Alex Ferguson, "Kalorësi" i vullnetit për të fituar

2017-12-28 15:53:02 CRI Komenti juaj Printoni

Dita e fundit e vitit është ditëlindja e një prej emrave më të respektuar të futbollit botëror, veçanërisht si trajner, Alex Ferguson. Ai vlerësohet nga shumë si trajneri më i madh në historinë e futbollit, e pa dyshim është edhe ndër ata me karrierën më jetëgjatë. Fergusoni është ai që e ka bërë emrin e ekipit të "Manchester United" një prej më të mëdhenjve në futbollin e klubeve në botë. Nën drejtimin e tij, "djajtë e kuq" fituan gati 40 trofe kombëtare e ndërkombëtare, duke përfshirë 13 tituj kampionë të "Premier Ligës" angleze, pesë kupa të Shoqatës së Futbollit (FA), si edhe dy tituj të Ligës së Kampioneve të Europës, një Kupë Kupash dhe një Superkupë.

Alex Fergusoni ka lindur më 31 dhjetor 1941 në Glasgou të Skocisë, në një familje punëtore. Ai ishte një fëmijë inteligjent, por kishte pak interes për shkollën. Në vend të mësimit, atij i pëlqente të luante futboll. I ati ishte futbollist amator dhe Alex-i i vogël luante me të dhe të vëllanë, si edhe me fëmijë të tjerë të lagjes.

Fergusoni e pati debutimin e vet me një ekip të rriturish që në moshën 16-vjeçare për "Queens Park Rangers", që asokohe luante në kategorinë e dytë të kampionatit skocez, ndërkohë që edhe punonte në portin e Glasgout bashkë me të atij. Në atë ndeshje të parë Alex Fergusoni shënoi golin e vetëm për ekipin e tij. Për "Queens Park Rangers" djaloshi shënoi 20 gola në 31 ndeshje që luajti gjithsej, por përsëri nuk kishte një vend të qëndrueshëm në skuadër. Në vitin 1960 Alex Fergusoni kaloi me ekipin e "St. Johnstone", e megjithëse tregoi aftësitë e veta si sulmues, përsëri kishte vështirësi për të qenë pjesë e ekipit të parë e për të luajtur në të gjitha minutat e ndeshjes.

Pas katër vjetësh Fergusoni u bë pjesë e ekipit "Dunfermline", që luante në kategorinë e parë të kampionatit skocez, duke filluar karrierën profesioniste.

Më në fund ai mund të luante për shumë minuta dhe një sezon më pas u bë golashënuesi më i mirë i kampionatit skocez me 31 gola, bashkë me Joe McBride të "Celtic"-ut, ndërkohë që dy sezonet e tjera ishte golashënuesi më i mirë i ekipit të vet. Fergusoni gjithashtu tregoi aftësitë e një trajneri të ardhshëm, duke u lënë mbresa shokëve të ekipit me njohuritë që kishte për lojtarët kundërshtarë dhe duke u dhënë atyre udhëzime gjatë ndeshjeve.

Suksesi me "Dunfermline" bëri që në vitin 1967 Fergusoni të nënshkruante një kontratë rekord për kampionatin skocez prej 65 000 paundësh për "Glasgow Rangers". Pasi luajti për dy sezone me këtë ekip, duke shënuar 25 gola në 41 ndeshje të kampionatit, ai kaloi me "Falkirk"-un, duke qenë aty, përveçse lojtar, edhe trajner. Fergusoni e mbylli karrierën si futbollist në vitin 1974 me "Ayr United", për të filluar në qershor të po atij viti karrierën si trajner. Pasi drejtoi dy ekipe jo shumë të njohura, në qershor 1978 ai u bë trajner i "Aberdeen"-it. Pikërisht me "Aberdeen"-in Ferguson-i mori emër si trajner. Loja e ekipit pati përmirësim të ndjeshëm dhe në vitin 1980 "Aberdeen"-i fitoi titullin kampion i Skocisë, pas plot 25 vjetësh që e kishte bërë për herë të fundit një gjë të tillë dhe duke thyer traditën 15-vjeçare që titulli kampion fitohej vetëm nga dyshja "Celtic"-"Rangers". Gjatë tetë sezoneve që ishte në drejtim, Alex Ferguson-i e udhëhoqi "Aberdeen"-in në fitimin e tre kampionateve e katër kupave të Skocisë, të një Kupe të Ligës Skoceze, ndërsa në Europë të një Kupe Kupash e të një Superkupe.

