2017-05-03 14:58:20 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Shikuesit janë shprehur se shumë episode të kësaj drame janë "me këmbë në tokë", si për shembull, ai i sportelit të "qëndrimit galiç" në zyrën e pritjes së letrave të qarkut Guanming. Një sportel i tillë nuk i lejon qytetarët as të qëndrojnë në këmbë dhe as të ulen. Ky problem duhet të zgjidhet në mënyrë urgjente, prandaj tërheq vëmendjen e dy sekretarëve të partisë, Sha Ruijin dhe Li Dakang.
Pas transmetimit të dramës në televizion, sportelet e "qëndrimit galiç" në jetën reale janë korrigjuar shpejt dhe kjo është pritur shumë mirë nga përdoruesit e internetit. Ata kanë theksuar se drama "Në emër të popullit" është një vepër që i jep shoqërisë energji pozitive.
Kjo dramë bashkëkohore me temën e antikorrupsionit është prodhuar bashkërisht nga Qendra e Filmave dhe e Videove e Prokurorisë së Lartë Popullore të Kinës, Drejtoria e Promovimit e Komitetit të Partisë Komuniste të provincës Jiangsu, Qendra e Filmave dhe e Videove "Jindun" e Drejtorisë së Logjistikës pranë Komisionit Qendror Ushtarak tē Kinës, si dhe disa televizone të ndryshme kineze. Mbi 40 aktorë të njohur kinezë luajnë në këtë dramë.
Pasqyrimi realist që i bëhet korrupsionit në këtë dramë mbështetur në raste të vërteta, si edhe lufta e ashpër kundër korrupsionit, janë vlerësuar lart nga spektatorët. Një ndër bashkautorët e kësaj drame, Zhou Meisen, thotë: "Unë kam shkruar shumë romane me temën e antikorrupsionit. Kjo dramë është më e guximshme se të tjerat. Të korruptuarit kanë më shumë imagjinatë dhe janë më krijues se unë, dhe ata kanë krijuar raste korrupsioni njëri pas tjetrit."
Me transmetimin e kësaj drame, shumë nga shprehjet e saj janë përhapur te publiku. Veterani Cen Yanshi tha: "Ai është vetëm një funksionar i nivelit të ulët, por ai përfaqëson shtetin." Kjo thënie vlerësohet si shumë e fortë dhe shumë e mençur. Ajo jo vetëm paralajmëron funksionarët të jenë të pastër, por edhe tregon vëmendjen, vendosmërinë dhe besimin e Partisë Komuniste të Kinës në luftën kundër korrupsionit.
Shikueshmëria e lartë dhe pritja e mirë nga shikuesit tregojnë se drama "Në emër të popullit" është një sukses. Përveç temës aktuale dhe aktorëve të njohur, edhe "faktet e vërteta" janë një arsye e rëndësishme e këtij sukses. Siç thekson edhe aktori protagonist Lu Yi, antikorrupsioni është një dukuri e rëndësishme sot në shoqëri dhe temë që tërheq vëmendjen e qytetarëve, sepse lufta kundër korrupsionit është jo vetëm çështje e shtetit, por edhe ka lidhje me jetën e njerëzve.