Wang Yihan-i, "Mbretëresha e 'Superserive'" të badmintonit

2018-05-24 19:32:34 CRI Komenti juaj Printoni

Në Tajlandë po zhvillohen Kupa "Thomas" dhe Kupa "Uber", që mund të cilësohen si kupat e botës në badminton përkatësisht për meshkuj dhe femra. Kampionë në fuqi janë Danimarka për meshkuj dhe Kina për femra. Ekipi kinez i femrave është gjithashtu ekipi më i sukseshëm në historinë e Kupës "Uber", me gjithsej 14 tituj kampionë në 26 edicionet e mëparshme të kësaj veprimtarie. Një ndër emrat që ka dhënë ndihmesën e vet në këtë sukses është edhe Wang Yihan-i. Në katër edicione të Kupës "Uber" ku ajo ka qenë pjesë e ekipit kombëtar, Kina ka fituar tre medalje ari dhe një argjendi. Ndihmesën e saj për ekipin kinez Wang Yihan-i e ka dhënë edhe në Kupën "Sudirman", ose kupa e botës e ndeshjeve dyshe të përziera, ku Kina është përsëri fituesja më e madhe. Në katër nga dhjetë triumfet e ekipit kinez në këtë veprimtari Wang Yihan-i ka qenë pjesë e tij.

Jo më pak të dalluara kanë qenë arritjet e Wang-ut në ndeshjet individuale. Ajo është shpallur një herë kampione bote dhe tre herë kampione e Azisë, ndërkohë që ka trimfuar edhe në Kupën e Botës, në Lojërat Aziatike, si edhe në turnetë e "Superserive të Federatës Botërore të Badmintonit", duke qenë fituesja më e madhe në historinë e kësaj të fundit. Fakti që nuk ka arritur ta kurorëzojë suksesin e vet edhe me një medalje të artë olimpike nuk hedh sidoqoftë dot hije mbi karrierën e shkëlqyer të Wang Yihan-it.

Wang Yihan-i ka lindur më 18 janar 1988 në Shangai. Për shkak të shtatit të saj të gjatë, mësuesit në shkollë i propozuan që të merrej me volejlboll, por vajzës së vogël i kishte lindur pasioni për një sport tjetër. E ëma e merrte shpesh për të luajtur badminton në një kënd lojërash pranë shtëpisë së tyre dhe Wang Yihan-i kishte filluar ta dashuronte këtë sport. Por në rastin e saj pasioni ishte i gërshetuar me talentin, çka bëri që në moshën 9-vjeçare ajo të niste atë që mund të quhet karrierë zyrtare, duke pasur si trajner të parë badmintonistin e njohur Wang Pengren.

Wang Yihan-i u pranua në ekipin kombëtar të të rejave të Kinës në vitin 2004, në moshën 16-vjeçare. Në vitin 2006 ajo u shpall kampione si e Azisë, ashtu edhe e botës për të reja. Po atë vit 18-vjeçarja Wang u bë anëtare e ekipit të të rriturave, duke fituar Kupën e Botës në ndeshjet individuale e duke triumfuar ndaj shoqeve të saj të ekipit më të vjetra e me më shumë përvojë, si Zhang Ning e Xie Xingfang. Wang Yihan-i ishte vënë tashmë në qendër të vëmendjes.

Tenistja e re kineze do të vijonte me një varg fitoresh në turne të ndryshme të badmintonit, ku vlen të veçohen medaljet e arta në turnetë e veprimtarisë së ashtuquajtur "Superseritë e Federatës Botërore të Badmintonit". Vetëm në vitin 2009 Wang Yihan-i fitoi katër turne të tilla, duke zënë vendin e parë në renditjen e përgjithshme botërore të badmintonisteve. Me 20 fitore në "Superseritë", më shumë se çdokush tjetër në historinë e badmintonit të femrave, Wang Yihan-i do të pagëzohej edhe si "Mbretëresha e 'Superserive'".

Por kulmin si individ Wang Yihan-i e arriti në vitin 2011, kur u shpall kampione bote në Londër, po në ndeshjet individuale.

Një vit më pas Wang Yihan-i do të kishte pjesëmarrjen e vet të parë olimpike, përsëri në kryeqytetin britanik. Mbizotërimin e plotë të badmintonit kinez në këtë veprimtari e tregon fakti që të pesë medaljet e arta u fituan nga badmintonistet dhe badmintonistët kinezë. Por, për fat të keq, asnjë prej këtyre medaljeve të arta nuk u mor nga Wang-u. Në finalen individuale për femra ajo shihej si favorite, por u mund pas tre setesh me një luftë të ashpër sportive nga badmintonistja tjetër kineze Li Xuerui. Wang Yihan-i arriti të marrë kësisoj vetëm medaljen e argjendtë. Mungesa e një medaljeje të artë olimpike në "vitrinën e trofeve" të Wang Yihan-it është pengu më i madhe në karrierën e saj sportive.

Përveçse në ndeshjet individuale, Wang Yihan-i ka një numër të madh triumfesh edhe në garat ekipore. Me ekipin kinez të badmintonit të femrave ajo ka fituar tre herë rresht Kupën "Uber", përkatësisht në vitet 2012, 2014 dhe 2016, ndërkohë që më parë, në vitin 2010, Kina kishte marrë medaljet e argjendta. E shkëlqyer është paraqitja e Wang-ut edhe në Kupën "Sudirman", që mund të quhet ndryshe edhe si kupa e botës për ndeshjet dyshe të përziera. Në të katër edicionet e kësaj veprimtarie të përdyvjetshme që Wang Yihan-i ishte pjesë e ekipit kinez, nga 2009 deri në 2015, ky ekip mori medalje të arta.

Wang-u fitoi medaljen e artë me ekipin kinez edhe në Lojërat Aziatike 2014, ndërkohë që fitoi edhe medaljen e artë në ndeshjet individuale.

Wang Yihan-i e la sportin pas Olimpiadës së Rios të vitit 2016, ku ajo u eliminua në çerekfinale, edhe për shkak të një dëmtimi në shpinë që e mundonte prej kohësh. Në mesazhin e lamtumirës për adhuruesit e saj, Wang Yihan-i shkroi: "4640 ditët me ekipin kombëtar ishin kujtime të bukura e të hidhura, por kjo ka qenë një përvojë e mrekullueshme. Unë kam kaluar përmes shumë ulje-ngritjesh dhe kam mësuar si të kapërcej çdo pengesë dhe si të rritem. Megjithëse puna ime e mundimshme është shpërblyer nëpërmjet fitimit të tërë atyre medaljeve, arritja më e madhe e jetës sime është kultivimi i brendshëm nëpërmjet këtij procesi. Falënderoj trajnerët e mi, shokët e ekipit dhe vendin tim për të gjithë mbështetjen gjatë këtyre 12 vjetëve." (Artan)

Mrekulli