Çfarë tha Rex Tillersoni në Pekin?

2017-03-23 13:21:07 CRI Komenti juaj Printoni
Gjatë takimit të dielën në Pekin me presidentin e Kinës Xi Jinping, sekretari amerikan i shtetit Rex Tillerson zhvilloi bisedën më kuptimplotë gjatë turneut të tij në Azinë Lindore. Xi theksoi rëndësinë e madhe të marrëdhënieve kino-amerikane, ndërsa Tillersoni u shpreh se pala amerikane do të respektojë parimet "pa konklikt e pa kundërvënie", "respektimi i ndërsjellë " si dhe "bashkëpunim me fitime të përbashkëta", të cilat janë përmbajtja thelbësore e propozimit të Pekinit për "marrëdhëniet e tipit të ri midis fuqive të mëdha".

Sipas uebsajtit të Departamentit Amerikan të Shtetit, gjatë bisedës, Tillersoni theksoi të paktën dy herë parimet e sipër përmendura. Gjatë administratës së Barack Obamës, këto parime janë theksuar gjithmonë nga pala kineze, ndërsa mediet nuk e pasqyruan lajmin se pala amerikane i shtjelloi këto parime me iniciativën e saj.

Mediet perëndimore janë të një mendimi se kur foli në Kinë për çështjen e Koresë së Veriut, Tillersoni kishte "ton më të butë". Ai i tha gazetarëve se Kina dhe ShBA-ja do të bashkëpunojnë dhe do të përpiqen ta bindin qeverinë e Phenianit të ndjekë një vijë të ndryshme dhe të ndalojë zhvillimin e armëve bërthamore. Para vizitës së tij, ndonjë medie amerikane njoftoi se Uashingtoni mendon të sanksionojë kompanitë që kanë shkëmbime tregtare me Korenë e Veriut. Por gjatë vizitës së tij, Tillersoni nuk përmendi asnjë fjalë për këtë. Opinioni i Koresë së Jugut mbeti i zhgënjyer nga vizita e Tillersonit, pasi ai nuk shtjelloi haptazi në Pekin "drejtësinë" e dislokimit të THADD-it.

Gjatë vizitës së tij në Japoninë e Korenë e Jugut, Tillersoni shprehu një qëndrim shumë konkret për çështjen e Koresë së Veriut, e cila ishte preokupimi thelbësor i turneut të tij në Azinë Lindore. Por kur erdhi në Kinë, ai ndryshoi theksin e temës dhe marrëdhëniet kino-amerikane u vunë në plan të parë. Ai përmendi se në takimin e ardhshëm midis krerëve të të dy vendeve, do të përcaktohet drejtimi i zhvillimit të marrëdhënieve kino-amerikane për 50 vjetët e ardhshëm. Kjo është një shprehje e re nga pala amerikane.

Pas ardhjes në fuqi të Donald Trumpit si president amerikan, marrëdhëniet kino-amerikane duken më të pasigurta. Nga njëra anë, ato duken më të vështira për shkak të disa fërkimeve, por në të njëjtën kohë, pala amerikane ka shfaqur një prirje pozitive në disa aspekte, për të cilat dy vendet kanë mendime të përafërta strategjike. Në përgjithësi, të dyja palët kanë vullnetin gjithnjë e më të qartë për kontrollin e fërkimeve, që mosmarrëveshjet në marrëdhëniet kino-amerikane të mos shfrenohen.

Procesi i forcimit të njohjes reciproke midis Pekinit dhe qeverisë së Trumpit po ecën më shpejt se parashikimi i mediave, të cilat hamendësojnë guximshëm se marrëdhëniet kino-amerikane "ndoshta do të jenë më të mira" në 4 vjetët e ardhshëm.

Në të kaluarën, pala amerikane nuk i përcaktonte marrëdhëniet kino-amerikane nga ana strategjike, por dëshironte të demonstronte pamjen e përgjithshme të këtyre marrëdhënieve, nëpërmjet punëve e problemeve konkrete. Por qeveria e Trumpit po tregon një dëshirë më të fortë se qeveritë e kaluara amerikane për strukturimin strategjik të marrëdhënieve kino-amerikane. Kjo është mirëpritur nga Pekini zyrtar.

Sigurisht, nuk përjashtohet mundësia që qëndrimi shumë pozitiv i Tillersonit në Pekin është përgatitja e palës amerikane për të bërë pazar të mëtejshëm me palën kineze.

Pekini nuk kundërshton që ShBA-ja të fitojë më shumë interesa në marrëdhëniet me Kinën, por këto interesa duhen të përfshihen brenda kornizës së fitimeve të përbashkëta kino-amerikane, dhe jo si një fitim i njëanshëm. Arritja e një mendimi të përafërt midis dy vendeve për "fitime të përbashkëta", parimisht është pak më e lehtë se ndarja e interesave midis dy vendeve, megjithëse ky nuk do të jetë një proces i lehtë. (Wang Lei)

Mrekulli
Lajmet Kryesore