PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
FMN-ja: Kina, motor i rëndësishëm për rritjen globale
2014-04-15 18:01:22 CRI Komenti juaj Printoni

Presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar Christine Lagarde u bëri thirrje kohët e fundit vendeve të ndryshme të shtojnë bashkëpunimin ndërkombëtar për të shmangur hyrjen e ekonomisë globale në një periudhë të gjatë rritjeje të ngadaltë. Ajo u shpreh gjithashtu që Kina do të mbetet një faktor i rëndësishëm i rritjes së ekonomisë globale.

Kreu i FMN-së Christine Lagarde i bëri këto komente në fjalimin e saj të mbajtur në Shkollën e Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare pranë Universitetit "Johns Hopkins". Fjalimi i znj. Lagarde u vlerësua si një thirrje orientuese për strategjitë e FMN-së dhe BB-së në prag të hapjes së sesioneve vjetore të këtyre dy institucioneve.

Në fillimin e fjalimit të saj, znj. Lagarde vuri në dukje se bashkëpunimi ndërkombëtar është detyra kryesore e FMN-së:

"Sigurisht ekonomia globale është stabilizuar që nga shpërthimi i krizës financiare, por mëkëmbja ende është e dobët që të jemi të qetë. Nëse vendet e ndryshme të botës nuk marrin masat e duhura në mënyrë të bashkërenduar, mund të përballemi me vite rritjeje të ngadaltë, shumë më poshtë rritjes së fortë e të qëndrueshme ekonomike që nevojitet për të krijuar një numër të mjaftueshëm vendesh pune dhe për përmirësimin e standardeve të jetesës në të ardhmen."

Christine Lagarde vuri në dukje se ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare të G20-s qenë të një mendjeje gjatë takimit të Sidneit në muajin shkurt të këtij viti që, nëse vendet e ndryshme të botës do të zbatojnë politika e masa të drejta fiskale dhe do të shtojnë bashkëpunimin ndërkombëtar, GDP-ja globale brenda pesë vjetëve të ardhshëm do të rritet së paku 2%.

Ndërkohë, Lagarde përmendi në mënyrë të veçantë në fjalimin e saj reformën e kuotave dhe të drejtimit të FMN-së. Ajo deklaroi që, për të treguar rëndësinë gjithnjë e më të madhe të vendeve në zhvillim në ekonominë botërore, bordi drejtues i FMN-së në fund të vitit 2010 miratoi një projekt reforme, sipas të cilit afro 6 % e kuotave të FMN-së do t'u kalojnë ekonomive të reja me rritje dinamike dhe vendeve në zhvillim të përfaqësuara jo sa duhet. Anëtarët e bordit drejtues do të jenë më përfaqësues dhe do të përcaktohen me zgjedhjet.

Lagarde theksoi në fjalimin e saj në Shkollën e Studimeve të Përparuara Ndërkombëtare të Universitetit amerikan "Johns Hopkins" se pothuajse të gjitha vendet e FMN-së e kanë miratuar këtë projekt, por shprehu keqardhje që kontribuesja më e madhe për FMN-në, ShBA-ja, nuk ka qenë dakord me të. Kështu, ky projekt i reformimit të FMN-në deri tani nuk është vënë në zbatim.

"Dua të them që për këtë projekt kemi pasur një përjashtim shumë të madh, që është ShBA-ja, aksionarja më e madhe në FMN dhe një nga themelueset e saj. Më vjen shumë keq për këtë, sepse unë mendoj që ShBA-ja është e shqetësuar për botën tonë. Javën e kaluar ky projekt, që mund të aktivizonte reformat përkatëse të FMN-së, nuk u miratua nga Kongresi amerikan. Kjo është dëshpëruese, por kjo histori nuk ka përfunduar dhe do të vazhdojmë të përpiqemi," u shpreh Lagarde.

Duke folur për ekonominë globale, znj. Lagarde vuri në dukje se tani mëkëmbja e ekonomisë botërore është e dobët. Në vitin 2013, rritja e ekonomisë botërore ishte afro 3%. Sipas parashikimeve, në vitin 2014 dhe 2015, rritja ekonomike globale do të përmirësohet më tej në bazë të këtij niveli.

Znj. Lagarde theksoi se veprimtaria ekonomike në vendet e zhvilluara po përmirësohet me ritme të ndryshme. Ky është një lajm i mirë për vendet në zhvillim, veçanërisht për ekonomitë e reja, pasi këto vende kanë mbajtur një barrë të rëndë për mëkëmbjen e ekonomisë botërore gjatë pesë vjetëve të kaluar. Lagarde është e mendimit që sivjet ekonomitë e reja në Azi do të shënojnë rritje më të madhe dhe Kina do të vijojë të jetë motor i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë globale.

"Me nxitjen e shtimit të kërkesës nga vendet e zhvilluara, do të përmirësohet veprimtaria ekonomike në vendet në zhvillim që u ngadalësua në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2013. Megjithëse shtrëngesa financiare në tregun ndërkombëtar do të ndikojë negativisht në kërkesën e brendshme të ekonomive të reja, ekonomitë e reja aziatike do të vazhdojnë të jenë në fokus, me një rritje që sivjet parashikohet të ruhet në mbi 6.5 %, çka do të jetë më e larta në mbarë botën. Megjithëse rritja ekonomike në Kinë është ngadalësuar në afro 7.5%, Kina ende është motor i rëndësishëm për rritjen e ekonomisë globale," tha Lagarde.

Lagarde vuri në dukje gjithashtu që tani ekonomia botërore përballon tre probleme kryesore: papunësia, niveli i lartë i borxhit dhe paqëndrueshmëria e sistemit financiar. Ajo është e mendimit që, për të zgjidhur këto probleme, duhet të bëhen investime me synim më të qartë dhe të kryhen më shumë reforma në tregun e punës, si dhe në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve. (Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China