Kafeja, tashmë një pjesë e ditës edhe për kinezët

2016-06-22 16:20:56 CRI Komenti juaj Printoni

 

Edhe pse Kina njihet si vendi i çajit, kafeja është bërë pjesë e ditës së kinezëve sidomos të brezit të ri. Kjo e ka shndërruar Kinën në tregun me rritjen më të shpejtë në botë për kafenë.

Në një çajtore të perëndim të Pekinit, sheh burra që tymosin dhe luajnë mahjong. Një tjetër burrë sjell në tavolinë katër filxhanë dhe një çajnik. Një tjetër qëndron i ulur në një divan e lexon gazetat.

Kjo është një skenë e njohur kudo në qytet por edhe në mbarë Kinën, ku pirja e çajit e çajtoret janë sinonime të mënyrës kineze të jetesës.

Por chaguan (çajtoret), që dikur nuk kishin rivalë, tashmë mund të rrezikohen. Në qytetet si Shanghai apo Shenzheni, ose edhe në zonat e tjera që po zhvillohen, kafenetë po hapen kudo.

Sipas të dhënave, në 2012-ën numri i kafeneve në Kinë ishte 31 mijë e 783 dhe pritet që të shtohen, ndërsa i çajtoreve 50984, por nuk është shënuar ndonjë rritje.

Kompania britanike "Mintel" thotë se kafenetë në Kinë u shfaqën në vitet '90 dhe që atëherë numri i tyre ka pasur një rritje të shpejtë. Të rinjtë zgjedhin kafenetë dhe pse çmimi është i lartë. Një kafe e thjeshtë është 3-4 dollarë, ndërsa në Amerikën e Veriut është dy dollarë. Ndërsa çajtoret kanë pasur vështirësi dhe janë fokusuar kryesisht te turistët apo të moshuarit me të ardhura të pakta, të cilët i zgjedhin si vende për t'u argëtuar.

Ekspertët thonë se mungesa e markave të çajtoreve tradicionale do të thotë se ato nuk kanë marrë parasysh sfidat që sjell përhapja e shpejtë e kafeneve.

Kinezët sot mbajnë radhën për të blerë një kafe në kafenetë ndërkombëtare zinxhir si Starbucks, që hyri në Kinë për here të parë në vitin 1999 dhe që ka në plan ta çojë numrin e kafeneve në mbi 3,000 deri në vitin 2019 dhe Costa Coffee, që ka 344 pika në Kinë dhe ka në plan që ta çojë numrin në 900 deri në vitin 2020.

Për të tërhequr sa më shumë klientë kinezë, kafenetë e huaja në Kinë po i përshtasin produktet e tyre sipas shijeve kineze, përfshi pije me bazë çaji apo ato të ëmbla. Psh, Starbucks-ët në Shangai ofrojnë Frapucino me çaj jeshil dhe tortë me çaj jeshil.

Pjesa më e madhe e kafesë në Kinë importohet megjithatë një pjesë e mire e prodhimit vjen nga provinca Yunnan, ku kafeja kultivohet në masë që prej 2008-s.

Sipas shifrave nga Shoqata e Kafesë e Yunnan-it prodhimi i kafesë është dyfishuar në vitet e fundit nga 60 mijë tone në 120 mijë.

Starbucks në çdo cep të Pekinit

Kina do të bëhet tregu i dytë në botë për Starbucks-in duke nisur prej vitit të ardhshëm.

Këto kafene në Kinë, sidomos në Pekin qëndrojnë hapur 24 orë.

Sot ky vend është bërë pjesë e jetës së kinezëve, të cilët mblidhen së bashku për t'u dëfryer, zakonisht pasditeve dhe në fundjavë.

Prej shekujsh, kafeja është pjesë e rëndësishme e jetës në Perëndim. Teksa kompanitë e huaja, përfshirë "Starbucks", "Costa Coffee", "Nestle" e "Maxwell", konkurrojnë për të fituar sa më shumë terren në tregun kinez, kombi i njohur për pirjen e çajit gjithnjë e më shumë tani po preferon kafenë.

Në qytetet e mëdhenj kinezë, si Pekini, Shangai apo Guangzhou shpesh mund të shohësh dikë që punon me laptop dhe ka pranë filxhanin e kafesë. Ekspresët e kafeve tani janë pjesë e pandarë e shtëpive apo zyrave.

Dashuria e shangajasve për kafenë nuk është e re

Edhe pse kafeja mund të duket si një pije e re në Kinë, por në Shangai kafeja ka disa dekada që pihet.

Psh tek Deda café, kinezët qëndrojnë në radhë çdo mëngjes për kafene e tyre të preferuar.

I njohur si "Parisi i Lindjes," Shangai ka tërhequr biznesmenë dhe turistë nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuara dhe Franca, të cilët sollën me vete edhe zakonet e tyre të pirjes së kafesë.

Pavarësisht shtimit të ermave ndërkombëtare të kafesë, Deda ka klientët e rregullt të mëngjesit.

Deda, u hap në vitin 1897 si një restorant gjerman dhe ka mbijetuar deri sot. Sidomos të vjetrit preferojnë kafen Americano, që mendohet se ka ardhur nga kafeja italiane që rritet në Yunnan.

Kafeja mendohet se u shfaq për herë të parë në Kinë kur një misionar francez mbolli kafe në mbarë provincën Yunnan në vitet 1890. Në vitet e mëpasshme, kafeja u kthye në një pije të preferuar për shumë kinezë. (Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore