Ambasadori Belortaja: Programi i qeverisë kineze, platformë e qartë e gjithëpërfshirëse

2018-03-14 09:45:45 CRI Komenti juaj Printoni

 

Ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, e vlerësoi programin e qeverisë kineze të paraqitur para Asamblesë Kombëtare Popullore nga kryeministri Li Keqiang. Për ambasadorin Belortaja, programi përbën një platformë të qartë dhe gjithëpërfshirëse të ambicieve, synimeve dhe objektivave të qeverisë kineze.

"Vlerësoj që ka një përmbajtje të fortë sociale, sepse adreson çështje të tilla me ndjeshmëri shumë të lartë, siç janë nxjerrja dhe zbutja e varfërisë, si dhe krijimi i një atmosfere të mirë e komode për popullin, për krijimin siç thuhet në program të një Kine të bukur," tha Belortaja.

Duke folur për CRI Shqip, diplomati shqiptar përshëndeti procesin e konsultimit shumë partiak të Kinës, që sipas tij është një instrument shumë i mirë demokratik dhe racional.

"Përveç aspektit konsultativ formal dhe konsultimit gjithëpërfshirës të të gjitha organizatave politike dhe sociale, ato (konsultimet) sjellin dhe një element racional sepse tërheqja e mendimit të sa më shumë aktorëve dhe faktorëve, sigurisht që përmirëson vizionin dhe programin e zhvillimit të ardhshëm," vlerësoi ai.

Belortaja u ndal edhe tek 40-vjetori i fillimit të reformave dhe hapjes së Kinës dhe përshëndeti vendosmërinë e Pekinit për ta vazhduar këtë proces edhe në të ardhmen.

Në këtë 40-vjetor të reformës dhe hapjes, Kina do të organizojë në Shanghai, të parën Ekspozitë të Importit. Ambasadori Belortaja, siguroi pjesëmarrjen e Shqipërisë në të.

"Shqipëria, jo vetëm e mirëpret, por po përgatitet të marrë pjesë denjësisht në këtë panair dhe të paraqesë produktet e saj, të cilat shpresojmë të jenë të suksesshme në tregun kinez," theksoi ai. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore