PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Yuan Yafei, biznesmeni i heshtur i veprave "të zhurmshme"
2014-04-22 17:38:26 CRI Komenti juaj Printoni

Yuan Yafei e ka kthyer kompaninë e tij nga një firmë e vogël që merrej me shitje kompjuterash, në një konglomerat me biznese në financë, pasuri të patundshme, media, transport, teknologji informacioni etj. Ditët e fundit grupi i tij "Sanpower" bëri atë që deri më sot vlerësohet si blerja më e madhe e drejtpërdrejtë jashtë vendit e një kompanie private kineze të listuar në bursë dhe blerja më e madhe jashtë vendit në sektorin e shitjes me pakicë nga një biznes kinez, duke qenë simbol i vendosmërisë dhe i aftësisë së kompanive kineze për t'u zgjeruar ndërkombëtarisht.

Yuan Yafei ka lindur në dhjetor të vitit 1964 në kontenë Feng të provincës Jiangsu të Kinës Lindore. Në vitin 1988 ai nisi të punojë në administratën e distriktit Yuhuatai të qytetit Nankin, kryeqendra e provincës Jiangsu, punë të cilën e la pas pesë vjetësh për të krijuar kompaninë e vet, të cilën e quajti "Sanpower". Yuan Yafei fillimisht merrej me tregtinë e kompjuterave, duke blerë kompjutera në qytetin Shenzhen në provincën fqinje Guangdong për t'i shitur në Nankin. Biznesi shkonte mirë dhe Yuan Yafei e shtoi gamën e mallrave që tregtonte, dhe më pas "Sanpower" nisi të zgjerohej edhe në sektorë të tjerë, si ndërtimi dhe pasuritë e patundshme, financat e investimet, media e kulturë, shërbimet e informacionit dhe kujdesin për shëndetin dhe të moshuarit.

Në fushën e financave dhe investimeve, "Sanpower" është aksionari kryesor privat në shumë institucione financiare, të tilla si Banka e Jiangsu-së, shoqëria e sigurimeve "Huatai" e trusti "Zijin", si edhe partner i madh biznesi në disa fonde të njohura. Vitin e kaluar Grupi "Sanpower" nisi krijimin e bankave private, të kompanive të sigurimeve dhe të firmave të mikrokredive.

Në fushën e tregtisë dhe të shitjes me pakicë, Grupi "Sanpower" zotëron tani shumë kompani të kuotuara në bursë, duke përfshirë "Hiteker", "Xinbai" etj. "Hisap", degë e "Hiteker"-it, sipërmarrja më e madhe për të ashtuquajturat "produkte 3K" (kompjutera, komunikim, konsumator), ka mbi 500 dyqane me funksione të shumta biznesi dhe më shumë se 10 mijë punonjës. "Xinbai", ndër 10 dyqanet më të mëdha në Kinë dhe ndër më të vjetrat, ka ndikimin unik të markës, dhe së bashku me blerjen e Qendrës Financiare Ndërkombëtare të Nankinit në vitin 2013, Grupi "Sanpower" futi me sukses nën "sundimin perandorak" të vet gjysmën e së ashtuquajturës "qarku tregtar nr. 1 i Kinës". "Cnshangquan.com", i krijuar nga Grupi "Sanpower", është kompania e parë në Kinë që filloi modelin e tregtisë elektronike O2O (Online to Offline), që ndërthur aktivisht mënyrën tradicionale të shitjeve me biznesin elektronik, dhe është përfshirë në projektin pilot kombëtar të përmirësimit dhe ristrukturimit të biznesit tradicional nga Ministria e Tregtisë e Kinës.

Për sa i përket medias, Grupi "Sanpower" është partner i disa mediave të mëdha vendase, të tilla si "China News Weekly" dhe "China Business Times". "China News Weekly" është një revistë javore politike dhe lajmesh që botohet në disa gjuhë, si kineze, angleze, japoneze, koreane, dhe italiane. Tirazhi i saj është mbi 600 000 kopje, ndërsa numri i lexuesve vlerësohet se është mbi 3 milionë. "China Business Times" është një gazetë që shpërndahet brenda e jashtë Kinës dhe është aktualisht një nga të përditshmet ekonomike më të mëdha kineze.

Sa u përket shërbimeve të informacionit, "Jinpeng" e Guangzhou-t, një degë tërësisht në pronësi të Grupit "Sanpower", është ndër ofruesit kryesorë në Kinë të shërbimeve të plota në fushën e sigurisë, si për institucionet shtetërore, ashtu edhe për ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe për lagjet e shtëpitë.

