Shëtitje në qytetin e lashtë Kashgar të Xinjiang-ut

2019-11-21 10:46:09 CRI Komenti juaj Printoni

Ka një shprehje: "Ai që nuk shkon në Kashgar, nuk ka qenë në Xinjiang". Gjatë mbi 2100 vjetëve, Kashgari ka qenë gjithmonë qyteti më i madh në jug të Rajonit Autonom të Xinjiang-Ujgurit dhe, po ashtu, ishte një nyjë e rëndësishme e transportit dhe e tregtisë në Rrugën e lashtë të Mëndafshit. Në vitin 218 para erës sonë, i dërguari i posaçëm i dinastisë Han Perëndimore Zhang Qian e vizitoi Kashgarin, duke u habitur nga pamja e lulëzuar e këtij qyteti. Në një libër shënimesh të kësaj vizite, Zhang Qian-i shkroi se Kashgari është njësoj si qytetet e mëdha në krahinat qendrore të Kinës.

Qyteti i lashtë i Kashgarit ka famë për shkak të elementeve të forta të krahinave të lashta perëndimore që përmban. Ai është i vetmi qytet kinez që ka si karakteristikë kulturën islamike. Xhamia Heytgah Meschit është qendra e Kashgarit dhe rreth xhamisë shtrihen rrugët e qytetit. Në qytetin e lashtë të Kashgarit ka 13 rrugë kryesore, afro 100 rrugica, shumë pazare dhe banesa prej dheu e druri. Kur ecën në qytetin e lashtë, të duket sikur hyn në një labirint.

Në Kashgar turistët mund të vizitojnë shtëpitë e banorëve vendorë. Nëse të dy kanatet e portës së një shtëpie janë të hapura, kjo do të thotë se i zoti i shtëpisë është brenda. Nëse është i hapur vetëm njëri nga nga kanatet, kjo do të thotë se vetëm e zonja e shtëpisë është brenda. Nëse në portë është e varur një perde, kjo do të thotë se kanë ardhur mysafirë.

Kur shëtit në qytetin e lashtë të Kashgarit, të duket sikur koha ecën më ngadalë. Zejtarët e kombësisë ujgure prodhojnë produkte të ndryshme të bukura buzë rrugës, ndërsa turistët shijojnë mishin e pjekur të qengjit dhe frutat e ëmbla. Kashgari është një qytet që e vlen të vizitohet. (Fani)

Mrekulli
Lajmet Kryesore