Mirë se vini në Shqipëri---Shërbimet

2018-05-30 11:17:30 CRI Komenti juaj Printoni

Muaji maj është një kohë shumë e bukur në Kinë. Një delegacion shqiptar turistik vizitoi Kinën dhe mori pjesë në kurset për menaxhimin turistik dhe për shoqërues turistësh. Aktivitetet e shkëmbimeve zgjatën 20 ditë. Delegacioni përbëhej nga 25 anëtarë nga fusha të ndryshme të industrisë turistike shqiptare, njëkohësisht delegacioni më i madh turistik në vitet e fundit. Ata vizituan disa qytete kineze duke përmbushur misionin e tyre më të rëndësishëm, prezantimin e shërbimeve dhe burimeve turistike të Shqipërisë. Përmes kësaj vizite ata shpresojnë që përmes angazhimit të tyre të tërheqin më shumë turistë kinezë të vizitojnë vendit të shqiponjave.

Kohët e fundit, qeveria shqiptare vendosi që për periudhën nga 1 prilli deri më 31 tetor 2018, shtetasit me pasaporta të zakonshme nga nëntë vende, duke përfshirë Kinën, të hyjnë pa viza në Shqipëri. Pas njoftimit të politikës së re, sektorët përkatës në Shqipëri u angazhuan menjëherë. Kreu i këtij delegacioni, eksperti i Standardeve të Turizmit nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit Gertjon Çobo tha se numri i turistëve kinezë që vizituan Shqipërinë është rritur me 69% në vitin 2017 në krahasim me një vit më parë. Qeveria shqiptare është tepër e angazhuar për prezantimin e burimeve turistike të Shqipërisë në Kinë. Agjencia Kombëtare e Turizmit gjithashtu ka promovuar vazhdimisht nëpërmjet fushatave të veta promocionale të turizmit, duke u afruar më shumë drejt tregut kinez.

Ndërkohë, Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka hartuar një sërë planesh për të zhvilluar tregun turistik ndaj turistëve të huaj.

"Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka qenë gjithmonë e angazhuar për të mirëpritur turistët kinezë dhe gjithashtu edhe për këtë vit nëpërmjet planit të masave për sezonin turistik 2018, që drejtohet nga Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, ne kemi një plan shumë konkret për mikpritjen e turistëve kinezë dhe turistëve të huaj, siç është për shembull lehtësimi i procedurave kufitare në Aeroportin e Rinasit, në pikat doganore tokësore dhe në portet që aksesohen në Shqipëri. Pra të gjitha institucionet janë përfshirë në këtë plan masash dhe të gjitha institucionet po zbatojnë me rigorozitet detyrën e tyre. Përshtypjet që ne kemi nga turistët kinezë janë shumë pozitive dhe kjo gjë na inkurajon që ne po u ofrojmë një shërbim të mirë por nuk na ndalon sepse na bën më të ndërgjegjshëm për t'u ofruar shërbime akoma më të mira."

Litian Broka, Drejtor i Agjencisë për Zhvillimin Rajonal nr. 3 u shpreh se ky rajon ka burimet e pasur turistike, me Gjirokastrën, si trashëgimi kulturore e UNESKO-s. Rajoni 3 është gati për të mirëpritur turistët kinezë.

"Dua të them që ne si agjenci po punojmë përsa i përket programeve mbështetëse për rritjen e turizmit në dy aspekte. E para, ne po mundohemi të përfitojmë projekte dhe të aplikojmë për të rritur sa më shumë infrastrukturën turistike të informacionit të shërbimit dhe gjithashtu po krijojmë mundësi që t'i bashkojmë të gjitha bashkitë duke i dhënë atyre një shtytje edhe më të madhe, mbi punën e qeverisë qendrore dhe organeve të saj përkatëse si dhe agjencive të tjera, që të bëjnë një punë të koordinuar. Ne duhet të punojmë për ta ofruar rajonin si një paketë të tërë dhe duke e ofruar si të tillë, turistët do kenë më shumë ditë, kohë, mundësi e bukuri për të parë."

Kina dhe Shqipëria janë shumë larg në distancë dhe gjuha e kultura e tyre janë shumë të ndryshme. Një nga shqetësimet e turistëve kinezë për turizmin në shqipëri është gjuha. Por, tani me hapjen e tregut turistik shqiptar ndaj turistët kinezë, shërbimet e gjuhës kineze do të ofrohen në fusha të ndryshme.

