Zheng Haixia, gjigantja e basketbollit kinez

2018-09-28 15:05:03 CRI Komenti juaj Printoni

Në Tenerife të Spanjës mbyllet të dielën Kupa e Botës e Basketbollit të Femrave, e njohur më parë si Kampionati Botëror i Basketbollit për Femra. Një paraqitje të mirë në këtë veprimtari ka bërë edhe ekipi kinez. Në historinë e basketbollit kinez të femrave spikat veçanërisht një emër. Ajo është Zheng Haixia. Ajo vlerësohet si basketbollistja më e mirë kineze në histori dhe pa dyshim ndër më shtatlartat në historinë e basketbollit në botë. Zheng Haixia e ka ndihmuar skuadrën e Kinës të marrë medaljet e argjendta olimpike dhe të shpallet nënkampione bote. Ajo është basketbollistja e parë kineze, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, që ka luajtur si profesioniste në ShBA, duke vijuar edhe pas 20 vjetësh të jetë e dyta në historinë e kampionatit amerikan të basketbollit të femrave për sa i përket saktësisë së gjuajtjeve nga fusha.

Zheng Haixia, e para nga e majta.

Zheng Haixia ka lindur në Zhecheng të provincës Henan në vitin 1967. Për shkak të shtatit të lartë ajo nisi të luajë basketboll që 12 vjeçe. Në vitin 1982 Zheng Haixia u bë pjesë e ekipit kombëtar të të rejave të Kinës, kurse një vit më pas, në moshën 16-vjeçare, kaloi me të rriturat. Po atë vit ekipi kinez mori medaljen e bronzit në kampionatin botëror. Një vit më pas Kina do të siguronte përsëri një medalje të bronztë, por këtë herë në një veprimtari edhe më të rëndësishme, në Olimpiadën e zhvilluar në Los Anxheles.

Në vitin 1986 ekipi kinez i femrave në basketboll fitoi medaljet e arta në Lojërat Aziatike të Seulit, ndërsa në edicionin e ardhshëm të kësaj veprimtarie, të zhvilluar në vitin 1990 në Pekin, ekipi kinez mori medaljen e argjendtë.

E argjendtë do të ishte edhe medalja që do të bënte të vetën pas dy vjetësh Kina në Olimpiadën e Barcelonës, nën udhëheqjen e Zheng Haixia-së, por paraqitja më e mirë në karrierën e basketbollistes gjigante 2.06 m të gjatë do të ishte pas dy vjetësh të tjerë, kur Kina do të merrte një tjetër medalje të argjendtë, këtë herë në kampionatin botëror në Australi. Zheng Haixia shënoi në atë kampionat një mesatare prej 26.4 pikësh për ndeshje, me një saktësi të jashtëzakonshme prej 83.5 për qind në gjuajtjet nga fusha, duke u shpallur lojtarja më e vlefshme e turneut, titullin homolog të të cilit për meshkuj askush prej basketbollistëve kinezë nuk ka arritur ta fitojë.

Në Olimpiadën e Atlantës.

Në vitin 1997 Zheng Haixia u bë po ashtu e para basketbolliste kineze, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, që filloi të luajë si profesionte në ShBA, duke u bërë pjesë e ekipit "Sparks" të Los Anxhelesit. Vetëm pesë vjet më vonë bashkatdhetari i saj Yao Ming do të niste të luante në NBA me "Rockets" të Hjustonit. Zheng Haixia po ashtu u bë e para basketbolliste aziatike që luante në WNBA, siç njihet Kampionati Kombëtar i Basketbollit të Femrave në ShBA. Shoqja e saj e ekipit Rhonda Windham ka kujtuar: "Kisha luajtur më parë kundër Zheng Haixia-së. Ishin Lojërat Universitare Botërore të vitit 1987 në Jugosllavi. Ne ishim 20 pikë pas Kinës, dhe trajnerja na vuri që të pesta të markonim Zheng Haixia-në. Ne fituam me dy pikë. Por ishte e mahnitshme. Kur ajo doli për nxehje para ndeshjes, trajnerja jonë, Linda Sharp, ishte ulur në stol dhe tha se mund të ndiente fushën që dridhej.''

Zheng Haixia luajti vetëm dy sezone për "Sparks", megjithatë që në sezonin e parë arriti një saktësi prej 61.8 % në gjuajtjet nga fusha, duke zënë vendin e parë. Po atë sezon Zheng Haixia vendosi rekord për numrin e pikëve të shënuara nga një basketbolliste e "Sparks"-it në një ndeshje të vetme, 28 të tilla. Paraqitja e mirë e saj vazhdoi edhe në sezonin e dytë dhe basketbollistja kineze u rendit në vendin e dytë për sa i përket saktësisë në gjuajtjet nga fusha në historinë e Kampionatit Kombëtar Amerikan të Basketbollit të Femrave.

Zheng Haixia është fituesja e parë e Çmimit të Sportivitetit "Kim Perrot", i cili i jepet basketbollistes së WNBA-së që "mishëron idealet e sportivitetit në fushën e lojës: sjellje etike, lojë të ndershme e integritet".

Pas lënies së basketbollit si sportiste, Zheng Haixia u bë trajnere e ekipit të basketbollit të të rejave të Ushtrisë Çlirimtare Popullore, duke përgatitur brezin e ri të lojtareve, të cilat ajo shpreson se do ta çojnë më lart nivelin e basketbollit kinez të femrave. (Artan Goga)

Mrekulli
Lajmet Kryesore