PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Dy prej "30 nën 30"
2013-09-03 15:45:43 CRI Komenti juaj Printoni

Në mars të këtij viti "Forbes China", botimi në gjuhën kineze i revistës "Forbes", publikoi për të dytin vit atë që quhet "30 nën 30", dhe që është lista e sipërmarrësve kryesorë kinezë nën moshën 30 vjeç. Edhe sivjet sipërmarrësit e rinj nga sektori i teknologjisë së lartë zinin pjesën më të madhe të listës, çka do të thotë se manjatët e së ardhmes në Kinë do të jenë në pjesën më të madhe pikërisht nga ky sektor.

Të përfshirët sivjet në këtë listë janë themelues biznesesh që merren me çdo gjë, nga reklamat në rrjet në kompanitë e internetit.

Por Tang Weiwei, një redaktore e "Forbes China" që ishte në grupin që hartoi listën e sipërmarrësve kryesorë kinezë nën moshën 30 vjeç, tha se fillimi i bizneseve lidhur me internetin është duke u bërë gjithnjë e më i vështirë, teksa fitimet jashtë internetit janë shumë më të larta sesa thjesht shitjet në internet.

"Monopoli që gëzojnë gjigandët e internetit i ka ngushtuar seriozisht mundësitë e sipërmarrësve të rinj," vë në dukje Tang. "Numri i bizneseve të nisura nga të rinjtë qëndroi deri diku në vend vitin e kaluar, ndërsa investitorët kanë qenë më të kujdesshëm. Edhe më të apasionuarit pas ideve ose aplikacioneve nuk arritën të marrin investime," shton ajo.

Mosha mesatare e atyre që u përfshinë në listën e sivjetshme të sipërmarrësve kryesorë kinezë nën moshën 30 vjeç është 27 vjeç. Në të vërtetë, "Forbes" harton një listë të tillë për vendet kryesore të botës. Në Shtetet e Bashkuara, më i riu është Nick D'Aloisio, i cili e e themeloi kompaninë e vet të programeve kompjuterike në moshën 17-vjeçare. Ndërsa në Kinë, më i riu është 20 vjeç. Ai është Ji Yichao, i cili ka krijuar kompaninë e tij të internetit "Peak Labs".

Shumë kompani të mëdha, veçanërisht ato të internetit, janë krijuar nga të rinjtë. Gates e themeloi "Microsoft"-in kur ishte vetëm 20 vjeç, Stiv Jobs "Apple"-in kur ishte 21 vjeç, Larry Page "Google" 25 vjeç, Zuckerberg-u "Facebook"-un 20 vjeç. Edhe në Kinë shembuj të tillë janë të shumtë: Ding Lei krijoi "Netease"-in, kompaninë që zotëron portalin e njohur 163.com, kur ishte vetëm 26 vjeç, 27-vjeçari Ma Huateng krijoi "Tencent" -in, 31-vjeçari Robin Li "Baidu"-në. Ndërsa Ji Yichao e krijoi kompaninë e tij të internetit "Peak Labs" vjet, kur ishte 19 vjeç. Ji Yichao ka thyer rekordin e moshës më të re të sipërmarrësve kinezë.


Ji Yichao

Ji Yichao ka pamjen tipike të një studenti të lindur në vitet '90: syze, këmishë, xhinse, atlete... Në takimin e parë është i turpshëm, por kur vjen puna për të folur për kompjuterat, atëherë e gjithë droja zhduket. Kur ishte i vogël shkoi në Shtetet e Bashkuara, por u kthye në Pekin për të ndjekur mësimet në një shkollë të mesme të lidhur me Universitetin e Pekinit, më i miri në Kinë. Aty ai mësoi fillimisht programim kompjuterik, ndërsa më pas e tërhoqën sistemet e operimit. Ndikuar edhe nga Bill Gates e nga miti i "Linux"-it, djaloshi ra në dashuri me kërkimin dhe zhvillimin e këtyre sistemeve.

Në vitin 2011, kur ishte në vitin e fundit të shkollës së mesme, Ji nisi të zhvillonte një shfletues interneti për telefonat celularë, sepse sipas tij, disa prej shfletuesve të internetit që ndodheshin në treg ishin të dobët. E ndonëse ishte mjaft i zënë me mësime, Ji nisi krijimin e "Mammoth 1". Në ato kohë zakonisht çohej që në 3.30 të mëngjesit.

Vjet Ji Yichao nisi studimet në Universitetin e Shkencës e të Teknologjisë së Informacionit të Pekinit dhe krijoi njëkohësisht kompaninë e vet "Peak Labs". Lindja e kompanisë u shënua nga nxjerrja në tetor të vitit të kaluar e tre produkteve, duke përfshirë shfletuesin e internetit "Mammoth 5". "Peak Labs" ka marrë më shumë se 1 milion juanë (160 000 dollarë) investime nga fondi kinez i kapitaleve për bizneset e reja "ZhenFund" dhe firma e investimeve "Sequoia Capital". Deri tani "Mammoth" është shkarkuar nga mbi 500 000 përdorues, duke u bërë një nga shfletuesit e internetit në celular me pagesë më të shkarkuar në botë.

