PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Samir Mane, miliarderi i parë shqiptar
2014-04-29 20:09:30 CRI Komenti juaj Printoni

Në qershorin e vjetshëm u bë e ditur se Shqipëria kishte më në fund miliarderin e vet të parë. Ai është Samir Mane, një prej biznesmenëve më të suksesshëm në Shqipëri dhe ndër më të njohurit në mbarë rajonin e Ballkanit, që ka futur i pari konceptin e dyqaneve zinxhir në Shqipëri dhe që ka hapur të parën qendër tregtare dhe të parin park logjistik në vend. Ai është pronari i Grupit "Balfin" (Balkan Finance Investment Group), me biznese në mjaft fusha, si ndërtimi, shitja me shumicë e pakicë, dhe më në fund minierat, dhe me më shumë se 3 000 punonjës.

Samir Mane ka lindur në Korçë më 24 dhjetor 1967. Në vitin 1991, teksa ndiqte studimet në Fakultetin Gjeologji-Miniera, Shqipëria u përfshi nga ndryshime të mëdha politike-shoqërore dhe, si mjaft të rinj të tjerë, Samiri vendosi të emigrojë, në kërkim të një jete më të mirë, duke shkuar në Austri (pa e ditur mbase se një ditë do të përfshihej në listën e atyre që quhen "miliarderë që e kanë lënë shkollën", ku përfshihen edhe Bill Gates, Steve Jobs, Mark Zuckerberg apo Michael Dell). Pa kaluar shumë Mane filloi të punojë si përkthyes, gjë që e ndihmoi të vendosë kontakte me botën e biznesit. E kështu në vitin 1993 Samir Mane nisi biznesin e vet, duke krijuar kompaninë "Albatrade", pararendësen e "Balfinit" të sotëm. "Albatrade" fillimisht merrej me tregtimin e pajisjeve elektroshtëpiake, kryesisht të televizorëve dhe videoregjistrueve, duke i importuar ato në Shqipëri dhe duke i shitur nëpërmjet dyqaneve "Neptun", në fillim në Tiranë e më pas në qytete të tjera. Sot "Neptun" është rrjeti më i madh i dyqaneve të pajisjeve elektroshtëpiake në Shqipëri dhe është shtrirë edhe në vendet e tjera të rajonit, me rreth 30 dyqane brenda dhe jashtë vendit, duke i ofruar konsumatorit markat më të mira dhe teknologjinë më të fundit.

Në vitin 2005 u përurua Qendra Tregtare Univers (QTU), qendra e parë tregtare në Shqipëri me një sipërfaqe 47 mijë metra katrorë, një ide mjaft ambicioze e Samir Manes, që revolucionarizoi mënyrën e blerjes nga konsumatori shqiptar. Edhe sot QTU-ja mbetet qendra tregtare më e parapëlqyer në Shqipëri, duke u shtrirë tashmë në disa qytete të vendit, si Vlorë, Fier etj.

Po në vitin 2005 në QTU u hap edhe hipermarketi i parë "Euromax", një markë e grupit "Balfin", duke përbërë edhe ai një risi për tregun shqiptar. "Euromax"-i ishte zinxhiri i parë i supermarketeve dhe i hipermarketeve në Shqipëri dhe sot është më i madhi, duke synuar të ofrojë cilësi me çmimet më të mira.

Në vitin 2008, pas rreth tre vjetësh suksesi të rrjetit të supermarketeve "Euromax", grupi serb i tregtisë me pakicë "Delta Maxi Group" bleu 100 % të aksioneve të tij për 29 milionë euro. Por, pas kësaj, "Euromax"-i përjetoi një ngadalësim të aktivitetit. Në mars 2011 kompania belge e tregtisë me pakicë "Delhaize" bleu "Delta Maxi Group", por në fund të vitit 2012 "Euromax"-i u ble sërish nga Grupi "Balfin" për një vlerë shumë të lirë se shitja e tij katër vjet më parë.

