Eddy Merckx, "kanibali" i çiklizmit

2018-07-27 11:13:32 CRI Komenti juaj Printoni

Të dielën mbyllet Turi i Francës, një nga veprimtaritë më të rëndësishme të çiklizmit botëror. Natyrisht çiklistët francezë janë ata që e kanë fituar më shpesh këtë veprimtari që zhvillohet në atdheun e tyre, plot 36 herë, të pasuar nga çiklistët e vendit fqinj, Belgjikës, që kanë arritur gjysmën e numrit të fitoreve të francezëve, pra 18 herë. Por është pikërisht një çiklist belg që jo vetëm ka dalë më shumë herë triumfues në Turin e Francës, bashkë me tre çiklistë të tjerë, nga pesë herë secili, po ka edhe numrin më të madh të etapave të fituara në këtë tur, plot 34 të tilla, duke ndarë me dy çiklistë të tjerë rekordin për numrin më të madh të etapave të fituara në një edicion, nga tetë të tilla. Ai ka numrin më të madh të ditëve kur ka mbajtur bluzën e verdhë në Turin e Francës, bluzë të cilën e mban çiklisti që ka kohën më të mirë të përgjithshme, duke e veshur 111 herë këtë bluzë. Për të është thënë se është çiklisti më i madh dhe më i kompletuar në histori, i cili gjithsesi e linte më të mirën e vet për Turin e Francës. Por kjo nuk e pengoi të fitonte edhe dy veprimtaritë e tjera të rëndësishme, Xhiron e Italisë dhe Vueltan e Spanjës, duke u bërë kështu çiklisti që ka fituar numrin më të madh të tre Tureve të Mëdha, gjithsej 11 herë. Ai gjithashtu është shpallur katër herë kampion bote. Ai është Eddy Merckx (Edi Mërks), i njohur edhe me nofkën "Kanibali", sepse i "përpinte" të gjithë kundërshtarët që i dilnin përpara.

Eddy Merckx-i ka lindur në Meensel-Keizegem të Belgjikës në vitin 1945. Që i vogël atij i pëlqenin sportet dhe u mor me disa prej tyre, por më fund dashuria e tij e madhe do të ishte çiklizmi. Ai nisi të ngiste biçikletën kur ishte katër vjeç, ndërsa kur filloi shkollën, shkonte çdo ditë aty me biçikletë. Eddy Merckx-i ka thënë se dëgjonte në radio transmetimin e Turit të Francës gjatë pushimeve shkollore. "Mësuesi më thoshte: 'Çiklizmi nuk është punë'," ka kujtuar Eddy. Dhe mbase kishte të drejtë. Merckx-i kurrë nuk e pa çiklizmin si punë, po si pasionin e jetës së vet.

Merckx-i nisi të garojë në moshën 16-vjeçare, duke u shpallur po atë vit kampion kombëtar për amatorët. Në vitin 1964 ai mori pjesë në Lojërat Olimpike të Tokios, ku doli në vendin e 12-të. Në fund të po atij viti Eddy Merckx-i u shpall kampion për amatorët në Kampionatin Botëror të Çiklizmit.

Pas fitimit të 80 garave si amator, në vitin 1965 Eddy Merckx-i u bë një çiklist profesionist, me ekipin "Sol-Superia". Fitoren e vet të parë të madhe çiklisti i ri belg do ta arrinte një vit më vonë, duke triumfuar në garën e famshme Milano-Sanremo, e vlerësuar si një prej pesë garave "monument" të çiklizmit botëror (në vitet në vijim ai do t'i fitonte edhe katër të tjerat). Në vitin 1968, Eddy Merckx-i fitoi për herë të parë një Tur të Madh, pikërisht Xhiron e Italisë, kurse një vit më pas pati një triumf të plotë në Turin e Francës, duke u bërë i vetmi deri tani që ka fituar tre klasifikimet kryesore: atë të përgjithshëm, klasifikimin sipas pikëve dhe atë të etapave malore. Në përfundim të garës më të famshme të karrierës së tij, asaj të 15 korrikut 1969, komentatori sportiv i një televizioni francez nuk mundi ta mbante entuziazmin, duke bërtitur: "Të lumtë Merckx! Merckx është Zoti!".

Në tre vjetët në vijim Eddy Merckx-i e fitoi përsëri në Turin e Francës. Në vitin 1973 ai nuk arriti të fitonte dot Turin e Francës, por triumfoi në La Vueltën spanjolle dhe në Xhiron e Italisë, ndërkohë që një vit më pas ai mori të ashtuquajturën "Kurorë e Trefishtë", domethënë fitoi Turin e Francës (për të pestën herë), Xhiron e Italisë (po për të pestën herë) dhe Kampionatin Botëror të Çiklizmit (për të tretën herë). Kështu numri i Tureve të Mëdha të fituara prej tij arriti në 11, si asnjë çiklist tjetër deri më sot.

Gjatë karrierës së tij 18-vjeçare Eddy Merckx arriti 525 fitore, ose mesatarisht një fitore në javë. Aftësitë e tij të jashtëzakonshme dhe dëshira për të fituar bënë që ai të quhet "Kanibali". Lidhur me historinë e kësaj nofke ai ka rrëfyer: "Këtë emër ma ka dhënë vajza e vogël e shokut tim të vjetër të ekipit 'Peugeot', Christian Raymond. Ne ishim në vijën e nisjes dhe Christian-i i tha së bijës: 'E shikon këtë xhaxhin? Ky nuk na lë ne të fitojmë asgjë. I do të gjitha për vete.' 'Po ky qenka kanibal atëherë,' ia ktheu vogëlushja."

Eddy Merckx ka thënë gjithashtu se nuk i pëlqen kur e quajnë çiklisti më i mirë në histori: "Kjo nuk ka kuptim. Nuk jam më i madhi i të gjitha kohërave. Jam më i madhi i kohës sime. Nuk mund të krahasosh brezat. Kurrë nuk jam marrë me çiklizmin për lavdi, por se më pëlqen të ngas biçikletën dhe të fitoj."

Pas lënies së sportit në vitin 1978, Eddy Merckx-i megjithatë nuk është ndarë nga çiklizmi. Ai krijoi firmën e vet të biçikletave, "Eddy Merckx Cycles", e cila gjatë viteve '80-'90 të shekullit të kaluar ishte furnizuese e disa ekipeve të çiklizmit. Merckx po ashtu ka qenë edhe trajner i ekipit kombëtar të çiklizmit të Belgjikës për më shumë se dhjetë vjet. Ai është po ashtu bashkorganizator i Turit të Katarit dhe Turit të Omanit. E megjithëse tashmë 73-vjeçar, "Kanibali" përsëri e ushtron sportin e vet të dashur një herë në javë, duke ngarë biçikletën me miqtë e vet. (Artan Goga)

Mrekulli