"Më lë me të vërtetë pa fjalë fakti që një i ri nën 20 vjeç ka krijuar krejtësisht vetë një shfletues të tillë kaq interesant. Plani i produkteve të reja i 'Peak Labs' gjithashtu duket interesant," thotë Zhou Hongyi, themeluesi i kompanisë kineze të softuerëve "Qihoo 360 Technology". "Sfida për të tani për tani nuk është vetëm produkti dhe risia teknologjike, por udhëheqësia në biznes."


Ji Yichao

Presidenti kinez Xi Jinping ka paraqitur së fundmi konceptin e "ëndrrës kineze," që ka në bazë të saj rinimin e kombit, përmirësimin e jetës së popullit, zhvillimin e përparimin dhe krijimin e një shoqërie më të mirë. Në mars të këtij viti, kanali i 13-të i Televizionit Kombëtar të Kinës (CCTV) transmetoi në emisionet e lajmeve të mëngjesit një varg kronikash lidhur me sipërmarrësit e rinj, që folën në lidhje me ëndrrën e tyre kineze. Kronika e parë e kësaj serie ishte ajo me titull "Ji Yichao dhe ëndrra e tij kineze". Në të u fol për ëndrrën e 20-vjeçarit dhe përvojën e tij në krijimin e risive në fushën teknologjike.

Në programin e CCTV-së, Ji tha se ëndrra e tij e tanishme është që ta kthejë "Peak Labs" në një kompani të madhe. Ai shprehu gjithashtu shpresën që të gjithë sipërmarrësit e rinj do të gjejnë mundësitë për të çarë përpara dhe do të bëjnë sa mundin për të përmbushur përgjegjësitë e tyre. "Nuk është shumë e vështirë të ëndërrosh," u shpreh Ji Yichao, "por gjëja më e vështirë është që ta kthesh ëndrrën në realitet."

Ji Yichao është ende student, por shumë të rinj kinezë nuk e dinë se çfarë duan të bëjnë as pas diplomimit. Kurse Chen Di ishte ndryshe. Që kur ishte fëmijë ai dëshironte të kishte biznesin e vet. Ishte kjo ëndërr që e bëri që të niste konvikt bashkë me shokët e vet të shkollës të parën kompani të reklamave në internet në Kinën kontinentale, e cila sot është rritur dhe është bërë një nga rrjetet më të mëdha të publicitetit në celular në Kinë.

Ndonëse është vetëm 26 vjeç, ai është bërë tashmë milioner dhe është përfshirë edhe ai në listën e sipërpërmenduar të 30 sipërmarrësve nën 30 vjeç të Kinës. Kjo erdhi si një surprizë e bukur, kur Chen ishte duke festuar ditëlindjen e tretë të kompanisë së vet, "Youmi".

Chen Di ka lindur në Chaoshan të provincës Guangdong në Kinën Lindore. Chaoshan-i është një rajon bregdetar i njohur për shpirtin e sipërmarrjes të banorëve të tij dhe i shpallur "zonë e posaçme ekonomike". Chen Di u frymëzua nga ky shpirt i vendlindjes së vet.

Në të vërtetë, planet e tij në fillim ishin që të punonte në sektorin e pasurive të patundshme ose financë, ndaj kur studionte në vitin e parë të universitetit, nisi të punonte si agjent për një bankë, në biznesin e kartave të kreditit. Chen Di shprehet: "Pasi fillova punë aty, e ndieva se në biznesin tradicional janë të tjerët që të furnizojnë me produktin, pa pasur ndonjë konkurrencë të rëndësishme. Kjo nuk më ngjallte interes."


Chen Di

Chen Di atëherë iu kthye asaj për të cilën po diplomohej, shkencave kompjuterike. Ai mori pjesë në konkurse novacioni të organizuara nga IBM-ja, "Microsoft"-i etj. Këto konkurse i mundësuan të shfaqte talentin e vet dhe aftësitë në shkencat kompjuterike. Ëndrra e Chen-it për të pasur biznesin e vet u bë edhe më e madhe pasi provoi shijen e suksesit nëpërmjet këtyre përvojave.

Chen dhe shokët e tij krijonin programe, por ai sërish kërkonte më shumë. "Disa studentëve u pëlqente procesi i shkrimit të programeve, por unë parapëlqeja ta ktheja teknologjinë në prodhueshmëri," thotë ai.

