2017-07-13 14:36:44 | CRI | Komenti juaj | Printoni |
Por një sondazh i kohëve të fundit tregon se katër "homologë modernë" të këtyre shpikjeve janë bërë popullore në vendet përgjatë "Një brez, një rrugë".
Sipas sondazhit të Universitetit të Studimeve të Huaja të Pekinit, studentët nga 20 vende përgjatë "Një brez, një rrugë" kanë vlerësuar këto shpikje moderne në Kinë, të cilat janë: trenat e shpejtësisë së lartë, "Alipay", biçikletat inteligjente dhe platformat e blerjeve në internet taobao apo jd.com.
1. Hekurudha me shpejtësi të lartë
Sot, hekurudhat me shpejtësi të lartë janë bërë një simbol i shquar i rritjes së fuqisë së Kinës. Historia 132-vjeçare e sektorit hekurudhor në Kinë ka shënuar një rritje të madhe cilësore.
Linja e parë hekurudhore në Kinë prej 14,5 kilometra e gjatë ishte ajo Wusong në Shanghai, e ndërtuar nga tregtarët britanikë në vitin 1876, por u kundërshtua nga zyrtarët e dinastisë Qing (1644-1911) për shkak të ndikimit të jashtëm pas disa pushtimeve nga forcat perëndimore.
"Për të qenë një vend i begatë dhe i fortë, Kina duhet të ndërtojë hekurudhat," tha Wang Mengshu, një akademik pranë Akademisë Kineze të Inxhinierisë dhe ekspert hekurudhor.
Aktualisht Kina ka 124 mijë km linja hekururdhore, ndër të cilat 22 mijë janë linja të trenave të shpejtësisë së lartë. Linjat hekurudhore të Kinës llogariten të jenë të barabarta me gjysmën e linjave të përgjithëshme hekurudhore në mbarë botën.
Pas zhvillimit të teknologjisë së lartë në Kinë hekurudhat e shpejtësisë së lartë janë ndër më të përparuarat në botë. Rritja e shpejtësisë së trenave ka afruar qytetet me njeri-tjetrin.
Trenat e shpejtësisë së lartë janë një nga arritjet më të mëdha të industrializimit të vendit në 30 vitet e fundit kur është zhvilluar reforma e hapjes së Kinës ndaj botës.
Trenat e shpejtësisë së lartë duke përmirësuar cilësinë e shërbimit për pasagjerët kanë rritur dhe interesimin e të huajve për këtë nivel të lartë të infrastrukturës hekurudhore. Teknologjia e përdorur në trenat e shpejtësisë së lartë është një teknologji lider në këtë sektor. Kohët e fundit Kina ka nisur bashkëpunimin dhe shkëmbimet në sektorin hekurudhor me shumë vende të botës pikërisht për trenat e shpejtësisë së lartë. Këto marrëveshje përfshijnë disa vende dhe rajone të botës dhe pjesë e tyre pritet të bëhet dhe Shqipëria.
Ndërkohë përhapja e trenave të shpejtësisë së lartë brenda Kinës po bëhet me ritme të shpejta. Një linjë e re e trenave të shpejtësisë së lartë pritet të nisë këtë vit nga Pekini deri në qytetin Zhangjiakou të provincës Hebeiku aktualisht udhëtimi me tren të zakonshëm zgjat mbi 3 orë dhe pas nisjes së trenit të shpejtësisë së lartë do të shkurtohet me 50 minuta. Me ofertën e Pekinit dhe Zhangjiakout për Lojërat Olimpike Dimërore 2022 pritet që mundësitë e shtimit të linjave hekurudhore të trenave të shpejtësisë së lartë të jenë të mëdha.
2. Alipay
Kina ka afro gjysmë miliardi përdorues të platformës "Alipay".
"Alipay", platforma e pagimit të palës së tretë pranë kompanisë kineze të biznesit online "Alibaba". Me anën e kësaj paltforme, çdo klient mudn të bëjë blerje, financim, shpenzime për ujë, energji e gaz, shlyerje për kartë krediti etj.
Kompania gjigante kineze e shitjeve online "Alibaba" ka nisur shërbimin e saj të pagesave me anë të një aplikacioni në celular "Alipay" edhe në Europë.
Konsumatorët kinezë e përdorin këtë aplikacion në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Francë, Çeki dhe Itali.
Alipay ka fituar popullaritet në Europë falë potencialit të tij për rritjen e blerjeve nga turistët kinezë.
Një raport i fundit tregon se turistët kinezë nga pjesa kontinentale janë një forcë e madhe e rritjes së turizmit global.
Si shpenzuesit më të mëdhenj të botës, turistët nga pjesa kontinentale e Kinës shpenzuan 261 miliardë dollarë në vitin 2016, afro 21 për qind e konsumit botëror turistik.
Turizmi i kinezëve në vendet e tjera njeh një rritje dyshifrore për të 12 vit radhazi.
Të dhënat e fundit nga Forumi Ekonomik Botëror tregojnë se turizmi gjeneroi afro 7.6 trilionë dollarë amerikanë, duke mbështetur mbi 292 milionë vende pune, apo një ndër 10 vende pune në mbarë botën.
3. Biçikletat inteligjente
Rrugët e Pekinit janë mbushur me biçikletat shumëngjyrëshe, që me nisjen e pranverës. Të parkuara në trotuare, kryesisht në udhëkryqe, pranë stacioneve të metrove dhe të autobusëve këto biçikleta mund të përdorë kushdo, në sajë të një aplikacioni online.
Kinezët gjithmonë janë shquar për pasionin e tyre ndaj biçikletave, por kjo ka ndryshuar me kalimin e viteve dhe modernizimin e vendit.