 Alex Ferguson drejtoi Aberdeen

Fama në rritje e Alex Fergusonit bëri që ai të merrte oferta për të punuar si trajner i shumë ekipeve të njohura. Më në fund, në vitin 1986, Fergusoni zgjodhi "Manchester United", një klub i famshëm, por që në atë periudhë po kalonte një gjendje jo fort të mirë. Kjo gjendje me luhatje e "djajve të kuq" vazhdoi edhe në periudhën e parë të drejtimit të Fergusonit, madje ai ishte në prag të pushimit nga detyra, por fitorja e Kupës së Shoqatës së Futbollit (FA) në sezonin 1989-1990 duket se e shpëtoi. Kjo fitore shënoi fillimin e karrierës më të suksesshme të një trajneri në futbollin anglez, e një prej më të suksesshmeve në historinë e futbollit botëror. Në sezonin 1991-1992, "United" fitoi Kupën e Kupave dhe Superkupën e Europës. Pastaj, në 11 sezonet nga 1992-1993 deri në 2002-2003, "Manchester United" fitoi tetë tituj të "Premier Ligës", si edhe tre Kupa FA. Kulmi gjatë kësaj periudhe u arrit në sezonin 1998-1999, kur, përveç fitores së "Premier Ligës" dhe Kupës FA, "Manchester"-i fitoi edhe Ligën e Kampionëve, duke arritur për herë të parë në historinë e futbollit anglez të ashtuquajturën "fitore treshe" (fitoren e kampionatit e të një kupe kombëtare, si edhe të një trofeu kontinental). Më pas, gjatë dhjetë sezoneve nga 2003-2004 në 2012-2013, "Manchester United" fitoi pesë tituj të "Premier Ligës", dhe një fitore të dytë në Ligën e Kampioneve në 2008, teksa po atë vit fitoi dhe Kupën e Botës për Klubet. Në dhjetor 2010, Fergusoni u bë trajneri më jetëgjatë në historinë e "Manchester United". Nën drejtimin e tij, "Manchester United" u bë numri një në futbollin anglez të klubeve e ndër ekipet më të mira europiane e botërore.

25-vjetori i shërbimit të Alex Ferguson-it për "Manchester United"

Alex Fergusoni u tërhoq nga posti i trajnerit në fund të sesonit 2012-2013, kur "djajtë e kuq" fituan titullin e tyre rekord të 20-të të "Premier Ligës". Ai ishte 74 vjeç në atë kohë, ndërsa kishte qenë pa pushim trajner i "Manchester"-it për afro 27 vjet me radhë. Por ai mbeti pjesë e "Manchester"-it, duke u bërë drejtor dhe ambasador i klubit.

Alex Fergusoni ka fituar tituj të shumtë. Ai është shpallur 11 herë trajneri më i mirë i "Premier Ligës" angleze. Në vitin 2012 Federata Ndërkombëtare e Historisë dhe e Statistikave të Futbollit i dha titullin "Trajneri më i mirë i botës i shekullit XXI".

Në 1995 Alex Fergusoni mori titullin "Komandant i Urdhrit të Perandorisë Britanike", kurse katër vjet më pas titullin "Kalorës" nga Mbretëresha britanike për kontributin e tij në lojën e futbollit. Në stadiumin e "Manchester"-it, "Old Traford", është ngritur statuja e tij e bronztë.

Një nga thëniet që do të mbahen mend nga ky "kalorës" i drejtimit të futbollit është: "Kurrë nuk kam luajtur për barazim në jetën time." E jo më kot një nga autobiografitë e tij quhet "Vullneti për të fituar". (Artan Goga)

Alex Ferguson mori titullin "Kalorës" nga Mbretëresha britanike, 1999.

Mrekulli
Lajmet Kryesore