"Apolong", autobusi pa drejtues i kompanisë kineze "Baidu" do të vihet në prodhim masiv

2018-07-06 08:58:14 CRI Komenti juaj Printoni

Më 4 korrik kompania e fuqishme kineze e teknologjisë "Baidu" organizoi konferencën e zhvilluesve në fushën e inteligjencës artificiale "Creat Baidu". Themeluesi i kësaj kompanie, dhe njëkohësisht kryetar i bordit dhe kryeekzekutiv i saj, Li Yanhong (Robin Li), shpalli vendimin e vënies në prodhim masiv të "autobusit pa drejtues në rrethana të caktuara" me emrin "Apolong" . Aplikimi i teknologjisë së inteligjencës artificiale në sektorët e ndryshme ka tërhequr vëmendjen më të madhe të zhvilluesve dhe kompanive kineze.

Li Yanhong (Robin Li) në konferencën e zhvilluesve në fushën e inteligjencës artificiale "Creat Baidu".

Në konferencën e zhvilluesve të inteligjencës artificiale të organizuar nga "Baidu", në një videokonferencë me kryetarin e bordit të kompanisë së autobusëve "King Long" Xie Siyu, kryetari i bordit dhe kryeekzekutiv i "Baidu"-së Li Yanhong shpalli që i pari autobus me vetëdrejtim i kategorisë L4, ose "autobus pa drejtues në rrethana të caktuara", me emrin "Apolong", do të hyjë në linjën e prodhimit masiv. Krahas kësaj, "Apolong" do të jetë i pari automjet elektrik kinez që do të tregtohet në vende të tjera. Li Yanhong tha:

"'Apolong'-un tani po e çojmë në rajone të ndryshme, përfshirë Pekinin, Guangzhou, Shenzhen-in, Pingtan-in, Xiongan-in dhe Tokion e Japonisë. U interesova edhe për situatën në Tokio dhe më thanë se po bashkëpunojnë me grupin 'Softbank Capital' dhe planifikojnë të vënë 'Apolong'-un në parkun e një centrali bërthamor elektrik për transport dhe në një qendër për të moshuarit. Është realizuar prodhimi në masë i 'Apolong'-ut dhe ka filluar të vihet në përdorim. "

"Apolong" -u nuk ka timon dhe as pedale frenash ose gazi. Udhëtarët mund të ulen në formë rrethi. Autobusi, pasi bateria e tij ngarkohet për dy orë, mund të ecë njëqind kilometra.

Krahas kësaj, në konferencë janë paraqitur produkte të tjera me teknologjinë e inteligjencës artificiale dhe aplikimet e tyre në rrethana të ndryshme, si p.sh. karrocat inteligjente me rrota, parqet logjistike, automjetet pastruese, transporti në zonën portale, të korrat në bujqësi etj.

Autobus pa drejtues "Apolong"

Në të njëjtën kohë, është shpallur shkallëzimi i "Trurit 'Baidu'", platformës së ndërveprimit zanor "DuerOS" dhe platformës së aplikimit të teknologjisë së drejtimit të automjeteve pa drejtues "Apollo". Ndër to, teknologjia e "Trurit 'Baidu'" do të zbatohet në të ardhmen në fushën e shitjes me pakicë pa njerëz dhe përmirësimin e rrjetit të shitjeve në dyqane. Zhu Jianfeng është inxhinier i teknologjisë pamore në kompaninë "Baidu". Ai u prezantoi të pranishmëve se si kabineti inteligjent i mallrave realizoi identifikimin e mallrave:

"Funksionon kështu. Pasi skanoni kodin nëpërmjet aplikacionit 'Alipay', dyert hapen automatikisht dhe mund të zgjidhni gjërat. Nëse nuk e dëshironi më ndonjë produkt, mund ta ktheni. Gjatë këtij procesi, mund të ndiqni ndryshimin e listës së mallrave që keni zgjedhur. Pasi vendosni përfundimisht çfarë mallrash do të blini, 'Alipay' do të nxjerrë faturën automatikisht kur mbyllen dyert. Pagesa bëhet automatikisht. Tashmë po zhvillojmë bashkëpunim me një kompani të specializuar në prodhimin e kabineteve. Ne ofrojmë teknologjinë, ata ofrojnë pajisjet. Planifikojmë ta hedhim në treg."

Hapja e teknologjisë së inteligjencës artificiale është një prej temave të konferencës vjetore. Sipas të dhënave statistikore, qysh nga nëntori 2017 kur u mbajt Konferenca Botërore e "Baidu"-së, deri në mes të qershorit të sivjetshëm, përdorimi i teknologjisë së "Trurit 'Baidu'" dhe numri i zhvilluesve kanë pasur rritje të dukshme. Përdorimi ditor i teknologjisë zanore të "Baidu"-së është rritur me 94 % dhe numri i zhvilluesve aktivë ditorë të kësaj teknologjie është rritur me 83 %. Përdorimi ditor i teknologjisë pamore të "Baidu"-së është katërfishuar, ndërsa numri i zhvilluesve ditorë aktivë është trefishuar. Teknologjia e identifikimit të fytyrës është gati tetëfishuar.

Në këtë konferencë ishin të pranishëm afro 7000 zhvillues. Teknologjitë e inteligjencës artificiale që tërheqin vëmendjen e tyre kanë aplikime në fusha të ndryshme, si dialogu nëpërmjet inteligjencës artificiale, identifikimi i fytyrës, ndërveprimi zanor dhe pamor etj.

Siç mësohet, deri më 8 maj 2018, numri i kompanive kineze të inteligjencës artificiale arriti në 4040. Sipas një sondazhi në Kinë, 31 % e të pyeturve u shpreh se kompanitë ose institucionet ku janë punësuar ata, kanë filluar të përdorin teknologjinë e inteligjencës artificiale, gjë që përbën shifrën më të lartë në botë. (Wang Xianya)

Mrekulli
Lajmet Kryesore