Sektori i naftës është një nga më premtuesit për zhvillimin e ekonomisë shqiptare. Afrimi i investuesve të mëdhenj ndërkombëtarë, të tërhequr sidomos nga depozitat e pranishme nën Adriatik, do të sjellë pasoja në të gjithë sektorët të lidhur në një farë mënyre me zhvillimin e infrastrukturave, përfshi edhe atë turistike.
Sipas disa parashikimeve, Shqipëria mund të mbështetet në resurse që vërtiten në rreth 1 miliard fuçi, gjë që mund të risjellë zhvillimin ekonomik duke sjellë përfitime sidomos në sektorin e infrastrukturave. Kontratat e nënshkruara me kompanitë e huaja parashikojnë që në "xhepat" e shqiptarëve të hyjë 10% e të ardhurave mbi produktin bruto dhe 50% të atyre për shitjen e naftës.
Ravin Maharajah, partner i "Lalzit Bay Resort & Spa", një kompleks rezidencial me pesë yjë në bregun adriatik, pohon se shpresat për një "bum" të naftës në Shqipëri janë tepër të larta. Investimet e huaja të ardhura nga gjigantë si "Shell", apo "Petromanas" nuk mund të mos rriten, duke sjellë impakt të ndjeshëm mbi ekonominë. Ndërkaq, falë kontributit të Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, është nisur një projekt rinovimi për rrjetin hekurudhor. Vëmendje e veçantë i kushtohet aksit Tiranë-Durrës, në afërsi të të cilit banon 40% e popullatës shqiptare.
E gjithë kjo duhet të sjellë përfitime edhe në sektorin turistik, tjetër degë mbi të cilën synohet të ndërtohet zhvillimi ekonomik shqiptar në dekadat e ardhshme. Ndër të tjera, numri i atyre që shkojnë për të kaluar pushimet e tyre në Shqipëri, vazhdon të rritet, teksa vërehet një trend që në vitet e ardhshme duhet të konfirmohet, falë investimeve në infrastrukturat e transportit.
Aktivizimi i kompanive private në sektorin e naftës bruto ka rritur prodhimin. Shtohen edhe fitimet neto.
Prodhimi i naftës bruto në Shqipëri pësoi rritje të konsiderueshme,si pasojë e hyrjes në fazën e prodhimit të disa kompanive të reja që gjatë vitit të kaluar qenë ende në fazën e investimit.