"'Euromax'-i është një markë që e kam krijuar vetë dhe e njoh shumë mirë si biznes. Shfrytëzova faktin që belgia 'Delhaize' po tërhiqej disi nga rajoni i Ballkanit, për të blerë degën e tyre këtu", thotë presidenti i Grupit "Balfin" Samir Mane.

Megjithatë, pronësia e sërishme e "Balfin"-it mbi "Euromax"-in nuk zgjati shumë. Vjet Mane ia shiti këtë rrjet supermarketesh grupit grek "Marinopoulos", që ka në pronësi edhe supermarketin "Carrefour" në Shqipëri. Sigurisht çmimi i shitjes ishte mjaft më i lartë se ai i blerjes në 2012-n nga "Balfin".

Po në vitin 2005 dhe po në QTU u vendos edhe dyqani i veshjeve "Fashion Group", edhe ai në pronësi të Samir Manes. "Fashion Group" synon të çojë në Shqipëri disa prej markave më të njohura të veshjeve, si "Mango", "Goldenpoint", "Calliope", "Parfois", "Prenatal", "Terranova", "Springfield" dhe "Etam"

Që prej vitit 2002 Grupi "Balfin" është përfshirë në sektorin e ndërtimit dhe të menaxhimit të pasurive të patundshme. Nëpërmjet kompanisë së vet "Mane TCI", grupi ka intensifikuar investimet në ndërtimin e pasurive të paluajtshme në zona rezidenciale të Tiranës, të tilla si komplekset e vilave "Rolling Hills", "Ambasador 2", "Ambasador 3" etj., me standarde nga më të lartat në Shqipëri.

Në vitin 2011, Grupi "Balfin" investoi rreth 50 milionë euro për të ndërtuar "Tirana East Gate" (TEG), një tjetër projekt i suksesshëm i Samir Manes, që është sot qendra më moderne dhe më e madhe tregtare në Shqipëri, madje edhe në rajon, me një sipërfaqe prej më shumë se 90 000 metrash katrorë.

Në tetor 2012 Grupi "Balfin" realizoi një prej investimeve më të rëndësishme të vetat jashtë vendit, qendrën tregtare "Skopje City Mall" në kryeqytetin e Maqedonisë Shkup, me një vlerë 68 milionë euro. Po atë vit Grupi filloi punimet për ndërtimin e qendrës më të madhe logjistike në rajon, "Tirana Logistic Park", një tjetër projekt i guximshëm i Samir Manes dhe një tjetër risi në tregun shqiptar. "Tirana Logistic Park" është projektuar për t'u ofruar shërbime jo vetëm bizneseve shqiptare, por edhe atyre të huaj. Investimi do të kryhet në disa faza, e para prej të cilave përfundoi në tetor 2013. Kostoja e përgjithshme e investimeve parashikohet të arrijë në afro 44 milionë euro.

Në janarin e vjetshëm Grupi "Balfin" hodhi një tjetër hap të rëndësishëm për diversifikimin e mëtejshëm të bizneseve të veta edhe në industrinë minerare duke blerë 100 % të aksioneve të "Albanian Chrome", kompania më e madhe e nxjerrjes, pasurimit dhe përpunimit të kromit në Shqipëri. Këtë blerje Samir Mane e sheh edhe si njëfarë rikthimi në profesion.

"Unë kam një formim në inxhinieri minierash dhe mund të them që jam në fushën time. Kam plane të mëdha për këtë kompani, pasi kromi ka shumë potencial. Unë do të shtoj ndjeshëm investime me qëllim hapjen e zonave të reja për kërkim dhe kam planifikuar që brenda një viti të dyfishoj prodhimin," është shprehur ai.

"Albanian Chrome" hyri në tregun shqiptar në vitin 2007 si pjesë e grupit austriak "DECO Metal", pasi bleu të drejtat koncesionare të kompanisë italiane "Darfo", që në vitin 2001 mori me koncesion të drejtën për shfrytëzimin e pjesës më të madhe të rezervave të kromit dhe prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për 30 vjet.