Në gjykimin e potencialit të biznesit, Chen Di i shihte kompjuterat e mëdhenj si shumë të ndërlikuar për një sipërmarrës të ri, ndërsa kompjuterat personalë si mjaft të zhvilluar e ku nuk mund të kishte vend për të. Dukej sikur kishte ndeshur në një mur të madh të pakalueshëm, derisa kuptoi se tregu i lojërave në celular kishte potenciale të mëdha.

Në vitin 2007 "Apple" nxori smarfonin e vet të parë. Chen Di e pa këtë si një fillim të mbarë për ëndrrën e vet të biznesit.

I nxitur prej blerjes në vitin 2009 nga "Google" të "AdMob", një nga rrjetet më të mëdha në botë të reklamave në celularë, për 750 milionë dollarë, dhe një vit më pas të blerjes nga "Apple" të "Quattro" për 275 milionë dollarë, Chen Di krijoi bashkë me disa shokë platformën e vet të reklamave në celularë në prill 2010, tre muaj para diplomimit, që e quajti "Youmi", duke u bërë zyrtarë kryeekzekutiv i saj. Kjo ishte platforma e parë e publicitetit në celular në pjesën kontinentale të Kinës.

"Nëse nuk do të arrija të bëja diçka të madhe në vitin e katërt në universitet, nuk do të isha në gjendje të ecja me të njëjtin hap me shokët e mi që kanë studiuar në universitetet prestigjioze," thotë Chen.


Chen Di

Por ende kishte një rrugë të gjatë për t'u përshkruar: "Jo shumë kohë pas diplomimit, nisëm të vihemi në kërkim të gjetjes së investimeve. Por askush nuk kishte besim tek ne, kështu që duhej ta mbështetnim ekipin me të ardhura nga punë të tjera. Gjatë këtij procesi, ne madje as nuk u paguam për projektet që bëmë. Zinxhiri i furnizimit me kapitale pothuajse u ndërpre," thotë Chen.

Por sfidat dhe mundësitë gjithmonë vijnë së bashku. Në fillim të vitit 2011, "YouMi" siguroi 10 milionë juanë (1.6 milionë dollarë amerikanë) nga kompania "Angel Investments", që ofron kapitale për fillimin e biznesit, gjë që ishte vendimtare për mbarëvajtjen e "YouMi". Ky fond e ndihmoi ekipin e saj të nisë një produkt të ri "Offerwall". Ndryshe nga reklamat tradicionale, "Offerwall" u bë pjesë e lojërave në celular, duke ofruar shanse për përdoruesit për të marrë pikë. "Offerwall" më në fund arriti fitime të mëdha. "Youmi" ka punuar me më shumë se 5000 uebsajte celularësh dhe mbi 50 mijë lojëra. Ajo mbulon rreth 200 milionë klientë në mbi 600 qytete dhe përdoruesit e apareteve si "iPhone", ashtu dhe "Android", duke siguruar 60 milionë juanë të ardhura (diçka më pak se 10 milionë dollarë). Sivjet objektivi është për fitimin e 80-100 milionë juanëve (13-16 milionë dollarëve). "YouMi" është tani një prej tre kompanive kryesore në këtë sektor në Kinën kontinentale. Partnerët e biznesit të "YouMi" përfshijnë "China Mobile", kompania më e madhe e telefonisë celulare në Kinë, "Taobao"-n, platforma më e madhe e tregtisë në internet, dhe "360buy", një nga uebsajtet më të mëdha kineze të tregtisë në internet.

"Jemi krenarë që kemi filluar të marrim fitime që vjet, çka nuk është e zakonshme në këtë industri," shprehet Chen.

"Biznesi është shumë më tepër se disa reklama të vogla. Zgjidhi çështjen e fitimit të parave nga krijuesit e lojërave, kurse më parë ata nuk kishin para të mjaftueshme as për të blerë ushqim për shokët e tyre të ekipit."

Si një industri në zhvillim, interneti në celular ka potencial të madh dhe publiciteti në celular është zhvilluar shpejt, thotë Hu Jinlong i Qendrës Kërkimore të Inxhinierisë së Rrjetit të Informacionit në Universitetin e Teknologjisë të Kinës Jugore. Përdoruesit e internet në celular tani në Kinë e tejkalojnë numrin e përdoruesve të internetit në linjë fikse, thotë ai. Dhe shton: "Publiciteti është një burim kryesor i të ardhurave për kompanitë e internetit dhe reklamat në internet në celular janë bërë shumë të rëndësishme".

Ndërsa përdoruesit e internetit në linjë fikse kanë arritur diku te 200 milionë, përdoruesit e internetit të lëvizshën i kanë kaluar 850 milionët, 800 milionë nga të cilët përdorues të internetit në celular, sipas Ministrisë së Industrisë dhe të Teknologjisë së Informacionit. Tregu i smartfonave në Kinë mund të rritet me 44 për qind këtë vit, sipas firmës këshillimore të industrisë së informacionit IDC.

