Liga e Kampioneve, "Liverpuli" përballë "Barcelonës" pa dy sulmuesit e vet kryesorë

2019-05-07 18:39:33 CRI Komenti juaj Printoni

 

Në Ligën e Kampioneve të Europës në futboll, "Liverpuli" dhe "Barcelona" do të zhvillojnë të martën në mbrëmje ndeshjen e tyre të dytë gjysmëfinale.

"Barça" e ka fituar ndeshjen e parë në Spanjë 3-0.

Gjërat për "Liverpulin" përkeqësohen edhe nga fakti se Mohamed Salah do të mungojë në këtë ndeshje.

Egjiptiani - golashënuesi kryesor i këtij sezoni në "Premier Ligë" - u përplas me portierin në fitoren 3-2 të së shtunës ndaj "Newcastle" dhe dëmtimi do ta mbajë atë jashtë përballjes në "Anfield".

Roberto Firmino gjithashtu nuk do të luajë për shkak të një lëndimi muskulor, që do të thotë se dy nga sulmuesit kryesorë të "Liverpulit" do ta shohin ndeshjen nga stoli.

Megjithatë, trajneri i "të kuqve" Jurgen Klopp shpreson që skuadra e tij do t'ua vështirësojë kalimin në finale Lionel Messit dhe shokëve të tij:

"Dy nga sulmuesit më të mirë në botë nuk janë në dispozicion nesër mbrëma ... dhe ne duhet të shënojmë katër gola kundër 'Barcelonës' për të kaluar pas 90 minutash. Kjo nuk e bën jetën më të lehtë, por gjithsesi, përderisa kemi 11 lojtarë në fushë, atëherë do ta provojmë dhe të gjithë e dinë këtë. Kjo është ajo që duam të tregojmë dhe asgjë tjetër".

Nga ana tjetër, "Barcelona" nuk mund ta harrojë se shpërdoroi një epërsi prej tre golash në çerekfinalen e sezonit të kaluar me "Romën", kur humbi ndeshjen e dytë 3-0 dhe u eliminua për shkak të pësimit të një goli në fushën e vet.

Sulmuesi i "Barcelonës" Luis Suarez thotë se ata nuk do të marrin fitoren si të mirëqenë këtë herë:

"Mendoj se duhet të jeni të vetëdijshëm që, pavarësisht nga një rezultat i mirë në ndeshjen e parë, ne kemi marrë goditje të fuqishme, sidomos vitin e kaluar. Kështu që ne do ta mbajmë në mendje se ç'ndodhi vitin e kaluar kur të hyjmë në fushë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se ata kanë edhe një lojtar të 12-të - tifozët - që janë pothuajse një lojtar shtesë".

Nëse kalojnë në finale, kampionët spanjollë do të kenë si objektiv një 'treble', pra një fitore të trefishtë, teksa janë edhe në finalen e "Kupës së Mbretit" përballë "Valencia"-s, përpara një paraqitje të mundshme në finalen e Ligës së Kampioneve në Madrid.

Mrekulli
Lajmet Kryesore