Në fushën e kujdesit për shëndetin dhe të moshuarit, Grupi "Sanpower" ka në pronësi spitalin "Xuzhou" dhe "An Kang Tong"-un, sipërmarrja më e madhe e shërbimeve të kujdesit për të moshuarit në Shangai. Gjithashtu, "Sanpower" sapo ka marrë tërësisht në kontroll kompaninë izraelite "Natali Seculife" nëpërmjet një marrëveshjeje të ashtuquajtur "blerjeje dhe bashkimi". "Natali Seculife" është një ndër korporatat udhëheqëse në fushën e kujdesit shëndetësor në shtëpi, duke u siguruar komuniteteve dhe familjeve kujdes shëndetësor personal dhe shërbime mjekësore, të tilla si kujdesi për të moshuarit në shtëpi, telemjekësia dhe thirrjet e urgjencës.

Lidhur me pasuritë e paluajtshme, "Hirealty", degë e Grupit "Sanpower", është një markë e njohur pasurish të patundshme në provincën Jiangsu, e cila i përmbahet konceptit të "ndërtimit të shtëpive për t'ua kaluar pasardhësve tanë". Ajo ka përfunduar ndërtimin dhe shitjen e ndërtesave luksose me një sipërfaqe 2 milionë metra katrorë. Sipërfaqja e projekteve në ndërtim prej saj është më shumë se 3 milionë metra katrore, duke përfshirë Parkun Industrial Dixhital "Banqiao" të Nankinit, Gadishullin "Wenchang" në Hainan etj.

Aktualisht, pasuritë e përgjithshme të Grupit "Sanpower" i kalojnë 50 miliardë juanët (mbi 8 miliardë dollarë), ndërsa shitjet vjetore janë mbi 60 miliardë juanë (mbi 9.1 miliardë dollarë). "Sanpower" ka tani më shumë se 100 degë dhe punëson 60 000 njerëz. Gjatë vitit të kaluar "Sanpower" është përfshirë për të dhjetin vit radhazi në listën e "500 sipërmarrjeve kryesore të Kinës" (duke zënë vendin e 205-të), dhe po ashtu është vlerësuar nga Federata Mbarëkineze e Industrisë dhe Tregtisë si një prej "500 sipërmarrjeve kryesore private të Kinës" (e renditur në vendin e 24-t), "100 sipërmarrjeve kryesore private të shërbimit të Kinës" (në vend të 6-të) dhe "100 sipërmarrjet kryesore private të provincës Jiangsu" (i renditur e 5-ti). Gjithashtu "Sanpower" është vlerësuar edhe me çmimin "Punëdhënësi më i mirë në Kinë", kurse markat e tij "Hisap" dhe "Jinpeng" kanë marrë titullin "Marka të famshme të Kinës".

Gjatë gjithë këtyre viteve, Grupi "Sanpower" i ka qëndruar besnik një kulture korporative të përqendruar te "pozitiviteti, analiza e vetvetes, ekuilibri", si edhe "mirësia, arsyeja, vështrimi i thelluar", dhe është përpjekur të vërë në jetë parimin sipërmarrës të "krijimit të vlerës për konsumatorët dhe sigurimit të mundësive për të punësuarit". Në të njëjtën kohë që krijon pasurinë shoqërore, Grupi "Sanpower" merr pjesë aktivisht në çështjet e mirëqenies publike dhe ka dhënë një ndihmesë të spikatur në fushat e ndihmës në rastet e fatkeqësive natyrore, të mbështetjes së arsimit, të ndihmës ndaj grupeve dhe shtresave në nevojë, nxitjes së harmonisë shoqërore etj. Vlera e përgjithshme e dhurimeve nga "Sanpower" në vitet e fundit arrin në 300 milionë juanë (rreth 50 milionë dollarë).

Në të ardhmen, Grupi "Sanpower" do të shfrytëzojë mundësitë e krijuara nga zhvillimi i globalizimit dhe i urbanizimit në shkallë kombëtare në Kinë, duke kërkuar të jetë në krye të bashkërendimit të të gjithë sektorëve ku e ushtron veprimtarinë e vet. Pritet që deri në vitin 2015 pasuria e përgjithshme e grupit të arrijë në 80 miliardë juanë (gati 13 miliardë dollarë) dhe të ardhurat vjetore 150 miliardë juanë (më shumë se 24 miliardë dollarë), për të realizuar me sukses objektivin për të qenë në radhën e 500 sipërmarrjeve kryesore në botë, duke u bërë një korporatë e klasit botëror me karakteristika kineze dhe me zhvillim të qëndrueshëm.

"Rritja e Grupit 'Sanpower' është pasqyrë e zhvillimit të sektorit joshtetëror në Kinë," shprehet Yuan Yafei, "dhe 'Sanpower' e ka të gjithë potencialin për t'u bërë një ndër sipërmarrjet udhëheqëse në botë."