Si platforma e parë e reklamave në celularë në Kinë, "youmi.net" inicioi një kategori krejt të re në hapësirën e reklamave në median e re në Kinë. Nga pothuajse zero në vitin 2009, të ardhurat e kësaj industrie në vitin 2012 arritën në 5.52 miliardë juanë (890 milionë dollarë amerikanë). Megjithatë, në krahasim me depërtimin e smartfonave në tregun e ShBA-së, në Kinë ky depërtim është ende i ulët.

Sipas Mary Meeker të "Kleiner Perkins Caufield & Byers", një firmë e specializuar në investimet për kompanitë në fazën e parë të tyre,sot tregu i ShBA-së sjell 1.6 miliardë dollarë, me një depërtim në treg 50 %. Po çfarë do të ndodhë kur depërtimi në treg në Kinë të jetë 50 %? Një llogari e shpejtë duke përdorur ShBA-së si bazë tregon se tregu kinez mund të rritet me 32.3 miliardë juanë (5.2 miliardë dollarë amerikanë) në vetëm disa vjet, teksa gjithnjë e më shumë pajtimtarë të celularëve kalojnë në përdorimin e smartfonave, duke krijuar një treg masiv në të ardhmen shumë të afërt. Pa dyshim, brenda disa vjetëve tregu i reklamave në celular në Kinë do ta lërë pas pjesën tjetër të botës.

Ndërsa smartfonat dhe lojërat e shitjet në celular vazhdojnë të fitojnë popullarit, operatorët e telekomunikacionit dhe kompanitë e mëdha po punojnë për të ndikuar te konsumatori dhe për të zgjeruar pjesën e tyre të tregut.

"Tani kur kompani të rëndësishme kineze të teknologjisë së informacionit, si 'Tencent Holdings" dhe "Baidu" hynë në garë vitin e kaluar, tregu filloi të stabilizohet me një diversifikim në rritje në platforma të ndryshme, thotë Chen. "Tregu krijon më tepër mundësi kur është më i pjekur, me mjete më të shumta për të bërë nëndarjen e tij. Kur nuk mund të konkurronim me 'peshat e rënda", u prirëm nga diversifikimi."

Produktet e "YouMi" janë kopjuar nga më shumë se 20 kompani të tjera, shprehet Chen Di, kështu që "quhet të rinovohemi vazhdimisht, të nxjerrim produkte të reja në kohën e duhur dhe t'i përgjigjemi tregut".

Lidhur me ngjashmëritë ndërmjet kompanisë së tij dhe emrave të tjerë të mëdhenj të teknologjisë së informacionit, Chen Di thotë se të gjithë ata kanë të përbashkët përvojën e hershme të burimeve të kufizuara financiare. Dhe shton: "Unë i shoh stereotipet dhe refuzimet në një mënyrë pozitive, pasi ato të bëjnë më të fortë brenda vetes. Ti nuk varesh nga gjërat e jashtme, por nga zhvillimi e përparimi yt."

"YouMi" do të thotë "të kesh oriz". Chen Di beson se zogjtë që dalin herët prej foleve të tyre e kanë më të lehtë për të gjetur ushqim: "Nëse e bën diçka herët, fiton përvojë dhe ke kohë për të menduar më shumë."

Në tre vjet Chen Di u ngjit nga një student i thjeshtë në zyrtar kryeekzekutiv. Ai nuk ka kohë për argëtim, dëshira e tij e vetme është të bjerë për të fjetur herët.

"Unë mendoj se sipërmarrësit i kushtojnë pak vëmendje shijimit të jetës, sepse ata vështirë se kanë kohë të lirë. Ndonjëherë jeta jonë është e vështirë, por në të njëjtën kohë, ne ndihemi të lumtur, sepse vazhdimisht e sfidojmë veten. Bashkëthemeluesi i 'Facebook'-ut Sean Parker shpjegoi një herë se sa vështirë është të drejtosh një biznes në fillimet e veta. Ai u shpreh: 'Menaxhimi i një biznesi fillestar është si të hash xham. Kur ja xham fillon të të pëlqejë shija e gjakut tend,'" shprehet Chen

Chen thotë se ai ende nuk e ka kaluar sfidën më të madhe, por ajo ende ndodhet përpara tij:

"Interneti i lëvizshëm ofron mundësi të mëdha për brezin tonë. Ne u rritëm me shpikjen e internetit në celular. Ne jemi vërtet të rinj, e megjithatë tashmë jemi veteranë në këtë biznes. Me themelet e hedhura nga ekipi ynë dhe me përpjekjet e përbashkëta të të gjithëve ne, tani po përparojmë në një rrugë të qëndrueshme.

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China