Për këtë na sqaron Elkierd Deliu, përfaqësues nga grupi i Udhërrëfyesve që kanë ardhur në Kinë.

"Për numrin aktual të turistëve kinezë që vijnë në Shqipëri, ne jemi të aftë që t'u ofrojmë shërbim me guida në kinezisht. Por, duke qenë se turizmi është në zhvillim e sipër dhe numri i turistëve kinezë po rritet nga viti në vit, ka një interesim edhe më të madh të guidave të cilët mësojnë gjuhën kineze. Dhe një mënyrë shumë e mirë për ta mësuar gjuhën kineze është Instituti Konfuci, i cili ofron kurse falas për të mësuar gjuhën. Përpos kësaj, ministria dhe Agjencia Kombëtare e Turizmit, kanë përgatitur broshura, duke i dhënë mundësi çdo turisti, që edhe nëse vjen në mënyrë individuale, ta marrë informacionin në gjuhën kineze.

Gjithashtu në pjesën më të madhe të muzeve ofrohen audio guida, që përgjithësisht ofrohen në gjuhët kryesore, pas këtij takimi dhe pas garancive që morëm nga agjencitë turistike kineze për rritjen e numrit të turistëve kinezë, mendoj do të hartohet dhe një projekt për ofrimin e këtij shërbimi në gjuhën kineze. Tani ky shërbim ofrohet në Berat, por besoj se shumë shpejt edhe pjesa tjetër do të ofrojnë këtë shërbim i cili është shumë i rëndësishëm. Pamë këtu se funksiononte shumë sistemi i audio guidave nëpërmjet skanimit të barkodeve dhe kjo na dha një ide më shumë."

Anëtarët e delegacionit shqiptar shfaqën gjithashtu dëshirën për të krijuar një mjedis të rehatshëm turistik për turistët kinezë, që ata të ndihen si në shtëpi.

Alban Muharremi, përfaqësues nga grupi i Operatorëve Turistikë që kanë ardhur në Kinë, u shpreh se janë disa hollësi që duhet të realizohen me kujdes, si psh një gotë ujë e nxehtë, shkopinjtë e ngrënies etj. Si operatorë turistikë, ata duhet të kushtojnë rëndësi detajeve dhe shërbimeve që preferohen nga turistët kinezë, me qëllim që të jenë sa më të suksseshëm.

"Siç e thashë edhe më lart, turizmi kinez, në ndryshim nga turizmi europian me të cilin ne kemi bashkëpunuar deri më tani, ka disa specifika të veçanta. Në bashkëpunim me strukturat akomoduese, pra hoteleritë në Shqipëri, ne kemi diskutuar dhe jemi në mbyllje të diskutimit për disa specifika të tregut kinez, e thënë më shkurt, për përshtatjen e mëngjesit aty ku është e mundur, me një ushqim, po themi, afërsisht të traditës kineze duke respektuar po ashtu edhe oraret, të ndërthurura këto edhe me kuzhinën tradicionale shqiptare. Mundësia e lehtësirave edhe në të ushqyer, mënyra e të ushqyerit pra, që është një detaj, por ama shumë i rëndësishmëm në paraqitjen e paketave turistike, është një e veçantë tjetër që do paraqitet në to, pasi në Kinë mënyra e të ushqyerit nuk është si mënyra europiane, pra përdorimi i shkopinjëve. Kjo është fare e lehtë dhe e mundur. Një kërkesë tjetër që e diskutuam me operatorët ishte edhe mos mungesa e ujit të nxehtë, apo çajit, që është shumë i rëndësishëm për turizmin kinez. Edhe kjo është e mundur dhe do të realizohet në bashkëpunim me strukturat akomoduese, të cilat i kemi prezente edhe këtu."

Maksim Hoxha, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për jugun e Shqipërisë si dhe administrator i Hotel Çajupit në Gjirokastër i kushton rëndësi detajeve të shërbimeve turistike. Ai theksoi se hotelet shqiptare duhet të mundësojnë Wi-Fi falas në çdo vend për turistët. Hoteli i tij është gati. Ai tha në kinezisht "Mirë se vini në Gjirokastër." (Çang Çuo/Albana)

Mrekulli
Lajmet Kryesore