 12 orë në ditë dhe nuk kanë kohë as të shtunave apo të dielave. Prandaj Liu thotë se e ka dërguar të birin gjashtëvjeçar në një shkollë me konvikt dhe e merr në fundjavë, por shpesh atij i duhet të bëjë udhëtime pune edhe fundjavave. "Mosgjetja kohë për tim bir është dështimi im më i madh," thotë me trishtim Liu Qiangdong-u. Por duket se ky është çmimi që duhet paguar për të qenë një biznesmen i suksesshëm.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China