Loretta Claiborne, kampionia e Olimpiadave Speciale

2019-03-15 16:00:50 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 14 deri në 21 mars zhvillohet në Abu-Dabi të Emirateve të Bashkuara Arabe Olimpiada Speciale Verore Botërore, një ngjarje shumësportëshe për sportistët me aftësi të kufizuara intelektuale. Lojërat Olimpike Speciale Botërore zhvillohen çdo dy vjet dhe alternohen midis Lojërave Verore dhe Dimërore, duke pasur një kalendar të ngjashëm me Lojërat Olimpike dhe Paralimpike. Qëllimi i tyre është për të treguar aftësitë dhe arritjet e njerëzve me aftësi të kufizuara intelektuale në skenën globale.

Protagonistja e emisionit tonë të sotëm është një atlete amerikane që ka marrë pjesë në 6 Olimpiada Speciale qysh nga viti 1970, duke fituar gjashtë medalje të arta e tre të argjendta në disiplina të ndryshme, përfshirë vrapim, maratonë dhe patinazh artistik, e duke vazhduar konkurrimin edhe deri në ditën e sotme. Ajo ka vrapuar në 26 maratona deri më tani në jetën e saj dhe ka konkurruar në mbi 300 lojëra speciale vendore ose shtetërore në Pensilvani të ShBA-së. Ajo mban edhe rripin e zi të gradës së katërt në karate dhe është trajnere për shumë sporte, si ski, sporte uji, atletikë, basketboll, bouling, patinazh artisitk, golf, futboll, softboll dhe tenis. Ajo është Lorreta Claiborne.

Loretta Claiborne ishte një prej shtatë fëmijëve të një familjeje të varfër me një prind. E lindur pjesërisht e verbër dhe me aftësi të kufizuara intelektuale, ajo nuk ishte në gjendje të ecte ose të fliste deri në moshën katërvjeçare. E megjithëkëtë, më në fund ajo filloi të vrapojë. Dhe jo pak. Ajo kaloi vijën e mbërritjes në 26 maratona, duke dalë dy herë ndër 100 vrapueset femra të para në Maratonën e Bostonit. Ajo e prezantoi presidentin e atëhershëm amerikan Bill Klinton në Olimpiadën Speciale Botërore Verore të vitit 1995. Pikërisht në këtë olimpiadë ajo fitoi medalje në disa disiplina dhe është ende rekordmbajtëse në vrapim 5000 metra për grupmoshën e saj, me kohën 17 minuta.

Sot, Claiborne është një atlete e famshme, i cila u nderua në vitin 1996 me Çmimin "ESPY Arthur Ashe për Guximin" të ESPN-it. Mbi bazën e jetës së saj kompania e famshme kinematografike "Walt Disney" ka prodhuar filmin "Historia e Loretta Claiborne-it", ndërsa shtëpia botuese "WorldScapes" ka botuar biografinë e Loretta Claiborne-it me titull "Hapi i saj i madh". Duke marrë parasysh të gjitha arritjet e Claiborne-it, këta janë vetëm hapa të vegjël në krahasim me misionin e saj të përjetshëm, që është për të treguar barazinë e njerëzve me aftësi të kufizuara intelektuale dhe fizike me njerëzit normalë.

"Unë arrita të kuptoj se nëse historia ime mund të ndryshonte mendimin e një njeriu për një tjetër, ose sidomos mendimin e një fëmije për një fëmijë tjetër, atëherë kjo ishte gjëja e duhur për t'u bërë", thotë Claiborne. Tani, në mes të të gjashtëdhjetave, ajo kujton kohën kur fëmijët e tjerë talleshin me të pse ishte e ndryshme nga ata, dhe se si tallje të tilla e ndryshuan vetë atë, në një të re të zemëruar, që e dëbuan nga shkolla e mesme dhe e larguan nga puna. Megjithëse ajo donte të vraponte dhe ta përdorte shpejtësinë dhe forcën e saj për ta mbrojtur veten në zënkat me shokët e vet të pamëshirshëm të klasës, Loretta Claiborne shprehet se ishin Lojërat Speciale Olimpike që e ndihmuan të kuptojë se talenti i saj i shkëlqyer atletik mund të përdoret për të bërë gjëra të mira.

Claiborne u njoh për herë të parë me Lojërat Speciale Olimpike nga punonjësja sociale Janet McFarland. Ajo i është shumë mirënjohëse McFarland-it, si dhe familjes, komunitetit, trajnerëve, themelueses së Olimpiadës Speciale Eunice Kennedy Shriver dhe shpirtit të saj të fortë, që e bindën atë për t'u bërë një atlete e nivelit botëror.

"Po të mos ishte sporti, unë nuk do të isha bërë ai njeri që jam sot. Isha shumë e zemëruar dhe sporti ishte arena që më shndërroi," thotë Claiborne. "Kam mbështetje nga familja, komuniteti dhe Perëndia - ai është forca e të gjithave dhe mund të bëjë gjithçka të mundur". Filmi "Historia e Loretta Clabiborne-it" jo vetëm përshkruan udhëtimin e saj personal dhe shpirtëror, por edhe personalitetin e saj të gëzuar.

"Me fjalë më të thjeshta, ka të bëjë me mundësinë," thotë producentja ekzekutive e filmit Suzanne de Passe. "Jeta e Loretta Claiborne-it është inkurajuese dhe e mbushur me ndjenjën e përtëritjes. Por nuk është pa humor. Personaliteti i saj është i angazhuar dhe i këndshëm. "

Vrapi nuk është e vetmja gjë në jetën e Claiborne-it. Ajo mban rripin e zi të gradës së 4-t në karate, komunikon në katër gjuhë, duke përfshirë gjuhën amerikane të shenjave, dhe mban dy grada "doktor nderi", nga Universiteti Quinnipiac dhe nga Universiteti Villanova. Kjo e bën atë njeriun e parë me aftësi të kufizuar intelektuale që merr vlerësime të tilla.

Megjithatë, Claiborne thotë se pjesa më shpërblyese në jetën e saj ka qenë përfshirja në Lojërat Olimpike Speciale. Ajo dëshiron të vazhdojë të ndihmojë njerëzit me aftësi të kufizuara intelektuale dhe fizike. "Gjeni një mundësi dhe kapeni atë. Bëhuni sa më të mirë që të mundeni, dhe mos lini kurrë ndonjë tjetër të dyshojë te ju," këshillon Loretta.

Claiborne vrapon çdo ditë - shpesh rreth pesë milje, edhe kur ka planifikuar të vrapojë vetëm tre ose katër milje. Vetëm për kënaqësi, për kënaqësinë e momentit. Kjo është mënyrë si e jeton jetën e saj. "Unë nuk shoh në të vërtetë drejt së ardhmes, sepse kurrë nuk e di se çfarë do të të sjellë e nesërmja", thotë ajo. "Duhet ta jetoni jetën tuaj sot."

Mrekulli