Ndryshimi i mënyrës së festimit të Vitit të Ri Kinez

2020-02-03 16:57:11 CRI Komenti juaj Printoni

Festa e Pranverës (Viti i Ri Kinez) është festa më e rëndësishme e kinezëve. Kjo është një festë e bashkimit familjar. Me kalimin e kohës, mënyra e festimit të Vitit të Ri nga kinezët ka ndryshuar shumë, megjithëkëtë, vendi që zë familja në zemrën e kinezëve nuk do të ndryshojë kurrë.

E moshuara Zhang Xiusen ka lindur në vitin 1930, pra tani është 90 vjeçe. Në të kaluarën, kushtet e jetesës të familjes së saj ishin shumë të vështira dhe dëshira më e madhe e Zhang Xiusen-it në ato vite ishte të festonte Vitin e Ri Kinez, sepse vetëm me këtë rast ajo mund të hante mish dhe të vishej me rroba të reja. Në vitet '60 – '70 të shekullit të kaluar, darka në vigjilje të Festës së Pranverës ishte absolutisht darka më e pasur e familjeve kineze në tërë vitin. Për shkak të mungesës së të mirave materiale, në atë kohë shumica e ushqimeve merrej me tollon dhe kinezët përdornin zakonisht tollona me rastin e Festës së Pranverës për të blerë mish, peshk, vezë etj. për festën.

Pas hyrjes në shekullin e ri, me zhvillimin e shpejtë ekonomik, koha e mungesës së të mirave materiale në Kinë mori fund një herë e përgjithmonë dhe kinezët nuk shqetësohen më për mungesën e ushqimeve në darkën në vigjilje të Festës së Pranverës. Sot kinezët i kushtojnë më shumë vëmendje ngrënies së një darke të shëndetshme të Vitit të Ri e zakonisht nuk hanë shumë gjellë me mish si më parë.

Sot vizita tek të afërmit, veshja me rroba të reja, ngrënia e darkës së bashkimit familjar etj. janë gjëra të zakonshme në jetën e kinezëve dhe nuk janë më dukuri të posaçme me rastin e Vitit të Ri Kinez. Me ndryshimin e mënyrës së jetesës së kinezëve, ka ndryshuar gjithashtu mënyra e festimit të Vitit të Ri Kinez.

Në raportin për zakonet e reja të kalimit të Vitit të Ri Kinez të hartuar nga Instituti Studimor i Ekonomisë së Re të Kinës, del se vitet e fundit, e ashtuquajtura "mbledhje e pesë bekimeve", shprehja e urimeve me rastin e Vitit të Ri në internet, marrja e zarfeve të kuqe në aplikacionin "Wechat" dhe turizmi jashtë vendit janë bërë katër mënyrat e reja të kremtimit nga kinezët të Festës së Pranverës. Studiuesi i këtij instituti Xu Jianfeng u shpreh se zhvillimi tekniko-shkencor ka ndikim të madh mbi ndryshimin e mënyrës së festimit të Vitit të Ri Kinez:

"Shkaku kryesor është zhvillimi i shpejtë tekniko-shkencor, për shembull përparimi i teknologjisë së telekomunikacionit nga 2G në 5G. Zakonet e reja të festimit të Vitit të Ri kanë pasqyruar ndryshimin e shoqërisë kineze."

Specialisti i etnografisë Gu Jiaxi është i mendimit se zakonet e reja me rastin e Vitit të Ri Kinez nuk janë mohim i zakoneve tradicionale, përkundrazi, janë trashëgim i tyre, duke qenë diçka që ka lindur nga ndërthurja e zakoneve tradicionale me teknologjitë e reja. (Fani)

Mrekulli