Pasojat e vendimit të arbitrazhit mbi Detin e Kinës Jugore

2016-07-12 15:50:30 CRI Komenti juaj Printoni

Fjala kyçe: 裁定---Cái Dìng---Vendim


Gjykata e arbitrazhit e krijuar me kërkesën e Filipineve, do të marrë të martën vendimin për mosmarrëveshjen mes Kinës e Filipineve për Detin e Kinës Jugore. Lidhur me mospranimin e Kinës për të marrë pjesë në këtë arbitrazh, një diplomat kinez u shpreh duke përdorur një metaforë: "Ky arbitrazh është si një ndeshje futbolli. Ekipi që është në dijeni për marrëveshjen e arritur mes kundërshtarit dhe gjyqtarin, patjetër nuk merr pjesë në ndeshje. Por tani, kjo ndeshje, pa pjesëmarrjen e një pale, shpallet e përfunduar e madje do të publikohet edhe vendimi. Atëherë, si t'ia bëjë Kina?".

Z. Wu Shicun, drejtor i Institutit të Studimeve të Detit të Kinës Jugore, është i mendimit se, lidhur me vendimin e arbitrazhit, Kina do t'i kushtojë vëmendje nga ana strategjike, por do të përmbahet nga ana taktike.

Z. Wu vuri në dukje në një artikull të tij se arbitrazhi do të sjellë dëme të shumta, të cilat do të rritin paparashikueshmërinë e situatës në Detin e Kinës Jugore dhe do të shkaktojnë konflikt midis Kinës e ShBA-së për zbatimin e vendimit, si në fushën diplomatike, ashtu edhe atë mediatike dhe të veprimeve në zonën detare përkatëse. Për këtë, Kina duhet të jetë përgatitur mirë. Sipas z. Wu Shicun, Kina duhet t'i shpjegojë qartë bashkësisë ndërkombëtare pse vendimi i arbitrazhit, i iniciuar në mënyrë të njëanshme nga Filipinet, është i pavlefshëm dhe pse Kina nuk do ta zbatojë vendimin. Në fushën diplomatike, Kina duhet të përgatitë masa reagimi, sepse ShBA-ja po u bën presion aleatëve të saj të shprehin mbështetje për arbitrazhin, duke shfrytëzuar edhe disa mekanizma shumëpalësh. Kurse lidhur me veprimet në ujërat detare përkatëse, sips z. Wu, nëse anijet amerikane afrohen brenda 12 miljeve detare për provokim, pala kineze mund të marrë masa përballuese.

Z. Wu shtoi se, për ShBA-në, Deti i Kinës Jugore ka rëndësi jetike për ruajtjen e epërsisë së saj strategjike në Paqësorin Perëndimor dhe për frenimin e zhvillimit të fuqisë detare të Kinës. Megjithëse ShBA-ja nuk është vend i rajonit dhe nuk ka mosmarrëveshje territoriale me Kinën për ujërat përkatëse, problemi i Detit të Kinës Jugore i ka vënë fuqinë e re dhe të vjetër në një gjendje të vështirë.

Ditët e fundit, gazeta "Renminribao" publikoi një koment, ku thuhet se politikat e ShBA-së për Detin e Kinës Jugore shpërfaqin "konceptet e rrezikshme imperialiste". Përvoja historike dhe realiteti kanë treguar se, lidhur me ligjin ndërkombëtar, ShBA-ja gjithmonë i kritikon vendet e tjera për shkelje dhe moszbatim, por, kur vjen puna te vetja, ajo e interpreton atë sipas dëshirës. Në një konferencë shtypi të organizuar kohët e fundit, zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës Lu Kang tha se ndonjë vend që ende tenton ta përdorë arbitrazhin për të shtrembëruar imazhin e Kinës, nuk mund ta quajë veten si zëdhënës të ligjit ndërkombëtar. Sipas tij, faktet kanë treguar se kush është ai që mbron ligjin ndërkombëtar, kush e keqinterpreton atë dhe kush e shkel. Në të vërtetë, vendi i parë i fuqishëm që nuk zbaton ligjin ndërkombëtar ka qenë pikërisht ShBA-ja.

Mrekulli
Lajmet Kryesore