Haruki Murakami: "Japonia të kërkojë falje për Masakrën e Nanjingut"

2017-03-23 15:15:16 CRI Komenti juaj Printoni

Një ndër autorët më të njohur japonezë Haruki Murakami është vënë përballë debatesh të shumta pasi kohët e fundit ka pranuar Masakrën e Nanjingut në romanin e tij me titull "Kishidancho Goroshi", në shqip "Vrasja e Komandantit" Romani i prezantuar më 24 shkurt me 1.3 milion kopje është i pari libër shumëvëllimësh i Murakamit që nga ai me titull 1Q84 dhe menjëherë është konsideruar një best seller.

Në një kohë që qeveria japoneze dhe kreu i saj Shinzo Abe por dhe partitë konservatore në Japoni e mohojnë këtë masakër, Murakami përmes vepres së tij letrare bën të kundërtën. Protagonisti i romanit është një piktor 36 vjeçar që jeton në fshat dhe së bashku me fqinjin e tij në papafingon e shtëpisë zbulon një pikturë të titulluar "Vrasja e Komandantit"

Duke folur për jetën e autorit të pictures, fqinji përmendi një sërë ngjarjesh të ndodhura në vitet 1937-1938, të cilat i quajti "fatale" për Japoninë, por që kishin ndikuar dhe në jetën e piktorit dhe të familjes së tij, përfshirë dhe pushtimin japonez të Kinës dhe Masakrën e Nanjingut.

"Po. Ndodhi një masakër në Nanjing. Japonezët rrethuan qytetin e Nanjingut, pas betejave të përgjakshme dhe vranë plot njerëz aty. Trupat japoneze nuk patën kohë për robërit e luftës dhe vranë shumë prej tyre por dhe civilë", shkruan Murakami duke iu referuar rrëfimit të fqinjit në librin e tij.

Në roman është dhe personazhi i vëllait të piktorit, një i ri 20 vjeçar, i inkuadruar në ushtrinë japoneze që u dërgua në Kinë në vitin 1938. Pas një viti, më 1939 ai u rikthye në Japoni por vrau veten.

Si është e mundur që një ushtar i cili ka mbetur gjallë pas një lufte të ashpër, kur rikthehet në atdhe të vrasë veten ? Shqetësimi i këtij të riu reflekton dhe trazirën shpirtërore të autorit të romanit.

Pushtuesit japonezë vranë rreth 300 mijë civilë kinezë dhe ushtarë të paarmatosur, në përpjekje për të pushtuar Nanjingun në vitin 1937.

Kritika ultranacionaliste ndaj veprës së Murakamit

Ky roman i fundit i Murakamit është përballur me kritika të krahut ultranacionalist në Japoni, të cilët e kanë mohuar tërësisht Masakrën e Nanjingut. Ata kanë arritur deri aty sa të aludojnë se Murakami, duke përmendur në roman Masakrën e Nanjingut, duke u solidarizuar me Kinën pret të marrë çmimin Nobel.

Por nga ana tjetër shumë kritikë letrarë dhe lexues kanë vlerësuar guximin e shkrimtarit Murakami, i cili nëpërmjet veprës së tij evokon një moment historik.

"Po lexoj romanin e ri të Murakamit, që më pëlqen shumë. Disa njerëz në Twitter e akuzojnë atë si tradhtar dhe kjo më befason", shkruan në rrjetin social Twitter, një përdorues japonez.

"Murakami përmend agresionin e Japonisë. Ai prek tema që ngjallin debat. Ai është shumë i guximshëm", thotë Mariko Ozaki, një redaktor i gazetës së njohur japoneze Yomiuri Shimbun.

Kritika letrare është ndalur te vazhdimësia e krijimtarisë së Murakamit dhe te qëndrimi i tij nga luftës.

Gjatë një interviste për "Tokyo Shimbun" në vitin 2015, para fjalimit të kryeministrit japonez Shinzo Abe, me rastin e 70 vjetorit të Luftës së Dytë Botërore, Murakami theksoi se Japonia duhet të kërkojë falje për krimet e kryera në vendet fqinje gjatë Luftës së Dytë Botërore.

"Mendoj se historia është shumë e rëndësishme dhe të kërkosh falje sinqerisht është po aq e rëndësishme. Nuk është turp të kërkosh falje," tha i nominuari për çmimin Nobel.

Në krijimet e tij të mëparëshme si "Kronika e zogut fluturues" botuar në vitin 1994, Murakami pasqyroi krimet e trupave japoneze në luftën pushtuese ndaj Kinës.

"Kjo luftë nuk është normale, në asnjë lloj mënyre. Ne kemi vrarë civilë të pafajshëm. Në Nanjing ne kemi kryer krime të tmerrshme. Dhjetra kinezë i kemi vrarë duke i qëlluar me Granada. Kemi bërë veprime që nuk mund të përshkruhen me fjalë," shkruan Murakami në librin e tij, përmes dialogjeve.

Kritika letrare dhe vepra e Murakamit

"Vemendja e Murakamit ndaj çeshtjeve historike dhe shoqërore është pasqyruar në krijimtarinë e tij. Në veprat e tij më të hershme si "Dëgjoje këngën e erës", botuar në 1979, ai fokusohej në botën e tij të brendshme. Por incidenti me gaz sarin në metronë e Tokios në vitin 1995 e tronditi shumë shkrimtarin dhe ai nisi ti kushtojë vëmendje më të madhe shoqërisë që e rrethonte. Kjo vërehet në romanin e tij 1Q84," komenton Li Shengjie, profesor i asociuar, studjues i letërsisë japoneze pranë Universitetit kinez të Wuhanit.

Duke analizuar veprën e Murakamit në tërësi studjuesi kinez i letërsisë Li shton se " Murakami e përmend në romanin e tij Masakrën e Nanjingut si një fakt historik dhe nuk ndryshon qëndrimin e tij për të fituar çmimin Nobel, siç pretendojnë përfaqësuesit e të djathtës ekstreme në Japoni"

"Vepra e Murakamirt është e njohur dhe popullore në mbarë botën sepse ai shquhet për një mënyrë origjinale të ndjenjave të individëve në qytetet kozmopolite, pavarësisht kombësisë, përkatësisë etnike apo shtresës së tyre shoqërore ", shprehet për agjencinë kineze të lajmeve Xinhua Takashi Okada, një analist i Kyodo News.

Sipas tij "Arsyeja përse Murakami përmend pushtimin nazist dhe atë japonez në librat e tij dhe bën thirrje që Japonia të kërkojë falje është sepse sipas shkrimtarit njerëzit në vende të ndryshme duhet të njohin së pari historinë para se të komunikojnë sinqerisht mes tyre".

Haruki Murakami është shkrimtar japonez, kandidat për çmimin Nobel për letërsi. Librat e tij janë bestsellers në Japoni dhe shumë vende të botës dhe janë përkthyer në mbi 50 gjuhë, e shitur në miliona kopje. Ai është nderuar me shumë çmime ndërkombëtare letrare, ndër të cilët "Frank O'Connor për tregimin e shkurtër, Çmimin "Franc Kafka" dhe atë të Jeruzalemit. Veprat e Murakamit janë përkthyer dhe në gjuhën shqipe dhe janë mirëpritur nga lexuesit.(Eda Merepeza)

Mrekulli
Lajmet Kryesore