Duket se të paktën për të ardhmen e afërt "Albanian Chrome" do të jetë fokusi kryesor i Samir Manes dhe i grupit të tij "Balfin", si një treg i ri, por edhe me mjaft mundësi rritjeje.

"Ne kemi filluar një proces rivitalizimi të kompanisë 'Albanian Chrome', si në aspektin menaxherial, ashtu edhe përsa i përket investimeve, me synimin për ta rikthyer industrinë e nxjerrjes dhe përpunimit të kromit në nivelet më të larta që ka qenë ndonjëherë," është shprehur Mane. "Industria minerare përfaqëson një biznes me tipologji shumë të vështirë, por, ashtu siç ia kemi dalë të jemi të suksesshëm në të gjitha bizneset e tjera, edhe këtu do t'ia dalim."

Një tjetër blerje e bërë vitin e kaluar nga grupi "Balfin" është edhe ajo e "Techno Market", kompania e dytë e pajisjeve elektroshtëpiake në Mal të Zi, blerje të cilës Samir Mane e shikon si konfirmim të pozitës zotëruese në "Balfin" edhe në këtë vend të rajonit.

Biznesi i Grupit "Balfin" është i përqendruar në krijimin e vlerave ekonomike dhe shoqërore në të gjitha tregjet ku vepron. Krijimi i vlerave ekonomike bëhet duke shfrytëzuar mundësitë e tregut, veçanërisht në fushat e shitjes me pakicë, pasurive të patundshme dhe industrisë minerare në Ballkan dhe më gjerë. Grupi është në zgjerim të vazhdueshëm përmes eksplorimit të mundësive të reja duke përdorur njohuritë e fituara mbi tregun dhe profesionalizmin.

Grupi "Balfin" synon arritjen e rezultateve dhe standardeve të larta në të gjitha fushat ku ushtron veprimtarinë e vet, duke sjellë ide të reja në treg. Grupi kërkon të jetë i pari e më i miri dhe dëshiron zbatimin e projekteve edhe më të mëdha në të ardhmen, jo vetëm në Shqipëri, por në rajon.

Grupi"Balfin" kërkon nga të gjitha kompanitë e veta krijimin dhe zbatimin e standardeve më të larta në çdo shërbim apo produkt që ofron. Falë këtij angazhimi të vazhdueshëm për t'u përmirësuar, "Balfin" është një partner i besueshëm për të gjitha kompanitë e huaja të interesuara për të investuar në Shqipëri dhe më gjerë.

Grupi "Balfin" synon gjithmonë të përmirësojë pozitën e vet në tregun e brendshëm e rajonal, duke i çuar njëkohësisht produktet e shërbimet e veta më pranë tregjeve të mëdha.

Përmasa e madhe e Grupit u mundëson të gjitha kompanive të tij të kenë mbështetje të plotë jo vetëm financiare, por edhe në menaxhim. Kjo mundëson suksesin e të gjitha kompanive të "Balfin"-it, duke u krijuar besim në sigurinë e investimeve të gjithë partnerëve vendës e të huaj të tij. "Balfin"-i ka krijuar një kulturë transparence dhe ndershmërie ndaj partnerëve të vet në çdo projekt. Të gjitha kompanitë e Grupit kanë vendosur partneritet me kompanitë vendase dhe të huaja, duke treguar korrektësi dhe përkushtim në respektimin e marrëveshjeve dypalëshe.

Grupi "Balfin" përpiqet të krijojë një mjedis pune të shëndetshëm dhe profesional, duke u kushtuar rëndësi burimeve njerëzore dhe duke kërkuar zhvillimin e tyre jo vetëm nga ana profesionale, por edhe personale.

Grupi ka treguar përgjegjësi për punonjësit, klientët, partnerët dhe komunitetet ku kompanitë e tij zhvillojnë veprimtarinë e tyre. Kompanitë e Grupit "Balfin" zbatojnë strategji të veçanta për të përmirësuar kushtet e komuniteteve lokale duke rritur punësimin ose me mbështetjen e projekteve që kanë për qëllim zhvillimin social.

