PËR NE  VEND PUNE
      
cri albanian.cri.cn
Faqja e parë | Lajme | Kina Sot | Fokus ekonomik | Kultura | Kozmopolit | Shëndeti | Fjala në Lajm | Koment për RJK Muzikë | Revista "Ejani"
Xi Jinping: Kina, më shumë investime jashtë vendit
2013-04-09 20:18:02 CRI Komenti juaj Printoni

Në fjalimin e vet në ceremoninë e hapjes së Forumit Aziatik të Boaos për vitin 2013, kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping vuri në dukje se Azia dhe rajonet e tjera të botës po punojnë së bashku për të përballuar krizën financiare globale dhe se Azia është bërë motor i rëndësishëm për mëkëmbjen dhe rritjen e ekonomisë botërore. Vitet e fundit përqindja e kontributit të këtij kontinenti në ekonominë botërore e ka kaluar nivelin mbi 50 %, duke i sjellë botës shtimin e besimit.

Z. Xi Jinping deklaroi në fjalimin e vet që Kina do të ruajë prirjen e rritjes së shëndetshme ekonomike, do të zgjerojë kërkesën e brendshme dhe do të shtojë investimet jashtë vendit. "Sipas parashikimeve, në pesë vjetët e ardhshëm investimet kineze në tregun ndërkombëtar do të arrijnë në 500 miliardë dollarë amerikanë," u shpreh Xi.

Lidhur me fjalët e kryetarit të shtetit të Kinës, veçanërisht për zgjerimin e konsumit dhe shtimin e investimeve, drejtori i Qendrës Studimore pranë Grupit "Merchant Securities" Xie Yaxuan u shpreh se shtimi në përmasa të mëdha i investimeve kineze në tregun botëror do të ndikojë së paku në katër drejtime në ekonominë e Kinës:

"Së pari, pas akumulimit të pasurisë, qytetarët kinezë duhet ta rikonfigurojnë atë në mbarë botën. Shtimi i investimeve do të mbulojë kërkesat në këtë drejtim. Së dyti, një gjë e tillë do t'i ndihmojë ndërmarrjet kineze në shfrytëzimin e burimeve të brendshme dhe të jashtme, veçanërisht të burimeve që mungojnë në Kinë, si toka, uji, burimet e mjedisit dhe risitë teknologjike. Gjithashtu, kjo do të nxitë edhe rritjen e ekonomisë botërore dhe do të ngrejë nivelin e përgjithshëm të ofertës në Kinë. Së treti, me shtimin e investimeve jashtë vendit, Kina mund të ekuilibrojë bilancin e vet tregtar. Dhe së fundi, me shtimin e investimeve në tregun e huaj, hartuesit e politikave makroekonomike do t'u kushtojnë më shumë vëmendje luhatjeve të jashtme dhe rrjedhimisht edhe stabilitetit të ekonomisë dhe të sistemit financiar të vendit."

Përpara Kinës ndodhen jo vetëm shanse për zgjerimin ekonomik, por edhe një problem, që njihet si problemi i borxheve. Por ish-ministri i Financave i Kinës Xiang Huaicheng mendon që, duke përfshirë edhe ato lokale, niveli i borxheve në Kinë tani ndodhet pranë nivelit 40 %, por shumica e tyre janë borxhe të brendshme, prandaj sipas tij ky nuk përbën ndonjë problem të madh.

Xie Yaxuan është i një mendjeje me Xiang Huaicheng-un, por bën tre propozime:

"Në bazë të gjendjes së tanishme, ky mendim për nivelin e borxheve është i drejtë, por, nga perspektiva afatgjatë, duhet të ruajmë vigjilencën. Së pari, në të ardhmen, duke u bazuar në rritjen e balancuar, duhet t'i kushtojmë më shumë rëndësi stabilitetit në tatimet dhe të ardhurat fiskale. Së dyti, duhet të rregullohet sa më shpejtë lidhja mes shpenzimeve të sigurimeve shoqërore dhe shpenzimeve fiskale. Së treti, duhet të marrim masa kontrolli, për të ngritur nivelin e transparencës në nivelin e borxheve dhe mënyrat e financimit."

Përveç besimit të plotë për të ardhmen ekonomike të Kinës, kryetari Xi Jinping foli në Forumin e Boaos edhe për mënyrën si i kupton ai rreziqet e mundshme para ekonomisë globale. Ai vuri në dukje se tani ekonomia globale është futur në një fazë rregullimi dhe mëkëmbja është plot me zigzage, posaçërisht në fushën financiare, ku ende ka rreziqe të shumta. Ndërkohë, po rritet proteksionizmi tregtar dhe rregullimi strukturor në vendet e ndryshme po përballet me vështirësi. "Prandaj, kemi ende një rrugë të gjatë dhe një detyrë të vështirë për zhvillimin e përbashkët," u shpreh kreu i shtetit i Kinës në fjalën e vet në Forumin Aziatik të Boaos. (Jiang Lei/Artani)

Mrekulli
Komenti im
Forum

Sondazh me dëgjuesit për dy sesionet e vitit 2015 në Kinë

Voto tani, shijo falas më vonë
Artikuj top
Rubrika top
China Radio International.CRI. All Rights Reserved.
16A Shijingshan Road, Beijing, China