Delegacioni i Ansamblit së Këngëve dhe Valleve i Guangdong-ut viziton Shqipërinë

2019-03-01 08:44:06 CRI Komenti juaj Printoni

Më 14 shkurt në mbrëmje, në sallën muzikore të Universitetit të Arteve të Tiranës u dha shfaqja e kërcimit modern të Operës së provincës kineze Guangdong "Zgjimi". Në këtë shfaqje ishin të pranishëm ambasadori kinez në Shqipëri Zhou Ding dhe zonja e tij, zv.kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë Vasilika Hysi, kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë në Kuvendin e Shqipërisë Bashkim Fino, këshilltari për çështjet ndërkombëtare i presidentit të Shqipërisë Genc Muçaj, si edhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, të partive, të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri-Kinë, të Shoqatës Kulturore "Alb-China", të Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Kinë dhe të qarqeve të ndryshme, kinezë që jetojnë në Shqipëri, studentë, përfaqësues nga organizatat kineze në Shqipëri etj .

Ky ansambël u krijua në korrikun e vitit 1949 dhe është grupi më i madh dhe me më shumë potencial në pjesën jugore të Kinës. Për rreth 70 vjet, ky grup realizoi shumë vepra të spikatura artistike dhe fitoi disa çmime të mëdha në rang kombëtar. Në këtë grup bëjnë pjesë edhe talente të njohur në fushën e valles, vokalit dhe projektimit skenik. Performancat e tyre janë mirëpritur shumë si nga brenda ashtu edhe jashtë vendit. Këtë herë, delegacioni i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve i Guangdong-ut dërgoi në Shqipëri 31 anëtarë të stafit, të cilët sollën shfaqjen e kërcimit modern "Zgjimi", që është një nga grupi i shfaqjeve në kuadër të kremtimit të 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës e Shqipërisë. Delegacioni mori gjithashtu pjesë në veprimtaritë e shkëmbimeve kulturore me Institutin "Konfuci" të Universitetit të Tiranës.

Ansambli shpreson që nëpërmjet shfaqjes së kërcimit modern të shpalosë frymën e re të kinezëve në procesin e Reformës dhe të Hapjes së Kinës. Wu Po, skenaristi dhe kryetari i delegacionit tha:

"Shfaqja e kërcimit modern "Zgjimi" ka ndryshime të mëdha në krahasim me vallet e këngët tradicionale kineze që shpesh përdoren në vizitat e delegacionit jashtë vendit. Dëshirojmë të tregojmë se në procesin e Reformës dhe të Hapjes së Kinës, aftësia e krijimit të shfaqjes së kërcimit modern është po aq e fortë sa niveli i zhvilluar botëror."

Shfaqja u mbjat në Ditën e Shën Valentinit dhe "Zgjimi" tregon dashurinë e njerëzve për natyrën dhe jetën në fshat si dhe shpresën për dashurinë e pastër. Prandaj "Zgjimi" ofroi gjithashtu elemente romantike me rastin e kësaj dite. Wang Xuesong, koreografja e pjesës "Zgjimi" tha:

""Zgjimi" tregon që njerëzit duan jetë të lirë dhe shpalos respektin dhe vlerësimin e njerëzve për natyrën, për jetën. Kjo është një temë tërheqëse për të rinjtë.""

Shfaqja u mbyll me ovacione dhe vlerësime të shumta, duke treguar pëlqimin e publikut shqiptar ndaj artistëve kinezë. Koreografja Wang Xuesong u shpeh se kishte mbetur e mrekulluar.

"Artisët performuan shumë mirë. Kur ra perdja u surprizova ndaj ovacioneve dhe emocioneve të publikut dhe performuesit qëndruan për kohë të gjatë. Duartrokitjet ishin shumë të ngrohta, gjë që na ngazëlloi pa masë. Përpjekjet tona u vlerësuan nga publiku dhe për këtë jemi veçanërisht të lumtur."

