Elisabeta Karabolli, kampionia e parë shqiptare e Europës në qitje

2017-07-24 17:18:51 CRI Komenti juaj Printoni

Më 21 qershor nisi në Baku të Azerbajxhanit Kampionati Europian i Qitjes, i cili do të zgjasë deri më 4 gusht. Në një kampionat të tillë, 38 vjet më parë, një qitëse shqiptare i dha vendit të saj titullin e parë kampion europian. Ajo është legjenda e qitjes shqiptare, Mjeshtra e Merituar e Sportit Elisabeta Karabolli.

Elisabeta Karabolli, një nga emrat më të nderuar e më të famshëm të sportit shqiptar, ka lindur në Tiranë më 13 shkurt 1958. Nisja e sportit të qitjes prej saj ka qenë krejtësisht e rastësishme. Në një prej intervistave për median, znj. Karabolli e ka rrëfyer kështu historinë e hyrjes së saj në botën e sportit, ku ajo do të linte një emër aq të madh: "Isha në klasë të gjashtë dhe atë kohë jetoja te zona e Kinostudios. Një nga fqinjet e mia më tha: 'Do të vish me mua, do të shkoj në stërvitje për qitje'. Ishte një poligon te shkolla 'Skënderbej'. Shkova aty dhe po prisja shoqen të mbaronte stërvitjen. Trajner ishte Rexh Ndreu. Më pa dhe më tha: 'Do ta provosh të gjuash një herë?' Më dha pistoletën dhe gjuajta. Si duket i pëlqeu dhe, pas disa muajsh, erdhi e takoi prindërit e mi dhe u kërkoi leje që unë të bëhesha pjesë e ekipit të të rejave të 'Partizanit'."

Megjithatë, karriera e Elisabeta Karabollit mund të thuhet se nis në vitin 1973, kur ishte në vitin e parë të shkollës së mesme. 15-vjeçarja mori pjesë në kampionatin e qitjes për të reja, si pjesë e ekipit të të rejave të "Partizanit", duke vendosur rekord kombëtar në garën e pistoletës me ajër. Znj. Karabolli thotë: "Ky rezultat u bë motivi shtytës që vazhdova punën sistematike për të arritur nivele më të larta."

Pastaj Elisabeta Karabolli u bë pjesë e ekipit të të rriturave, sigurisht po të "Partizanit". Në vitin 1975, ende pa mbushur 17 vjeç, ajo arriti të dalë kampione e Shqipërisë, në garën e qitjes me pistoletë 25m/30+30. Bazuar në rezultatet e saj, Elisabeta Karabollit iu dha e drejta për të qenë anëtare e ekipit kombëtar të qitjes për femra. Dhe këtu e ka zanafillën ajo që është quajtur rëndom "epoka Karabolli" në arenën ndërkombëtare, kur qitësja e re arriti të marrë tre medalje në tre kampionate europiane, me rezultate në rritje nga viti në vit.

Në vitin 1977, në kampionatin evropian të zhvilluar në Romë të Italisë, në qitjen me pistoletë 30+30, Elisabeta Karabolli fiton vendin e tretë me 584 pikë, vetëm 1 pikë larg vendit të dytë, përballë 48 qitëseve më të mira nga 24 vendet e kontinentit, duke marrë medaljen e bronzit. "Konkurrimi i parë në arenën ndërkombëtare ka qenë në Romë, në vitin 1977, ku zura vendin e tretë, pas dy ruseve," kujton Elisabeta Karabolli. "Marrja e medaljes së bronztë ishte një krenari kombëtare. Qitëset e tjera të pistoletës kishin pasur edhe një eksperiencë të mëparshme, por jo të atij niveli. Prandaj ishte një krenari dhe një gëzim."

Një vit më pas, në vitin 1978, në kampionatin europian të zhvilluar në Hameelina të Finlandës, Elisabeta Karabolli do të shënonte 586 pikë, vetëm dy pikë më pak se vendi i parë, duke dalë nënkampione e Evropës dhe duke marrë medaljen e argjendtë.

Por pas një viti do të vinte suksesi më i madh i Elisabeta Karabollit dhe një prej arritjeve më të mëdha të sportit shqiptar.

Në vitin 1979, qitësja asokohe vetëm 21-vjeçare, në kampionatin europian në Frankfurt mbi Main të Gjermanisë, me rezultatin 587 pikë po në disiplinën qitje me pistoletë 30+30 nga 25 m, fiton vendin e parë dhe medaljen e artë. Po në këtë kampionat, ekipi shqiptar, i përbërë nga Elisabeta Karabolli, Margarita Cingu e Diana Mata, realizon 1733 pikë, duke u shpallur nënkampion dhe duke merituar medaljet e argjendta.

Lidhur me pritjen në Shqipëri pas kthimit nga Gjermania, Elisabeta Karabolli kujton: "Pritja në Shqipëri ishte madhështore. Ishte një arritje e madhe për të gjithë kombin. Nuk ishte vetëm arritja ime, ishte arritja e të gjithëve. Në rrugë të tërë donin të më takonin, donin të më përqafonin, të më uronin. Ishte vërtet një kënaqësi."

Rezultatet e shkëlqyera të kampiones së Europës do të vazhdonin edhe në vitin 1980, kur në kampionatin shqiptar, me rezultatin 593 pikë, vendos një rekord të ri jo vetëm kombëtar, por edhe botëror, që në atë kohë ishte 592 pikë. Por ishte një rekord që nuk u njoh, pasi nuk u arrit në një veprimtari ndërkombëtare. Një gjë të tillë Elisabeta Karabolli e kishte realizuar edhe në vitin 1977.

Po në vitin 1980, në kampionatin europian, ekipi kombëtar shqiptar, i përbërë nga Karabolli, Cingu e Mata, u rendit i katërti, duke lënë pas ekipet e 19 vendeve të tjera.

Një tjetër sukses i Elisabeta Karabollit ishte ai i arritur në Lojërat e Mesdheut në vitin 1993, ku mori dy medalje ari dhe dy medalje argjendi.

Karabolli ka qenë kapitene e ekipit përfaqësues shqiptar deri në Lojërat Olimpike të Atlantës më 1996. Që prej atij viti, ajo nisi të jetojë në ShBA, por gjithmonë pa hequr dorë nga sporti i saj i adhuruar. Që prej vitit 1997, ajo nisi pjesëmarrjen me sukses në kampionatin amerikan të qitjes, ku për vite u rendit mes më të mirave, kurse në vitin 2008 u shpall kampione, sigurisht në disiplinën e qitjes me pistoletë.

Elisabeta Karabolli vjen shpesh në atdheun e saj. "Pothuajse sa herë kthehem në Shqipëri, vizita e parë është në poligon," thotë ajo. Znj. Elisabeta dëshiron të shohë ringritjen e qitjes sportive në Shqipëri, një nga sportet më të suksesshme dikur. "E shikoj që ka rënë pjesëmarrja dhe mendoj që duhet të përfshijnë më shumë të rinj, t'i motivojnë që të arrijnë sukseset e atyre viteve," thotë kampionia që e ngriti aq lart emrin e vendit të vet në arenën e sportit ndërkombëtar. (Artan Goga)

Mrekulli