Forumi i Boao-s, krerët botërorë flasin kundër luftës tregtare Kinë-ShBA

2018-04-11 11:01:43 CRI Komenti juaj Printoni

Udhëheqësit botërorë që morën pjesë në hapjen e konferencës vjetore të Forumit e Boao-s për Azinë të martën (10 prill), folën kundër mosmarrëveshjeve tregtare, në një kohë që tensionet janë në rritje midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara e pas një jave të kërcënimesh për rritjen e tarifave doganore të nxitura nga zhgënjimi i ShBA-së me politikat tregtare dhe të pronësisë intelektuale të Kinës.

Fjalimin e hapjes të konferencës vjetore të Forumit të Boao-s për Azinë e mbajti presidenti i Kinës, Xi Jinping, të martën në mëngjes. Në fjalimin e tij, Xi shpalli katër masa të rëndësishme për të thelluar hapjen e tregut të Kinës: zgjerimin e konsiderueshëm të qasjes në treg të kapitalit të huaj, përmirësimin e mjedisit të investimeve, forcimin e mbrojtjes së të drejtave të pronësisë intelektuale dhe zgjerimin e importeve.

Kreu kinez beson se hapja e Kinës do të krijojë një situatë e re.

"Do të forcojmë përputhjen (rregullave të Kinës) me rregullat tregtare ndërkombëtare, do të forcojmë transparencën, mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale dhe veprojmë sipas ligjit, duke inkurajuar konkurrencën dhe kundërshtimin e monopoleve. Në gjysmën e parë të këtij viti, ne do të përfundojmë rishikimin e listës negative të investimeve të huaja dhe do të zbatojmë plotësisht trajtimin kombëtar para hyrjes plus sistemin e menaxhimit të listës negative. Këtë vit do të riorganizojmë Zyrën Shtetërore të Pronësisë Intelektuale dhe do të forcojmë zbatimin e ligjit. Ne inkurajojmë kompanitë kineze dhe të huaja që të zhvillojnë shkëmbime dhe bashkëpunime normale teknologjike, për të mbrojtur të drejtat ligjore e të pronësisë intelektuale të ndërmarrjeve të huaja në Kinë. Ndërkohë shpresojmë se qeveritë e huaja do të forcojnë mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale të Kinës."

Viti 2018 shënon 40-vjetorin e hapjes së Kinës. Në fjalimin e tij, Xi Jinping renditi arritjet e mëdha dhe përvojën e rëndësishme të reformës dhe të hapjes së Kinës gjatë katër dekadave. Ai theksoi se reforma dhe hapja përbëjnë revolucionin e dytë të Kinës, që jo vetëm ndryshuan Kinën, por ndikuan të gjithë botën.

Në fjalimin e tij, kryeministri i Singaporit Lee Hsien Loong paralajmëroi se një luftë tregtare midis Kinës dhe ShBA-së, jo vetëm që do të minonte sistemin shumëpalësh të tregtisë por gjithashtu do të kishte pasoja për "sigurinë dhe stabilitetin e botës".

"Një luftë tregtare midis Kinës dhe ShBA-së është ende larg të qenit e pashmangshme, por nëse ndodh, ajo do të minojë sistemin shumëpalësh të tregtisë, i cili ka mbështetur prosperitetin global. Dhe në qoftë se mosmarrëveshjet përshkallëzojnë dhe destabilizojnë marrëdhëniet ShBA-Kinë, pasojat për botën mund të jenë katastrofike. Gjithmonë do të ketë konkurrencë midis fuqive të mëdha. Por ka një ndryshim të madh nëse konkurrenca zhvillohet brenda një kuadri ndërvarësie dhe rregullave të lojës përgjithësisht të pranuara, sepse ajo që në fund është në rrezik është lufta dhe paqja, siguria dhe stabiliteti i botës."

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres, duke u përqendruar në ngrohjen globale, u kërkoi udhëheqësve botërorë të veprojnë për të përkulur kurbën e emisioneve.

"Ne duhet të rrisim në mënyrë dramatike ambiciet tona dhe lajmi i mirë është se teknologjia është në anën tonë. Energjia e pastër, e gjelbër është më e përballueshme dhe më konkurruese se kurrë, por ne ende shohim investime të mëdha në subvencionet për lëndët djegëse fosile. Ne duhet të eliminojmë këto lloj kontradiktash që mund të jenë duke hapur varrin tonë. Prandaj unë vazhdoj t'u bëj thirrje liderëve të botës që të veprojnë për të zvogëluar shkarkimet (e karbonit)." (Leftionin Peristeri/Reuters/Xinhua)

Mrekulli