Kina përparon misionin e saj hënor, lëshon satelitin e ritransmetimit

2018-05-23 11:18:20 CRI Komenti juaj Printoni

 

Kina lëshoi në hapësirë më 21 maj 2018, një satelit me mision për të siguruar komunikime të vazhdueshme midis Tokës dhe sondës Chang'e-4, që do të zbarkojë në faqen e padukshme të Hënës, më vonë këtë vit.

Nga Toka duket gjithmonë vetëm njëra faqe e Hënës.

Me mbërritjen e sondës të telekomanduar "Chang'e-4" në Hënë, sateliti do të vendoset në një pozicion të tillë në hapësirë që do të mundësojë një komunikim të vazhdueshëm midis Tokës dhe sondës, për të parë në mënyrë të vazhdueshme faqen e padukshme të Hënës.

Administrata Hapësinore Kombëtare e Kinës tha se lëshimi u bë me sukses të hënën në mëngjes në orën vendore 5:28. Ai u realizua me raketën mbajtëse "Marshimi i Madh 4C" nga Qendra e Lëshimit të Sateliteve e Xichang-ut.

Sateliti quhet Queqiao ose Ura e zogjve.

Zhang Xueyu, është drejtori i qendrës së lëshimit të satelitëve Xichang:

"Tani unë e shpall misionin e lëshimit të suksesshëm," tha Zheng.

Rreth 25 minuta pas ngritjes, sateliti u nda nga raketa dhe hyri në orbitën e transferimit Tokë-Hënë. Më pas u shpalosën panelet diellore dhe antenat e komunikimit.

Sateliti "Ura e Zogjve" pritet të hyjë në një orbitë rrethore rreth pikës së dytë Lagrangiane (L2) të sistemit Tokë-Hënë, rreth 455,000 km nga Toka.

Shkencëtarët dhe inxhinierët kinezë shpresojnë se sateliti do të formojë një urë komunikimi midis kontrollorëve në Tokë dhe sondës "Chang'e-4" që do të dërgohet në anën e padukshme Hënës më vonë këtë vit.

Hëna kryen dy rrotullime: të parën rreth Tokës në 27,3 ditë dhe po gjatë kësaj kohe ajo bën një rrotullim të plotë rreth vetes. Kjo është arsyeja që nga Toka duket gjithmonë vetëm njëra faqe e saj (pjesa e dukshme), ndërsa gjysma tjetër, ndonëse ndriçohet nga Dielli, për ne në Tokë mbetet gjithmonë e padukshme. Prandaj vëzhgimi i pjesës së padukshme ka interes studimor.

"Chang'e-4" është e dyta sondë kozmike e telekomanduar e Kinës drejt Hënës që prej vitit 2013. Kina ka investuar miliarda dollarë për programet e saj hapësinore dhe shpreson që në deri në vitin 2022 të ndërtojë një stacion hapësinor me njerëz, me synim që në një të ardhme të afërt të dërgojë kinezin e parë në Hënë.

Sipas zëdhënësit të Administratës Hapësinore Kombëtare të Kinës (CNSA) Li Guoping, brenda vitit do të zbatohet plani i lëshimit të sondës "Chang'e 4", për të realizuar uljen e butë në anën e padukshme të Hënës dhe për të kryer eksplorimin e saj.

Nga 24 prilli i vitit 2017, Kina ka lëshuar 53 satelitë në hapësirë, duke shënuar një varg arritjesh shkencore e teknologjike.

"Sipas planit, po nxisim zhvillimin e programeve hapësinore 'Chang'e 4' dhe 'Chang'e 5' brenda kuadrit të projektit të eksplorimit hënor. Programi "Chang'e 4" ka hyrë në fazën e kërkimeve dhe të prodhimit. Brenda vitit do të realizohet lëshimi i sondës kozmike që do të realizojë uljen e butë në anën e padukshme të Hënës dhe më pas eksplorimin e saj," tha Li Guoping.

Sateliti i lëshuar këtë të hënë do të vendoset në një pozicion të tillë në orbitë që do të mundësojë një komunikim të vazhdueshëm midis Tokës dhe sondës.

Autoritetet hapësinore kineze thonë se shpresojnë të kuptojnë më mirë kushtet gjeologjike të anës së padukshme të Hënës.

Kina u bë vendi i tretë që realizoi një zbritje të butë në Hënë. Më herët ulje të ngjashme ka zhvilluar ish-Bashkimi Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara.

Kina ka njoftuar gjithashtu se misioni i saj hënor do të eksperimentojë për herë të parë përdorimin e investimeve private nga individët dhe sipërmarrjet, me synim nxitjen e novacionit, uljen e kostove të prodhimit dhe nxitjen e marrëdhënieve midis sektorit ushtarak dhe atij civil. (Leftion Peristeri)

Mrekulli