Grupi ka për qëllim të sigurojë që veprimtaritë e tij të biznesit të shërbejnë si investime për përmirësimin e kushteve shoqërore, të infrastrukturës, kujdesit shëndetësor, arsimit dhe kulturës në komunitetet ku ushtrohen këto veprimtari.

Kompanitë e Grupit "Balfin" nuk kufizohen vetëm në sigurimin e vendeve të punës për komunitetet lokale në të cilat ata veprojnë, por përpiqen për të pasur një ndikim pozitiv në mbarë vendin.

Në vitin 2008 presidenti i Grupit "Balfin" Samir Mane u përfshi nga prestigjiozja "Financial Times" në listën e katër biznesmenëve që tërheqin vëmendjen në Shqipëri dhe tani vlerësohet si një nga personalitetet më të fuqishme në gjirin e biznesmenëve shqiptarë .

Në gusht të vitit të kaluar, "Wealth-X", firma e njohur britanike e vlerësimit të pasurisë së atyre që vlerësohen si "ultra të pasur", shpalli se Samir Mane, president dhe zyrtar kryeekzekutiv i Grupit "Balfin", është miliarderi e parë e Shqipërisë, me një pasuri 1.2 miliard dollarë amerikanë.

Zyrtari kryeekzekutiv i "Wealth-X" Mykolas D. Rambus u shpreh: "Dihet pak lidhur me ultra të pasurit në ekonomitë në zhvillim, të tilla si Shqipëria. Me paqen relative vjen përparimi dhe presim të zbulojmë ultra të pasur të tjerë në Shqipëri dhe vendet fqinje."

Teksa pjesa më e madhe e kompanive po ulin kostot e shpenzimet në kushtet e krizës, Samir Mane është gjithnjë në kërkim të investimeve të reja. "Jam duke e shfrytëzuar këtë periudhë që të ble biznese që janë në vështirësi me çmime të lira, për t'i riorganizuar dhe bërë rentabël," thotë ai. Dhe shton: "Mos harroni që unë jam pak si Warren Buffett i ShBA-së, i cili ble kompani në vështirësi, i ngre dhe i rishet me një çmim shumë më të lartë.".

Samir Mane i ka zgjeruar dhe diversifikuar me shpejtësi bizneset. Sipas tij, diversifikimi i portofolit është një nga zgjedhjet më të mira që mund të bëjë një biznes. Grupi "Balfin", përveçse ndër më të fuqishmit, është dhe ndër më të diversifikuarit në vend.

Megjithëse një biznesmen miliarder dhe ndër njerëzit me ndikim më të madh në ekonominë shqiptare, Samir Mane është një personazh që nuk shfaqet shumë në publik. Ai thotë se kjo nga ngarkesa e jashtëzakonshme që ka menaxhimi i një biznesi. Mane dëshiron që jo ai, por kompanitë e tij të jenë përherë në qendër të vëmendjes në fushat ku veprojnë, gjë që sipas tij është arritur, pasi kompanitë e Grupit "Balfin" janë ndër më të suksesshmet në ekonominë shqiptare.

Kur e pyet nëse është më i pasuri në Shqipëri, Samir Mane thotë se nuk e di dhe se nuk beson se është. Por Mane, ndryshe nga mjaft të tjerë, që të paktën në dukje duket se e përçmojnë paranë, është i çiltër kur nuk është aspak në një mendje me thënien se paraja të prish. Duke të sjellë ndër mend fjalët e famshme të udhëheqësit kinez Ten Hsiao Pin se të pasurohesh është diçka e lavdishme, Samir Mane thotë në një formë këshille për të gjithë ata që duan të bëhen si ai: "Paraja është shumë e rëndësishme! Përpiqu të pasurohesh. Puno për pasurinë, sepse jeta do të jetë shërbëtorja jote dhe askush s'do mund të të zotërojë."

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China