Përveç shfaqjes, delegacioni i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve i Guangdong-ut zhvilloi gjithashtu shkëmbime kulturore me Institutin "Konfuci" të Universitetit të Tiranës. Drejtori i delegacionit Wu Po i njohu studentët dhe stafin shqiptar me traditat e Festës së Pranverës të Kinës. Ai tha se shqiptarët kanë shumë interes për kulturën kineze.

"Ata kanë shumë interes për kulturën e traditat e Festës së Pranverës të Kinës. Ju thashe se në mbrëmjen e ditës së fundit të vitit, kinezët ulen për darkë me të gjithë anëtarët e familjes. Në provincën Guangdong, kur përfundojmë darkën shkojmë për shëtitje në tregun e luleve. Përveç këtyre, kinezët do të hedhin fishekzjarrë si dhe do të kërcejnë Vallen e Dragoit dhe të Luanit. Kantonezët blejnë lule portokalli në treg për të pasur fat të mirë në vitin e ri. Ndërsa lulet e pjeshkës sjellin fat të mirë në dashuri. Lulja e narcisit tregon paqe, ndërsa gladiola sukses në karrierë. Ata kanë shumë interes për këto tradita."

Koreografja e kërcimit modern "Zgjimi" Wang Xuesong ndau historinë e krijimit të kësaj vepre me të pranishmit. Artistët kinezë u dhanë leksion studentëve shqiptarë mbi kërcimin modern, vallen e Guangdong-ut "Qiangu" dhe u provuan valle të lashta kineze "Hantang".

Drejtori i delegacionit Wu Po u shpreh se të rinjtë shqiptarë ishin shumë të zellshëm në procesin e mësimit të valles kineze dhe e provuan me pasion.

"Megjithëse koha e provave ishte e shkurtër dhe ata s'mund ta zotërojnë plotësisht stilin e valles kineze, ata punuan me shumë zell dhe e përmbushën me pasion. Pati momente të bukura. Studentët që s'patën mundësi të dalin në skenë shprehën keqardhje të madhe."

Ndërsa studentët shqiptarë dhanë shfaqje me valle tradicionale nga Veriu dhe Jugu i Shqipërisë, duke u treguar miqve kinezë lëvizjet e veçanta të kërcimit të "Vendit të Shqiponjave". Nën shoqërimin e melodisë së valles së Tropojës, artistët kinezë u bashkuan me studentët shqiptarë. Duke mësuar dhe duke vallëzuar, pjesëmarrësit nga të dy palët e kaluan kohën në një atmosferë të gëzueshme.

Koreografja Wang Xuesong u shpreh se këto shkëmbime i ofruan frymëzim e burim për krijimin e veprave.

"Në të kaluarën, nuk kisha shumë dijeni për Shqipërinë. Falë kësaj here të aktivitetit të shkëmbimeve, njoha më tej vallen dhe muzikën e tyre. Muzika shqiptare është shumë ritmike dhe e gëzuar dhe vallëzimi është shumë i shpejtë. Sidomos me ndryshimin e zonës, ndryshojnë edhe vallet e tyre. Mësova shumë nga këto valle e muzikë. Ky është një shans shumë i mirë dhe jam mirënjohëse që patëm rast për këtë aktivitet të shkëmbimeve".

Edhe pse delegacioni qëndroi vetëm dy ditë në Tiranë, miqësia e madhe që përcollën shqiptarët ndaj kinezëve i la përshtypje shumë të thellë drejtorit Wu Po.

"Rruga nga hoteli im deri tek salla e shfaqjes ishte rreth 10 minuta. Gjatë shkuarjes atje, kur po ecnim patëm ndjenja të veçanta. Banorët e thjeshtë shqiptarë janë shumë miqësorë me ne. Ata na pytën a jeni nga Kina? Pasi iu përgjigjëm PO, ata na bënë OK me gishtin e madh, për të shprehur se populli kinez dhe populli shqiptar janë gjithmonë miq të mirë." (Çang Çuo)

Mrekulli
Lajmet Kryesore