Energjia solare fotovoltaike ka një potencial të lartë, që nga energjia solare edhe praktikisht është burim i palimituar dhe i disponueshëm në çdo vend. Prandaj është një lehtësi mjaft e madhe shpërndarja dhe gjenerimi i energjisë elektrike shumë afër konsumatorit, kudo nëpër botë.
Shqipëria konsiderohet nga ekspertët si një nga vendet me konsumin më të lartë për banorë të energjisë, kjo duke e krahasuar atë me rajonin. Përballë krizave të njëpasnjëshme dhe një konsumi të lartë të energjisë, e cila në rreth 40% (në rastet e një moti me rreshje) sigurohet nga importi, rruga më e drejtë vlerësohet ajo e vënies në punë të burimeve të tjera, alternative të energjisë. Ndryshe nga vendet e tjera perëndimore, Shqipëria, ka një përdorim tejet të ulët të energjisë diellore, si një nga format e burimeve alternative. Shifrat tregojnë se në Shqipëri raporti i vendosjes së kolektorëve diellorë është 0.1 metër katrorë për 1000 banorë, ndërkohë që në vende të tjera kjo shifër është deri në 20 metra katrorë për 1000 banorë.
Përdorimi i energjisë diellore mund të shërbejë për prodhimin e ujit të ngrohtë për nevojat sanitare në sektorët rezidencial, hoteleri, spitalor dhe për nevojat teknologjike në sektorin industrial (industria ushqimore), si edhe për gjenerimin e energjisë elektrike.
Shqipëria pranohet që është një vend me kushte klimatike shumë të favorshme për shfrytezimin në shkallë të gjerë të energjisë diellore. Sipas ekspertëve, për këtë ndikojnë intensiteti i lartë i rrezatimit diellor, kohëzgjatja e këtij rrezatimi, temperatura dhe lagështia e ajrit etj.