Dan Gurney, "gjiganti i trefishtë" i automobilizmit

2018-01-31 17:11:01 CRI Komenti juaj Printoni

Nga 2-3 shkurt zhvillohet Gara e Kampionëve për vitin 2018 në motorsport. Ky është edicioni i 29-të i kësaj veprimtarie, në të cilën, siç e thotë edhe emri i saj, marrin pjesë shumë prej yjeve të motorsportit.

Veprimtaria është e përvitshme dhe zhvillohet në disa prej objekteve sportive më të njohura në botë, si "Stade de France" në Paris, stadiumi "Uembli" i Londrës apo Stadiumi Kombëtar i Pekinit, i njohur edhe si "Çerdhja e zogut".

Sivjet vendi i zhvillimit të Garës së Kampioneve është Stadiumi Ndërkombëtar "Mbreti Fahd" në Riad të Arabise Saudite. Një ndër pjesëmarrësit në këtë garë dhe fituesi i edicionit të kaluar të saj është Juan Pablo Montoya. Kolumbiani është një ndër tre automobilistët e vetëm që kanë fituar në katër turnetë kryesore të motorsportit: "Formula 1", Turneun e Makinave Sportive, "IndyCar" dhe Kupën "NASCAR". Ndërkohë, pak kohë më parë u nda nga jeta Dan Gurney, i pari automobilist që e ka arritur një gjë të tillë. Ai është një legjendë e vërtetë e motorsportit, duke qenë jo vetëm automobilist, por edhe krijues makinash garash dhe pronar i një ekipi automobilizmi. Një ndër gjërat për të cilën do të mbahet mend Gurney është fitorja që ka arritur me makinën e krijuar nga vetë ai.

Dan Gurney lindi në vitin 1931 në Nju-Jork të Shteteve të Bashkuara. I ati ishte këngëtar në Operën Metropolitane të Nju-Jorkut, por siç do të shkruante më pas shtypi, një tjetër "muzikë" do ta tërhiqte djaloshin. Për të tingujt që lëshonte një motor 12-cilindërsh ishin më të bukura se ato të një arieje.

Pasi Gurney përfundoi shkollën e mesme, familja e tij u zhvendos në Kaliforni. Aty në moshën 19-vjeçare, ai krijoi një makinë që arrinte një shpejtësi 222 km në orë, të cilën e ngiste vetë, duke marrë pjesë në veprimtari të ndryshme të automobilizmit për amatorët.

Dan Gurney e filloi karrierën profesioniste në vitin 1957. Gjatë saj ai fitoi shtatë gara të turneut "IndyCar", pesë gara të Kupës "NASCAR" dhe katër të "Formula 1". Ai fitoi po ashtu në turne si Turneu i Makinave Sportive, "Trans-Am" dhe "Can-Am". Fama e Dan Gurney-t ishte aq e madhe, sa në vitin 1964 revista "Car and Driver" nisi fushatën për kandimin e tij si president i ShBA-së.

Dan Gurney ishte jo vetëm automobilist, por edhe krijoi makinën "Eagle" me të cilën konkurronte ekipi që ai kishte bashkëthemeluar, "All American Racers". Me këtë makinë, në 18 qershor 1976, ai arriti një fitore historike në Çmimin e Madh të Belgjikës. Një javë më parë, bashkë me A. J. Foyt-in, Dan Gurney kishte fituar garën e 24 Orëve të Le Mans-it, gara më e vjetër e makinave sportive në botë. Kur ndodhej në tribunë, Dan Gurney në mënyrë spontane bëri atë veprim që sot është kthyer në traditë: spërkatja me shampanjë.

Por kjo nuk do të ishte "e para" e vetme e Dan Gurney-t. Një vit më pas, në Çmimin e Madh të Gjermanisë të "Formula 1", ai ishte i pari automobilist që vendosi një kaskë që mbulonte të gjithë kokën. Në një kohë kur në garat e automobilizmit numri i aksidenteve dhe i viktimave nuk ishte i vogël, një masë e tillë ishte me shumë rëndësi.

Megjithatë, "e para" kryesore e Dan Gurney ishte pikërisht ajo e përmendur tashmë: fitorja e turneve kryesore të motosportit.

Ai e la karrierën si automobilist në vitin 1970 me 51 fitore, por pa u shkëputur nga ky sport, pasi u bë pronari i vetëm i ekipit "All-American Racers", që me makinën "Eagle" të krijuar nga Dan, arriti një numër fitoresh.

Dan Gurney u nda nga jeta më 14 janar, në moshën 86-vjeçare, duke u përcjellë me nderim për atë që i ka dhënë sportit. Vlerësimet për të kanë qenë të shumta: "Dan Gurney nuk ishte vetëm një novator i madh, por ai ishte edhe një automobilist i madh", u shpreh ish-shoku i tij i ekipit Foyt. "Unë nuk e përdor kurrë fjalën 'legjendë', por në rastin e Dan-it, ai ishte një legjendë e vërtetë për sportin tonë".

Por mbase karakterizimin më të plotë për Gurney-n e ka bërë presidenti i Pistës së Automobilizmit të Indianapolis-it J. Douglas Boles, i cili ka thënë për të:

"Kur flasim për automobilistë, pronarë dhe krijues makinash legjendarë amerikanë në një nivel ndërkombëtar, Dan Gurney është një nga më të mëdhenjtë e të gjitha kohërave. Aftësia e tij në të tre këto drejtime e ndihmoi të linte gjurmë të pashlyeshme dhe të kishte një ndikim të madh në këtë sport. Dan ishte një gjigant në botën e garave të automobilizmit, në çdo kuptim."

Mrekulli