Eliza Patricia Dushku

2016-06-29 18:15:36 CRI Komenti juaj Printoni

Aktorja amerikane me origjinë shqiptare Eliza Dushku është e mirënjohur në gjithë botën, falë performancës së saj në filmat Hollywood-ian. 35-vjeçarja është e njohur për shumë role por ne do të përmendim disa pej tyre si Faith në filmin Buffy the Vampire Slayer si dhe serialin Angel. Fillimet e saja në Fox series, i pati në serialin Tru Calling dhe Dollhouse. Por nuk mund të lëmë pa përmendur rolet e tjera të saja, që i dhanë edhe më shumë famë aktores. Rolet e saja në filmat True Lies, The New Guy, Bring It On, Wrong Turn dhe Jay and Silent Bob Strike Back, si dhe zëri i saj i përdorur në voice work në video games, nuk do të fshihen kollaj nga kujtesa e publikut.

Ajo ka lindur në Watertown, Massachusetts. Ajo është e bija e Philip Richard George Dushku, një administrator dhe mësues në shkollën e Bostonit dhe Judith Ann "Judy", një profesoreshë e shkencave politike. Babai i saj është shqiptarë nga Korça ndërsa mamaj e saj ka prejardhje daneze dhe angleze.

Dushku u vu re nga regjizorët e Hollywood-it kur ishte vetëm 10 vjeç. Në atë moshë ajo u përzgjodh për rolin e Alice në filmin That Night. Në vitin 1993, ajo performoi rolin e Pearl përkrah aktorave të mëdhenj si Robert De Niro dhe Leonardo DiCaprioin në filmin This Boy's Life, një rol ky që sipas saj, hapi dyert e suksesit. Një vit më pas ajo aktroi rolin e vajzës adoleshente të Arnold Schwarzenegger dhe Jamie Lee Curtis në filmin True Lies. Gjithashtu ajo performoi në filmin Bye Bye Love, gjithashtu luajti si Cindy Johnson në filmin Race the Sun, e shumë role të tjera.

Dushku dëshironte të ndiqte universitetin Suffolk në Boston, pasi edhe e ëma ishte diplomuar atje. Kur ajo filloi xhirimet për rolin e Faith në Buffy the Vampire Slayer ajo ishte ende minorene. Ndaj asaj i duhej një leje nga gjykata për të punuar si adulte, me orë të gjata. Më pas ajo kujton se gjatë procesit gjyqësorë, gjykatësi i çështjes së saj i kishte shprehur vlerësim dhe kishte pranuar se ishte ndjekës i rregullt i serialit dhe fansë i saj, ndaj me shaka ai kishte thënë që do të firmoste lejen e Elizës për të punuar me orë të gjata, nëse ajo do të pranonte të bënte një foto me të dhe ta firmoste atë.

Pasi përfundoi gjimnazin, Dushku i'u rikthye roleve të saj si Faith Lehane në Buffy the Vampire Slayer, një rol ky që ishte planifikuar vetëm për pesë seri, por u pëlqye aq shumë nga publiku sa qëndroi të gjithë sezonin e tretë dhe u shfaq në dy episode të sezonit të katërt.

Eliza Dushku vizitoi familjen e babait të saj në Shqipëri për herë të parë në vitin 2006 , pas një ftese të bërë nga Kryeministri shqiptarë i asaj kohe Sali Berisha. Ajo vizitoi me këtë rast edhe Kosovën dhe më pas bëri një tatuazh prapa në qafë ku duket qartë emblema e flamurit tonë, shqiponja krenare.

Ndërsa vizita e saj e dytë në Shqipëri ishte në vitin 2011, kur dhe ajo aplikoi për shtetësi shqiptare dhe mori pasaportën shqiptare dhe kartën e identitetit. Ajo u nderua me çmimin "Qytetare Nderi" në Tiranë, si dhe mori titullin "Ambasadore e Tiranës për Kulturën dhe Turizmin nëpër Botë" nga kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha. Përveç këtyre, ajo mori edhe çmimin "Qytetare Nderi" në qytetin e babait të saj, Korçë. Ajo është themeluesja dhe CEO e "Boston Diva Productions" dhe është antare e bordi drejtues të organizatës THRIVEGulu për shërimin e traumave dhe reflekseve në Gulu. Kjo organizat ka për qëllim të ndihmojë ata që i mbijetuan luftrave por ende ndodhen nën efektin e traumave dhe depresionit të post-luftës. Për rolin e saj aktiv dhe model në organizata të ndryshme bamirësie, Dushku u ftua nga Millennium Campus Network (MCN) për të mbajtur fjalim dhe u nderua si fituesja e "Global Generation Award" përkrah Sekretarit të Shtetit amerikan të asaj kohe John Kerry në vitin 2011. (Raela Hafizi)

Mrekulli
Lajmet Kryesore