Pasuria personale e Yuan Yafei-it vlerësohet tashmë në rreth gjysmë miliardi dollarë nga "Forbes".

Yuan Yafei shpesh shihet një "sipërmarrës klasik kinez", një njeri me shumë vetëbesim, që zbaton një stil hierarkik menaxhimi dhe është shumë i përfshirë në të gjitha detajet e bizneseve të tij. E po ashtu si sipërmarrësit e tjerë kinezë, ai e vë theksin te rritja dhe, siç e thamë, "Sanpower"-i i tij është zgjeruar me shpejtësi në shumë sektorë, ashtu si edhe mjaft kompani të tjera kineze.

Grupi "Sanpower" është vetëmodeluar në një përzierje teknikash menaxhimi dhe logjistike që kompania i ka përshtatur nga "Walmart", "Dell" dhe "McDonalds" - një qasje që Yuan Yafei e ka quajtur "modeli i marketingut WDM".

Një diplomat i huaj e ka përshkruar Yuan Yafei-n si "shumë të afrueshëm e shumë të hapur" dhe ka thënë se ai është një "drejtues biznesi me kulturë", i cili ka mbledhur një koleksion mbresëlënës të artit kinez, që ndodhet në zyrën e tij në Nankin. Ai e cilëson Yuan Yafei-n si "sipërmarrës me shpirt artisti".

E me gjithë këtë shpirt artistik, Yuan Yafei mbetet një biznesmen ambicioz, çka u tregua edhe me blerjen e bujshme më të fundit të tij.Për 450 milionë paund (rreth 750 milionë dollarë), "Sanpower" bleu këtë muaj paketën kontrolluese prej 89 për qind të aksioneve të "House of Fraser", që është një prej emrave të mëdhenj të shitjes me pakicë në Britaninë e Madhe, me 165 vjet histori.

Pothuajse një çerek shekulli më parë, e pikërisht në vitin 1991, një manjat hongkongas i tregtisë me pakicë të mallrave luksoze, i quajtur Dickson Poon, pronari i kompanisë "Dickson Concepts", habiti Londrën duke blerë "Harvey Nichols", një zinxhir dyqanesh mallrash luksi i hapur në vitin 1831, por që ndodhej në vështirësi. Dickson Poon ishte një ndër të parët që nisi një prirje e cila tashmë ka ardhur duke u bërë edhe më e dukshme: etjen e biznesmenëve aziatikë për t'u bërë zotërues të emrave të njohur të shitjes me pakicë në Britaninë e Madhe e më gjerë. Yuan Yafei është vijues i kësaj prirjeje me blerjen e "House of Fraser".

Por ndryshe nga Poon-i, i cili mori një "Harvey Nichols" në gjendje të vështirë dhe e ktheu atë në një biznes me fitim, Yuan Yafei ka që tashmë në duart e tij një sipërmarrje të sukseshme.

"House of Fraser" e hapi dyqanin e vet të parë në 1849 dhe ka tani 61 të tilla në Britaninë e Madhe dhe Irlandë, me shitje vjetore prej afro 1.2 miliardë paundësh (rreth dy miliardë dollarë) dhe punëson më shumë se 7 000 veta.

"Tani për herë të parë jemi lidhur me një kompani të huaj të shitjes me pakicë dhe kjo do të na ndihmojë për të zgjidhur problemin e mbiprodhimit në Kinë, sepse do të kemi tashmë rrjetin tonë jashtë vendit," thotë Yuan Yafei.

Suksesi i Grupit "Sanpower"-it theksohet veçanërisht duke pasur parasysh konkurrencën gjatë gjithë procesit për blerjen e "House of Fraser". Konkurrentët e "Sanpower"-it përfshinin "Sports Direct International", kompaninë më të madhe të shitjes me pakicë të mallrave sportive në Britaninë e Madhe, e cila është tashmë vetëm zotëruese e 11-përqindëshit tjetër të aksioneve të "House of Fraser", dhe "Galaries Lafayette" të Francës, grupin e njohur që zotëron një zinxhir dyqanesh të mallrave të luksit.

Yuan Yafei mund të jetë një nga njerëzit më të pasur në Kinë, por para përpjekjes për të blerë "House of Fraser", vetëm pak në vendin e tij kishin dëgjuar të flitej për të.

Rupert Hoogewerf, luksemburgasi 44-vjeçar me emrin kinez "Hu Run", botues i "Hurun Report", një revistë e përmuajshme e njohur më shumë për publikimin e "Listës së të pasurve të Kinës" (e ngjashme me "Listën e të pasurve të Kinës" të "Forbes"-it), ku Yuan Yafei renditet tashmë i 92-ti, thotë se manjati ka qëndruar jashtë vëmendjes, duke zhvilluar në heshtje biznesin e vet.

