2018-11-27 09:53:27 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Presidenti i Kinës Xi Jinping, që sapo përfundoi turin në Azi-Paqësor, do të niset më 27 nëntor për vizita shtetërore në Spanjë, Argjentinë, Panama e Portugali, si edhe do të marrë pjesë në Samitin e G20-s në kryeqytetin e Argjentinës Buenos-Aires.
Sivjet është 100-vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe 10-vjetori i shpërthimit të krizës financiare ndërkombëtare. Gjatë këtij viti, rendi ndërkombëtar është goditur seriozisht nga antiglobalizmi, unilateralizmi dhe proteksionizmi. Në këtë epokë me ndryshime që nuk janë parë gjatë njëqind vjetëve, të gjitha vendet e botës kanë nevojë të ruajnë qetësinë, të nxjerrin mësime, të ndërveprojnë më mënyrë aktive dhe të përpiqen t'i japin së ardhmes më shumë siguri, qëndrueshmëri dhe energji pozitive. Vizitat e ngjeshura jashtë vendit të presidentit kinez pasqyrojnë besimin e vendosur dhe përpjekjet e paepura për ndihmesën aktive të Kinës, si vendi më i madh në zhvillim dhe anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për reformën e qeverisjes globale, me programin e Kinës për "hapjen, bashkëpunimin e zhvillimin e përbashkët", përballë një mjedisi të ndërlikuar.
Gjatë këtij turi diplomatik të Xi Jinping-ut në fund të vitit, Spanja, Argjentina, Panamaja dhe Portugalia kanë gjetur "hartën e rrugës" për bashkëpunimin me përfitime të përbashkëta me Kinën nëpërmjet platformës së nismës "Një brez, një rrugë".
Nga të dhënat statistikore del se qysh nga nëntori i vitit 2014, kur u hap linja hekurudhore Yiwu-Madrid, që është hekurudha më e gjatë në botë, vëllimi i eksportit nga Spanja vetëm në qytetin Yiwu u shtua nga 1.6 milionë dollarë amerikanë në vitin 2014 në mbi 10 milionë dollarë vjet, duke pasuruar kategoritë e mallrave të tregut në Yiwu, që synon "blerjen nga mbarë bota dhe shitjen në mbarë botën". Aktualisht, Yiwu ka shkëmbime tregtare me 219 vende e rajone të botës dhe 65 % e ekonomisë së këtij qyteti përbëhet nga tregtia e jashtme. Çdo vit mbi 800 mijë biznesmenë të huaj vijnë përkohësisht në Yiwu për blerje, ndërsa 15 mijë të tjerë nga mbi 100 vende e rajone të botës qëndrojnë gjatë në këtë qytet.
Në edicionin e parë të Ekspozitës Ndërkombëtare të Importit të Kinës, që sapo u mbyll në Shangai, mish viçi i rajonit Pampeana, që quhet si një nga "tre thesaret" e Argjentinës, u mirëprit shumë. Ambasadori argjentinas në Kinë Diego Ramiro Guelar tha se më shumë se gjysma e mishit të viçit që eksporton Argjentina, shitet në Kinë. Ai parashikon se në disa vjetët e ardhshëm, vlera e produkteve të mishit që Argjentina eksporton në Kinë do të arrijë mesatarisht në 1 miliard dollarë amerikanë në vit.
Panamaja, që vendosi marrëdhëniet diplomatike me Kinën vjet, është i pari vend i Amerikës Latine që ka nënshkruar memorandumin e mirëkuptimit për ndërtimin e "Një brez, një rrugë" me Kinën. Zv.ministri i Jashtëm i Panamasë Luis Miguel Hincapie shprehu shpresën se vendi i tij do të luajë rolin e nyjës rajonale të logjistikës e të tregtisë dhe do të bëhet urë për hyrjen e Kinës në Amerikën Latine.
Lidhur me nismën "Një brez, një rrugë", Portugalia shpreson të bëhet një portë drejt Evropës, si dhe ura që lidh Afrikën dhe Amerikën e Jugut. Kur në vitin 2011 shpërtheu kriza e borxheve në Evropë, tregu ndërkombëtar nuk kishte besim te Portugalia dhe investimet në këtë vend u pakësuan shumë. Por kompanitë kineze zhvilluan bashkëpunim në Portugali. Sipas të dhënave jo të plota statistikore, kompanitë dhe individët kinezë kanë investuar gjithsej mbi 9 miliardë euro në këtë vend dhe kështu, Portugalia radhitet në vendin e pestë sa u përket investimeve kineze në Evropë. Ish-ministri i Ekonomisë i Portugalisë Manuel Caldeira Cabral theksoi: "Qeveria portugeze shpreh mirënjohjen e thellë për kompanitë kineze, që patën besim të plotë te ekonomia portugeze dhe i kanë dhënë përkrahje të madhe, gjë që është një faktor shumë i rëndësishëm për daljen tonë nga vështirësitë."
Bota nuk ka qenë e qetë në vitin 2018. Në prag të vitit 2019, vendet e ndryshme kanë më shumë nevojë për një qëndrim të hapur e gjithëpërfshirës për bashkëpunimin dhe zhvillimin e përbashkët. Dhjetë vjet më parë, kur shpërtheu kriza financiare ndërkombëtare, Grupi i 20 Vendeve thirri samitin e parë. Tani ekonomia globale ndodhet përsëri përpara provave të zhvillimit dhe të ardhmes së papërcaktuar. Në një raport të publikuar të enjten nga Instituti i Studimeve Ekonomike i Oksfordit parashikohet se rritja e ekonomisë botërore do të ulet nga 3.1 % këtë vit në 2.8 % në vitin 2019. Liderët e G20-s, që zë 85% të PBB-së së botës dhe 75% të tregtisë botërore, tani kanë më shumë nevojë të shmangin interferencat, të forcojnë ndërgjegjshmërinë për fatet e përbashkëta, të ngulin këmbë në besimin te multilateralizmi, të thellojnë hapjen e bashkëpunimin dhe të arrijnë unanimitet për realizimin e zhvillimit të përbashkët.
Gjatë vizitës në Argjentinë, presidenti kinez Xi Jinping dhe homologu i tij amerikan Donald Trump do të zhvillojnë takimin e parë pas shpërthimit të fërkimeve tregtare. Si dy ekonomitë më të mëdha në botë, roli drejtues strategjik i dy liderëve për marrëdhëniet dypalëshe ka rëndësi jetike. Çdo veprim dhe fjalë e tyre gjatë takimit do të tërheqë vëmendjen e madhe të globit. Gjatë 40 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, Kina dhe ShBA-ja kanë kaluar shumë stuhi, por asnjëherë nuk kanë luajtur "lojën ku fituesi i merr të gjitha". Paqja midis dy vendeve sjell fitime të përbashkëta, kurse lufta midis tyre pasohet me humbjen e të dy palëve. Ky rregull nuk ka ndryshuar as edhe tani.
Kur të zhvillohet samiti i G20-s, hemisfera veriore do të jetë duke pritur dimrin, ndërsa në hemisferën jugore, Buenos-Airesi do të mirëpresë erën e freskët të fillimit të verës. Natyra u tregon njerëzve se kthesa gjendet kudo. (Wang Lei)