Kryeministri i vendit Edi Rama, i cili ishte i pranishëm në ceremoninë e organizuar me rastin e hapjes së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Kinë, e konsideroi atë si një moment që shënon një stacion të ri drejt një rrugëtimi të qendrueshëm ekonomik.
Rama u shpreh me besim se kjo dhomë do të jetë një pikë takimi dhe zhvillimi ndaj qeverisë shqiptare për ta bërë këtë rrugëtim sa më të lehtë.
"Kjo dhomë do të jetë një pikë takimi shumë e vlefshme për protagonistët e zhvillimit ekonomik të vendit. I uroj suksese kësaj Dhome Tregtie të shumëpritur në mjedisin e ekonomisë shqiptare dhe shpreh gjithë vullnetin tim dhe qeverisë për t'u hapur pa humbur kohë të gjitha zyrat e nevojshme atyre që duan të vijnë të investojnë në Shqipëri", tha kryeministri Rama.
Ndërsa ambasadori i Kinës në Tiranë Ye Hao tha se marrëdhëniet tregtare ndërmjet dy vendeve kanë shënuar një rritje prej 11.6 % në vlerën 487 milion dollarë amerikanë vitin e kaluar.
I pranishëm në këtë ceremoni ishte dhe zv/kryeministri Niko Peleshi, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, personalitete të tjera të vendit si dhe përfaqësues të biznesit. (Top Channel)


















