Mirela Manjani, rekordmenia e dy vendeve

2018-08-09 17:20:02 CRI Komenti juaj Printoni

Në Berlin të Gjermanisë mbyllet nesër Kampionati Europian i Atletikës. Shqipëria përfaqësohet në këtë veprimtari nga Luiza Gega në vrapimin 3000 metra me pengesa dhe Izmir Smajlaj në kërcimin së gjati. Të dy atletët shqiptarë kanë ardhur në këtë veprimtari pas rezultateve pozitive të arritura sivjet. Ata morën medalje të arta në Kampionatin Ballkanik të Atletikës së Salla të Mbyllura të zhvilluar në shkurt në Turqi, ndërkohë që muajin e kaluar Gega fitoi medaljen e artë në Lojërat Mesdhetare në Spanjë. E ndërsa Smajlaj është kampion Europe në kërcimin së gjati në salla të mbyllura, titull të cilin e fitoi vitin e kaluar, 30-vjeçarja Gega është nënkamponia e Europës në fuqi, suksesi më i madh i atletikës shqiptare të femrave deri tani. Megjithatë, një tjetër atlete shqiptare është shpallur tashmë kampione Europe, por për ngjyrat e një shteti tjetër, Greqisë, në disiplinën e hedhjes së shtizës. Për më tepër, ajo është fituese e dy titujve kampione bote dhe e dy medaljeve olimpike, një të argjendtë dhe një të bronztë, gjithnjë për Greqinë. Ndërkohë për Shqipërinë ajo ka fituar titujt kampione Ballkani për të reja e të rritura dhe nënkampione Europe për të reja. Ajo gjithashtu vazhdon ende të mbajë rekordin kombëtar të Shqipërisë, edhe pse ka më shumë se 20 vjet që e ka vendosur atë, teksa ka vendosur edhe rekordin kombëtar të Greqisë, duke u bërë kështu ndër të paktët sportistë në botë që mbajnë rekordet e dy vendeve. Ajo është Mirela Manjani.

Mirela Manjani ka lindur në Durrës në vitin 1976. Ajo e nisi sportin që e vogël, me ekipin e qytetit të saj, "Lokomotivës" (sot "Teuta"). Si çdo fillim, nuk e ishte e lehtë, aq më tepër në një disiplinë të tillë që kërkon forcë si hedhja e shtizës. Ja si kujton trajneri i saj i parë Enver Mysja në një shkrim të tij të botuar në gazetën "Sporti": "Ai fillim kishte të vështirën e tij. Shtiza me të cilën stërvitej Mirela ishte dy herë më e gjatë. Dhe e para hedhje e Mirelës vetëm … 12 m. Ishte kontakti i parë me këtë vegël."

Por shpejt Mirela do të tregonte se ishte një talent mjaft premtues.
Në vitin 1990 ajo theu rekordin kombëtar në hedhjen e çekiçit për moshën 14-vjeçare, rekord i cili vazhdon edhe sot. Në vitet në vijim Mirela vazhdoi thyerjen e rekordeve përkatëse për moshat, derisa do të vinte viti 1994, kur 18-vjeçarja durrsake do të shpallej dy herë kampione Ballkani, një herë për të reja, duke thyer edhe rekordin kombëtar me 57.20 metra, e më pas edhe për të rritura.
Një vit më pas Mirela Manjani do të thyente përsëri rekordin kombëtar me një rezultat të nivelit botëror, 62.40 metra, që do ta bënte atë atleten e parë shqiptare, si për meshkuj, ashtu edhe për femra, që merrte pjesë në një kampionat botëror, pikërisht në atë që u zhvillua në Goteborg të Suedisë. Po në vitin 1995 ajo do të arrinte një tjetër sukses, duke u shpallur nënkampione e Europës për të reja në Hungari.
Në mars të vitit 1996, në një takim në Alabama të ShBA-së, Mirela Manjani shënoi përsëri rekord kombëtar, me 62.46 metra, rekord i cili mbetet i pasfiduar deri sot. Atë vit ajo gjithashtu mori medaljen e artë në Kupën e Europës të Atletikës, e njohur edhe si Kupa "Bruno Zauli", si edhe përfaqësoi Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Atlantës, duke qenë edhe mbajtëse e flamurit kombëtar në ceremoninë e hapjes. Këtu do t'i vinte edhe fundi konkurrimit të Manjanit në emër të Shqipërisë.

Pas martesës me peshëngritësin nga Shqipëria Jorgo Xhelili, i cili ishte bërë nënshtetas grek, edhe Mirela Manjani mori nënshtetësinë greke dhe duke filluar nga viti 1997 filloi të përfaqësojë Greqinë. Me ngjyrat e Greqisë Manjani do të fitonte dy herë titullin kampione bote, të parin në Sevilje të Spanjës në vitin 1999 dhe të dytin katër vjet më pas në kryeqytetin francez Paris, kur me rezultatin 66.52 metra Mirela Manjani vendosi gjithashtu edhe rekord botëror. Ndërkohë, në vitin 2001 në Edmonton të Kanadasë Manjani u shpall nënkampione bote. Një vit më pas, në Mynih të Gjermanisë atletja me origjinë shqiptare u shpall edhe kamione Europe.
Të spikatura do të ishin edhe përfaqësimet olimpike të Mirela Manjanit. Në Olimpiadën e vitit 2000 në Sidnei ajo fitoi medaljen e argjendtë me 67.51 metra, duke vendosur rekordin kombëtar të Greqisë në hedhjen e çekiçit për femra. Ndërkohë katër vjet më pas, kur Lojërat Olimpike zhvilloheshin pikërisht në Greqi, Manjani arriti të fitojë vetëm medaljen e bronzit, me 64.29 metra.


Kjo mund të thuhet se shënon edhe fundin e karrierës së Mirela Manjanit. E megjithatë, ajo vazhdon të jetë e pranishme me rekordet e saj ende të pathyera si në Shqipëri, ashtu edhe në Greqi, tregues i faktit të madhështisë së saj si sportiste.

Mrekulli