Wang Liqin, shtatlarti i pingpongut kinez

2017-12-21 16:30:53 CRI Komenti juaj Printoni






Më 17 dhjetor u mbyll në Kazakistan edicioni i 22-të i Finaleve të Mëdha të Turneut Botëror të Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut. Ashtu siç edhe pritej, mbizotërues ishin pingpongistët e pingpongistet kineze, që fituan medaljet e arta në ndeshjet individuale si për meshkuj, ashtu edhe për femra, si edhe në ndeshjet dyshe për femra, ndërkohë që në ndeshjet individuale për femra të gjitha medaljet u fituan nga pingpongistet kineze.


Pingpongisti që ka numrin më të madh të trofeve në Finalet e Mëdha të Turit Botëror është Wang Liqin. Emri i njohur i pingpongut kinez dhe atij ndërkombëtar ka fituar gjithsej shtatë medalje të arta të këtë veprimtari, tre në ndeshjet individuale dhe katër në ndeshjet dyshe. Ai është po ashtu tre herë kampion bote, si edhe fitues i dy medaljeve të arta olimpike, përveç titujve të tjerë të shumtë në veprimtari të tjera. Wang ka qenë për 25 muaj me radhë numri një në renditjen e pingpongistëve të Federatës Ndërkombëtare të Pingpongut.

Wang Liqin-i ka lindur në qershor 1978 në Shangai të Kinës. Wang filloi të luante pingpong që në moshën 6-vjeçare. Kur ishte në moshën 13 vjeç, ai u përzgjodh në ekipin e qytetit të Shangait, dhe pas dy vjetësh në ekipin kombëtar të pingpongut të Kinës. Në vitin 1996 Wang Liqin fitoi për herë të parë Finalet e Mëdha të Turneut Botëror, pikërisht në ndeshjet dyshe me partner Yan Sen-in. Në vitin 1998 ai triumfoi përsëri në këtë veprimtari, këtë herë jo vetëm në ndeshjet dyshe, përsëri me partner Yan Sen-in, por edhe si individ. Po atë vit Wang Liqin u shpall kampion i Azisë.


Wang Liqin në moshën 17 vjeç.


Në vitin 2000 Wang arriti përsëri një fitore të dyfishtë në Finalet e Mëdha të Turneut Botëror, duke marrë medalje të artë edhe si individ, edhe në ndeshjet dyshe, por edhe më e rëndësishme se kjo, ai fitoi medaljen e parë të artë olimpike, pikërisht në ndeshjet dyshe në Lojërat Olimpike të Sidneit, me partner "të përhershmin" Yan Sen. Dhe po me Yan Sen-in një vit më pas Wang Liqin-i do të shpallej kampion bote në ndeshjet dyshe, por do të fitonte medaljen e artë edhe si individ, si edhe me ekipin kombëtar, duke u bërë kështu numri një i padiskutueshëm i pingpongut botëror. Trajnerët dhe ekspertët e pingpongut në atë kohë shprehën bindjen se Wang Liqin-i do të mbizotëronte pingpongun e meshkujve në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të 21-të. Trajneri i atëhershëm i ekipit kombëtar të pingpongut të meshkujve Shi Zhihao tha: "Wang Liqin është një lojtar i zgjuar, punëtor dhe i motivuar, ndonëse pak i mbyllur në vetvete. Ai ka qenë gjithmonë një lojtar me iniciativë në ekip dhe ka pasur arritje të mëdha, duke përfshirë edhe titullin kampion bote për meshkuj si individ dhe duke u renditur në vendin e parë në botë. Ai ka potencial të madh për vitet e ardhshme."


Wang Liqin (djathtas)fitoi medaljen e parë të artë olimpike, në ndeshjet dyshe në Lojërat Olimpike të Sidneit.


Në të vërtetë, më pas shtypi shkroi se, megjithëse Wang Liqin-i mund të jetë disi i mbyllur si natyrë, gjë që e shfaq në jetën e përditshme, në fushën e lojës ai është shumë agresiv. Goditjet e tij të shpejta, të sakta e të fuqishme, falë edhe shtatit të gjatë mbi 1.85 cm, i linin pak kohë kundërshtarit për të reaguar. Sidoqoftë, pas vitit 2001, Wang Liqin-i do të kishte më shumë sukses si individ, ndërsa forca e dyshes së tij me Yan Sen-in do të zbehej. Kështu, në Lojërat Aziatike të vitit 2002, Wang Liqin-i mori medaljen e artë në ndeshjet individuale dhe medaljen e artë ekipore, por vetëm medaljen e bronztë në ndeshjet dyshe. Në vitin 2004, në Finalet e Mëdha të Turit Botëror, ai mori medaljen e artë indivuale, ndërsa si dyshe nuk arriti dot të marrë asnjë medalje. Po atë vit Wang Liqin-i mori medaljen e bronztë në Olimpiadën e Athinës. Një vit më pas, Wang Liqin-i fitoi titullin e vet të dytë kampion bote si individ, ndërkohë që mori medaljen e artë edhe në ndeshjet dyshe të përziera. Ai e përsëriti suksesin e vet invidual edhe në kampionatin e ardhshëm botëror, atë të vitit 2007. Finalen e këtij kampionati ai e quan si ndeshjen më të bukur të karrierës së vet. Wang Liqin-i ishte përballë bashkatdhetarit të vet Ma Lin dhe pas katër seteve të para ishte në humbje 1-3, po arriti të fitojë tre setet e tjera, duke marrë kështu titullin e vet të tretë e të fundit kampion bote si individ. Në atë kampionat ai po ashtu fitoi medaljen e artë në ndeshjet dyshe të përziera, si edhe medaljen e argjendtë në ndeshjet dyshe.

Wang Liqin-i nuk kishte si të mungonte kur festa më e madhe sportive botërore, Olimpiada, zhvillohej në atdheun e vet. Në Lojërat Olimpike të Pekinit 2008, Wang Liqin-i fitoi medaljen e artë si anëtar i ekipit kinez të pingpongut të meshkujve, ndërkohë që si individ fitoi medaljen e dytë të vet të bronztë olimpike.

Wang Liqin-i e la sportin në vitin 2013 dhe është tani trajner i ekipit të pingpongut të Shangait. Ai shpreson se do të formojë një grup pingpongistësh që do të përfshihen në ekipin kombëtar të Kinës dhe do të jenë kampionët e ardhshëm të botës, duke marrë stafetën e tij. (Artan Goga)


 Në Lojërat Olimpike të Pekinit 2008, Wang Liqin (majtas) fitoi medaljen e artë si anëtar i ekipit kinez të pingpongut të meshkujve.

Mrekulli
Lajmet Kryesore