Por ky pushtim i metropoleve kineze nga biçikletat këtë vit me sa duket ka rikthyer nostalgjinë e qytetarëve për to.
Pavarësisht rritjes së numrit të makinave, shtimit të mjeteve të transportit si metroja, autobusët urbanë, taksitë dhe shërbime të tjera tradicionale të Kinës, përdorimi i biçikletave për distanca jo shumë të mëdha është një lehtësi për qytetarët.
Metropolet kineze dhe sistemi "bike sharing"
Vetëm gjatë muajit mars në rrugët e Pekinit janë shpërndarë mbi 200 mijë biçikleta që mund të përdoren nga qytetarët në bazë të sistemit "bike sharing".
Ato dallohen vetëm nga ngjyra e verdhë dhe portokalli, e ofruar nga kompanitë por mund të përdoren njësoj. Çmimi i përdorimit të një biçiklete është 1 juan në orë. Monitorizimi dhe pagesa për përdorimin e biçikletës kryhet nëpërmjet internetit.
Biçikletat janë përhapur gjerësisht dhe në Shangai ku parashikohet, sipas mediave vendëse që deri në qershor të këtij viti, të arrijnë në 500 mijë.
Pritet që në qendrat e zhvilluara ekonomike të Kinës si Chengdu, Hangzhou, Tianjin, Ningbo dhe Chongqin të ketë përhapje qarkullimi me këto lloj biçikletash.
Synimi i autoriteteve vendore është që në fazën e parë të këtij projekti të mbulohet kërkesa e klientëve deri në 20 milionë biçikleta.
Biçikletat e monitorizuara me satelit mund të çbllokohen nëpërmjet telefonit celular, në të cilin është shkarkuar më parë një aplikacion APP.
Personi që i nevojitet biçikleta pasi ka vendosur në telefonin e tij celular aplikacionin mund të hapë biçikletën dhe programi lidhet menjëherë me llogarinë e tij, nëpërmjet skanimit të kodit QR. Pas përdorimit të biçikletës riskanohet kodi QR dhe sistemi i bllokimit të biçikletës aktivizohet, ndërsa pagesa shfaqet në ekranin e telefonit celular të perdoruesit. Pavarësisht se përdorimi i sistemit "bike sharing" është mjaft i thjeshtë, gjithësesi tashmë kanë lindur probleme të dëmtimit apo përvetësimit të biçikletave, pasi ato mund të lihen kudo.
Aktualisht 450 milionë kinezë kanë 650 milionë biçikleta, të cilave deri në fund të këtij viti pritet t'i shtohen dhe 50 milion të tjera.
4. Blerjet online
Për sa i përket vëllimit të tregtisë në internet, vështirë se mund të gjendet ndonjë vend tjetër që të konkurrojë Kinën.
Po të pyesësh cila është mapoja më e madhe në Kinë, përgjegja pa tjetër do të jetë "Taobao", një uebsajt ku mund të gjesh çfarëdo lloj produkti në miliona dyqane vizuale.
Para 15 vjetësh, askush nuk mund të imagjinonte se blerja në internet që ka qenë "një veprim që harxhon kohë dhe energji" sot mund të bëhej mënyra më e rëndësishme e blerjes për konsumatorët kinezë, sidomos ata të rinj. Tani, është shumë normale që përdoruesit kinezë të internetit të futen në websitet përkatëse për të bërë pazar. Vetëm pasi klikojnë disa herë tastierën, bëjnë porosinë dhe mallrat mbërrijnë te hyrja e shtëpisë së tyre, me postë të shpejtë. Libra apo sende kozmetike, ushqim apo veshje, qumësht apo moda e fundit e Ipad-it, ata që ekzistojnë në jetën reale, gjenden pa tjetër në mapon kibernetike.
Gjithnjë e më shumë kinezë blejnë nëpërmjet internetit. Tregtia elektronike, si industri e re strategjike, ka luajtur rol të rëndësishëm në ndryshimin e mënyrës së rritjes ekonomike dhe modernizimin e qarkullimit dhe është bërë një nga mënyrat kryesore të stimulimit të ekonomisë, të konsumit dhe të punësimit.
Mbi 80% e familjeve kineze kanë bërë blerje online
Biznesi elektronik po shkrihet me tregtinë tradicionale. Shitësit tradicionalë me pakicë po i drejtohen internetit, duke u bërë forca e rëndësishme e shitjes me pakicë në internet dhe se biznesi elektronik ka nxitur edhe ngritjen e nivelit të shërbimeve të logjistikës dhe njëkohësisht, shërbimet financiare online e detyrojnë degën bankare tradicionale të kërkojë modelin e ri të shërbimeve.
Personalitete të kësaj fushe parashikojnë se deri në vitin 2020, vëllimi i shitjes me pakicë në internet në Kinë do të arrijë në 4.2 trilionë juanë, shifër kjo e barabartë me shumën aktuale të tregjeve amerikane, japoneze, britanike, gjermane dhe franceze.
Epërsia e blerjes në internet
Zhvillimi i vrullshëm i shitjes me pakicë në internet vjen nga kërkesa e madhe e tregut kinez. Studiuesja e Institutit Kërkimor pranë Ministrisë së Tregtisë të Kinës, Zhao Ping tha se Kina ka një popullsi të madhe dhe shumë prej tyre përdorin internetin, prandaj kërkesat e përgjithshme të tregut janë të shumta.
Në krahasim me shitjen reale me pakicë, ajo në internet zhduk kufizimet e kohës dhe të hapësirës, prandaj ka forcë të veçantë tërheqëse për konsumatorët.