Lufta tregtare, "paqësuesit" nuk mund t'i shmangen dëmtimit në fund

2018-07-11 10:06:16 CRI Komenti juaj Printoni

Lufta tregtare e filluar nga administrata e presidentit të ShBA-së Donald Trump këtë muaj ka ngjallur kundërpërgjigjen e fortë të vendeve të ndryshme. Kanadaja vendosi tarifa ndaj mallrave amerikane me vlerë prej 12.6 miliardë dollarësh amerikanë, Meksika nisi raundi i dytë të kundërgoditjeve me tarifa mbi importet amerikane me vlerë prej 3 miliardë dollarësh, Kina u detyrua të zbatojë tarifat shtesë për mallrat amerikane prej 34 miliardë dollarësh, e po ashtu edhe Rusia shpalli se do të zbatojë tarifa ndaj një pjese të produkteve që importon nga ShBA-ja.

Në këtë luftë tregtare që ka të bëjë me interesat e të gjitha palëve në zinxhirin global industrial, pritet të përfshihen edhe më shumë vende. Në këtë sfond, palët që ndjekin "politikën e paqësimit" duhet të kenë kujdes, pasi toleranca në zjarrin e luftës do t'i "dëmtojë" edhe ato në të ardhmen.

I. Të mos jemi "harraqë"

Sipas të dhënave statistikore për punësimin në qershor në ShBA, të publikuar më 6 korrik, u shtuan 213 mijë vende pune dhe shumë prej tyre janë në sektorin e manifakturës. Presidenti Donald Trump u shpreh po atë ditë se mori aq shumë telefonata, sa iu zbut dora. "Çdo vend më telefonoi dhe shpreson të arrijë marrëveshje me ne. Punët do të zgjidhen." Nga kjo ndonjëri mund të gjykojë se ShBA-ja do të jetë fituese e luftës tregtare. A është e vërtetë kjo?

Po më 6 korrik, në një raport të gazetës amerikane "New York Times" vihet në dukje se çmimi i sojës amerikane me kontratë me zbatim të ardhshëm është ulur 15% qysh nga 25 maji. Sipas gazetës, nëse të ardhurat e fermerëve do të ulen, do të bjerë edhe aftësia e tyre e blerjes së lëndëve të para dhe të pajisjeve dhe atëherë, do të ndikohet në mënyrë të pashmangshme edhe gjendja e përgjithshme ekonomike. Raporti citon fjalët e kryetarit të Shoqatës Amerikane të Sojës, John Heisdorffer: "Im bir mbjell sojë bashkë me mua, por më frikëson shumë që në të ardhmen ai do t'ia kushtojë gjithë jetën rimarrjes së tregut kinez."

Ashtu siç ndodh në shumë raste në botë, ndoshta njerëzit mund të harrojnë shumë shpejt, se kush është fajtori i kësaj lufte tregtare. Në epokën e telefonisë së lëvizshme, "shkurtësia" ndoshta është bërë tipari kryesor i jetës. Lajmet janë të shkurtra, videot janë të shkurtra, edhe vështrimi dhe kujtesa e njerëzve janë bërë të shkurtër. Kjo luftë tregtare u nis nga ShBA-ja dhe të gjitha kundërmasat tarifore kundrejt mallrave amerikane, qoftë nga Kanadaja, Meksika apo Kina, janë në përmasa krejtësisht të barabarta me ato amerikane. Ky është një parim i qartë dhe, me këtë rast, duhet të zgjatim kujtesën tonë dhe "të mbajmë mend hakmarrjen". Kjo nuk do të thotë mospajtim, por do të thotë të zgjidhet problemi nga vetë ai që e fabrikoi atë. "Topi" për përfundimin e kësaj lufte tregtare tani është në gjysmëfushën e qeverisë së Trump-it, dhe hapi i mëtejshëm duhet të hidhet nga ajo.

II. Të mos jemi "soditës"

Sipas të dhënave deri më 8 korrik, masat kundërpërgjigjëse ndaj tarifave të ShBA-së arritën vlerën 75 miliardë dollarë amerikanë, 34 miliardë prej të cilave nga Kina. Këto shifra e bëjnë këtë luftë tregtare të duket si "luftë midis dy vendeve". Por nga një raport kërkimor nga Universiteti i Sirakuzës në ShBA, ndër produktet kompjuterike dhe elektronike kineze ndaj të cilave janë vendosur tarifa nga pala amerikane, 87% janë prodhuar në Kinë nga kompanitë shumëkombëshe dhe vetëm 13% nga kompanitë kineze. Banka e Rezervës Federale e San-Franciskos vuri në dukje në vitin 2011 se nga çdo 1 dollar amerikan i fituar nga shitja e produkteve të prodhuara në Kinë, 55 centë hyjnë në portofolin e biznesmenëve amerikanë. Kjo përqindje i përket vitit 2011, 7 vjet më parë, kur niveli i globalizimit ekonomik nuk ishte i përhapur si sot.