"Yuan Yafei ka qenë tërë këto kohë një sipërmarrës mjaft i rëndësishëm," thotë Rupert Hoogewerf. "Ai është një prej atyre sipërmarrësve që ka qenë gjithmonë aktivë, por kurrë nuk ka dashur të tërheqë vëmendjen e medias."

Hoogewerf-i thotë se marrëveshja për blerjen e "House of Fraser"-it "është plotësisht e kuptueshme", pasi kompanitë kineze që janë të përfshira si në pasuritë e patundshme, ashtu edhe në shitjen me pakicë, janë të etura për të sjellë markave të konsoliduara në Kinë. Ai thekson se kjo blerje do t'i mundësojë Grupit "Sanpower" të rritë shitjet në Kinë, duke e bërë njëkohësisht më të lehtë sigurimin e kushteve preferenciale nga pronarët e qendrave tregtare që duan të tërheqin marka të njohura.

Të dy palët më parë kishin shqyrtuar mundësinë e marrjes së ekskluzivitetit të markës "House of Fraser" nga "Sanpower"-i në Kinë.

Yuan Yafei bën të ditur se negociatat kishin kaluar nëpër disa zigzage për disa muaj, për shkak se disa nga aksionarët ishin "konservatorë".

"Situata ishte me të vërtetë e vështirë në atë kohë. Sa herë që merrja lajme jo të mira, kaloja 20 orë pa vënë gjumë në sy, " tregon ai.

Menjëherë pasi njoftimit të marrëveshjes së blerjes, zyrtari kryeekzekutiv i "House of Fraser" John King deklaroi se marrëveshja është një "mundësi ideale për ta çuar markën 'House of Fraser' në Kinë". Ndërkohë, kryetari i "House of Fraser" Don McCarthy tha se kjo blerje do të hapte një kapitull "jashtëzakonisht emocionues" për të ardhmen e kësaj kompanie. Vetë "Sanpower"-i e ka përcaktuar Kinën si një ndër tregjet për zgjerimin e markës "House of Fraser" në të ardhmen.

"Ne kemi qenë gjithmonë në kërkim të investimit në marka të forta si 'House of Fraser', dhe synojmë t'i ngremë ato në një nivel më të lartë rritjeje. Me 'House of Fraser' ne shohim mundësi të mëdha për të zhvilluar biznesin më tej dhe për të përsëritur modelin e tij tashmë të suksesshëm në tregjet ndërkombëtare, veçanërisht në Kinë," thekson Yuan.

Marrëveshja e blerjes e arritur më në fund mes "House of Fraser" dhe "Sanpower" tregon edhe një herë interesin e biznesmenëve të fuqishëm kinezë për markat e njohura britanike. Përsëri një markë me famë botërore është vënë në zotërim nga një kompani relativisht e panjohur kineze, por lëvizja e guximshme dhe e suksesshme e "Sanpower"-it që pason blerjen e kompanive të tjera britanike, tregon se sektori privat kinez po bëhet gjithnjë e më shumë ambicioz. Ajo i shtohet një liste në rritje blerjesh që përfshijnë atë të "Manganese Bronze Holdings", prodhuesen e njohur të taksive të zeza të Londrës nga "Geely Automotive" vjet, dhe të prodhueses së ushqimeve me bazë drithi "Weetabix" nga "Bright Food" e Kinës në vitin 2012. Kompanitë kineze po ashtu zotërojnë tashmë "Gieves & Hawkes", kompaninë e njohur të prodhimit të veshjeve të themeluar në vitin 1771, klientë të së cilës kanë qenë dhe janë ndër të tjerë Uiston Çërçilli, Çarli Çaplini, Duka i Uellingtonit, princeshë Diana, Bill Klinton, Xhorxh Bushi, Majkëll Xheksoni, David Bekhami etj., si edhe firmën e jahteve luksoze "Sunseeker International".

Ndërkohë vetë Yuan Yafei e cilëson marrëveshjen për blerjen e "House of Fraser" si një "pikë referimi" për blerjen jashtë vendit nga kompanitë kineze. Por sigurisht edhe për zhvillimin e mëtejshëm të "Sanpower"-it, që megjithatë ai thotë se nuk do të ndalet këtu.

"Ashtu si njerëzimi kërkon gjithmonë të përmirësohet dhe të evoluojë, siç thuhet në fjalën e urtë se 'Një udhëtim një mijë kilometra i gjatë fillon me një hap të vetëm', edhe 'Sanpower'-i do të lëvizë gjithmonë përpara," është i bindur Yuan Yafei.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China