Në pjesën kontinentale të Kinës është konfirmuar një rast i ri i virusit H7N9 të gripit të shpendëve. Bëhet fjalë për një paciente 61-vjeçare nga zonat rurale. Gjendja e saj shëndetësore është e rëndë dhe ajo po trajtohet intensivisht në spital.
Zv/drejtori i Spitalit Chaoyang, Tong Zhaohui tha se u bënë analizat në bashkëpunim edhe me ekspertët përkatës dhe u arrit në konkluzionin se gjendja mund të përkeqësohet.
Sipas drejtorit Tong, organet kryesore të kësaj pacienteje po dobësohen dhe mjekët kanë hartuar një plan të posaçëm për trajtimin e saj. Ndërkohë, autoritetet kanë bërë analizat dhe izolimin e personave të cilët kanë patur kontakte të ngushta me këtë paciente. Sipas të dhënave paraprake, asnjë person nuk ka temperaturë të lartë apo simptoma të gripit të shpendëve.
Ky është rasti i parë pas 29 majit, kur u konfirmua gripi i shpendëve në Kinë, ose qin liugan në kinezisht. Më parë, ekspertët menduan që me rritjen e temperaturës, virusi i gripit H7N9 do të eliminohej gradualisht, por ky rast i ri mund të konsiderohet si një surprizë.
Për këtë, zv/drejtori i spitalit Chaoyang Tong Zhaohui thotë se "një grip i zakonshëm shpeshherë ndodh në stinët me temperaturë të ulët, si në dimër ose në pranverë. Por ky rast u regjistrua në verë, çka tregon se duhet të vijojnë kërkimet për këtë lloj gripi, pasi nuk ka shumë eksperiencë. Tong shton se do të kryhen analizat e mëtejshme, si p.sh, krahasimi i ADN-së me pacientët që ndodhen në jug të vendit.
Drejtori i Qendrës Kombëtare për Gripin, Shu Yuelong u shpreh se rrugët e infektimit ende janë nga shpendët te njeriu dhe nuk ka patur raste të infektimit nga njeriu te njeriu.
"Si edhe në rastet e kaluara, ky tip virusi transmetohet mes kafshëve dhe shpendëve. Njerëzit janë infektuar pasi kanë patur ndonjë kontakt me ta. Rruga e infektimit është njësoj si në muajin prill. Njerëzit infektohen pas kontaktit me kafshët dhe shpendët," u shpreh Shu Yuelong.
Për shqetësimet se gripi i shpendëve (qin liugan në kinezisht) mund të kalohet mes njerëzve, drejtori Shu Yuelong thotë se deri tani, nuk ka asnjë fakt për një gjë të tillë.
Por ekspertët sugjerojnë që të mos ulet niveli i alarmit dhe t'i kushtohet rëndësi virusit H7N9. Feng Zijian, drejtori i Emergjencave të Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Sëmundjeve, këshillon se meqë masat e marra në të shkuarën kanë patur efekte të dukshme, duhet të zbatohen në mënyrë më praktike masat parandaluese.
(Jiang Lei)