Në këtë luftë tregtare nuk ka "kalimtarë" apo "soditës", sepse çdo palë është protagoniste dhe pësuese. Këtë e kupton edhe Japonia, që ka qëndruar në heshtje. Në një koment të publikuar më 7 korrik në revistën japoneze "Nikkei Asian Review" thuhet se historia e luftës tregtare të nisur nga ish-presidenti amerikan Herbert Hoover meriton të mësohet nga njerëzit e sotëm. Në vitin 1930, për të mbrojtur industrinë e ShBA-së, Hoover-i nguli këmbë në shtimin e tarifave ndaj mallrave të importuara, pa përfillur kundërshtimin nga mbi një mijë ekonomistë. Si pasojë, vendet evropiane nisën kundërmasat dhe ajo luftë tregtare shkaktoi depresionin e thellë ekonomik në mbarë globin. Prandaj në komentin e saj revista japoneze u bën thirrje vendeve të zhvilluara ta bindin njëzëri Shtëpinë e Bardhë të kuptojë rëndësinë e sistemit të tregtisë së lirë, duke thënë se kompanitë gjigante japoneze e evropiane duhet të kundërshtojnë bashkërisht me ato amerikane proteksionizmin tregtar të Uashingtonit.

III. Të mos kemi "të shtëna pas shpine"

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm të Austrisë më 5 korrik, anëtari i Këshillit të Shtetit dhe ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi tha se pala kineze e kundërshton proteksionizmin jo vetëm për mbrojtjen e interesave të veta të ligjshme, por edhe për të mbrojtur interesat e përbashkët të vendeve të ndryshme, përfshirë edhe BE-në. Kina ndodhet aktualisht në frontin e parë të luftës kundër unilateralizmit dhe proteksionizmit tregtar dhe shpreson që askush "të mos qëllojë pas shpine".

Një nga karakteristikat e globalizimit ekonomik është ndarja shumë e saktë dhe e integruar e punëve në zinxhirin global industrial dhe në atë të vlerës. Interesat e vendeve e rajoneve të ndryshme janë të ndërthurur me njëri-tjetrin. Lufta tregtare e filluar nga administrata e Trump-it synon jo vetëm frenimin e zhvillimit të Kinës, por është t'i shpallë luftë globalizimit ekonomik. Ajo duket sikur ndikon vetëm mbi ndonjë palë, por në fakt dëmton interesat e të gjithëve në zinxhirin e industrisë dhe të vlerës. Të marrim për shembull kompaninë amerikane të automjeteve "Fiat Chrysler", një nga tre prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve në ShBA, me 23 fabrika në mbarë ShBA-në dhe mbi 56 mijë punonjës. Kjo kompani e krijuar nga "Fiat-i" italian me blerjen e "Chrysler-it" amerikan, e regjistruar në Holandë dhe me seli në Britani, e regjistruar në bursat e Nju-Jorkut e të Milanos dhe me fabrika në Itali, Kinë dhe Brazil, është përfaqësuese tipike e globalizimit ekonomik. Sipas njoftimit të mediave amerikane, nëse qeveria e Trump-it do të ushtrojë tarifa doganore ndaj automjeteve sipas parashikimit, "Fiat Chrysler" do të pakësojë fitimet me të paktën 860 miliardë dollarë amerikanë.

Në sfondin e globalizimit, gjatë luftës tregtare të nisur nga një palë, palët e tjera, duke u nisur nga parimi i mbajtjes së përbashkët të përgjegjësisë dhe i ndarjes së interesave, duhet të përpiqen të ulin në minimum ndikimet negative të unilateralizmit dhe të proteksionizmit tregtar ndaj rimëkëmbjes dhe zhvillimit të ekonomisë botërore. Në luftë ka gjithmonë trupa që ndodhen në vijën e parë, ndërsa në këtë luftë tregtare, Kina, si vend i madh e i përgjegjshëm, lufton tani në front, duke shpresuar të mos qëllohet pas shpine. Ndoshta vendi tjetër i goditur do të jetë pikërisht ai që i bën këto të shtëna të fshehura.

Edhe për njerëzit e thjeshtë, lufta tregtare ka lidhje të ngushtë me jetën e tyre dhe është e pashmangme. Ashtu siç tha një drejtues kanadez televizioni, Steve Paikin, në blogun e tij: "ShBA, ti nuk i meriton paratë e mia." (Wang Lei)

Mrekulli