"16+1", Shqipëria e gatshme të përfshihet në projekte kombëtare e ndër-rajonale

2017-11-29 14:06:11 CRI Komenti juaj Printoni

Kryeministri kinez Li Keqiang bëri thirrje për përparimin e bashkëpunimit me vendet e Europës Qendrore e Lindore, i njohur gjithashtu si mekanizmi "16+1".

Li e quajti plotësues të marrëdhënies Kinë – Europë këtë bashkëpunim, gjatë një fjalimi drejtuar Forumit Ekonomik dhe Tregtar që u zhvillua në Budapest. Kreu i qeverisë kineze bëri thirrje për zbulimin e potencialit të ri dhe realizimin e përfitimeve të përbashkëta.

Ai gjithashtu bëri thirrje për lidhjen e strategjive të zhvillimit të vendeve të Europës Qendrore e Lindore me nismën e Kinës "Një brez, një rrugë" dhe forcimin e bashkëpunimit financiar dhe për çështje të tjera.

Li vuri në dukje se "Bashkëpunimi 16+1" nuk është instrument gjeopolitik i Kinës, por "inkubator" i bashkëpunimit pragmatik ndër-rajonal, që nxit zhvillimin e gjithanshëm dhe të ekuilibruar të marrëdhënieve kino-europiane.

"Bashkëpunimi ndërmjet Kinës dhe Europës Qendrore e Lindore do t'u sjellë përfitimet të dyja palëve dhe është në të mirën e rajonit dhe të botës. Sepse bashkëpunimi i Kinës dhe i vendeve të EQL-së është një platformë e bashkëpunimit nder-rajonal, e lindur në procesin e globalizimit. Bashkëpunimi '16+1' ka marrë parasysh, gjendjen e vendeve të ndryshme dhe ka shpejtuar liberalizimin e tregtisë e lehtësimin e investimeve, gjë që është në favor të integrimit të Europës. Bashkëpunimi ynë nuk zhvillohet kundër ndonjë pale të tretë e as nuk përjashton ndonjë palë të tretë. Me vullnetin e tyre, vende me nivele të ndryshme zhvillimi marrin pjesë në këtë bashkëpunim me qëllim përfitimin e popujve," tha kryeministri kinez.

Me thellimin dhe përparimin e "Bashkëpunimit 16+1", kryeministri Li Keqiang njoftoi themelimin e një Shoqate Ndërbankare mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore me qëllim për të ofruar mbështetje financiare.

Kryeministri Li deklaroi gjithashtu dy masa të reja të qeverisë kineze.

"Pala kineze përkrah institucionet financiare tregtare dhe zhvillimore që të financojnë projekte bashkëpunimi dypalëshe, përkrah sipërmarrjet e ndryshme të vendeve të Europës Qendrore e Lindore të lëshojnë bono Panda dhe të përkrahin projektet e bashkëpunimit që financohen në monedhën kineze Renminbi. Unë dëshiroj të theksoj dy masa të reja: së pari, sot u krijua zyrtarisht Shoqata Ndërbankare e Kinës dhe e vendeve të Europës Qendrore e Lindore. Banka e Kinës për Zhvillim do të sigurojë një fond prej 2 miliardë eurosh për projektet e zhvillimit. Së dyti, u realizua faza e dytë e krijimit të Fondit të Bashkëpunimit dhe të Investimeve të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore e Lindore me kapital fillestar prej 1 miliard dollarësh, i cili do të investohet kryesisht në Europën Qendrore e Lindore," theksoi kreu i qeverisë kineze.

Shqipëria

Shqipëria e shikon mekanizmin '16+1', si një platformë të rëndësishme komunikimi dhe ndërveprimi, theksoi të hënën zëvendëskryeministrja e Shqipërisë, Senida Mesi.

Në fjalën e saj në takimin e gjashtë të krerëve të qeverive të Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në Budapest, Mesi theksoi rëndësinë e kësaj nisme si një instrument shumë i mirë bashkëpunimi ndërmjet shteteve në drejtim të rritjes dhe përforcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve mes tyre në fusha të ndryshme.

Zv./kryeministrja shprehu gatishmërinë e Shqipërisë për të vazhduar angazhimin me projekte konkrete kombëtare dhe ndërrajonale në infrastrukturën rrugore e hekurudhore, energji, turizëm apo bujqësi, të cilat do të përmirësojnë më tej cilësinë dhe efikasitetin e këtij partneriteti.

Në kuadër të Samitit, u firmosën dy marrëveshje bashkëpunimi me Kinën: një në fushën e doganave dhe një në fushën e energjisë, të cilat do të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes vendeve.

Përveç takimeve të liderëve, samiti u shoqërua edhe me një forum biznesi dhe me takime mes koordinatorëve kombëtarë të çdo vendi. Në të njëjtën kohë, u firmos edhe "Udhërrëfyesi i Budapestit", i cili do të përforcojë edhe më shumë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse.

Shqipëria mbetet mbështetëse e çdo nisme që sjell përfitime të ndërsjella për ekonominë dhe popujt tanë dhe është e vendosur për të ndjekur nismat e ndërmarra duke u përpjekur t'i kombinojë ato me agjendën e integrimit europian.

Nisma 16+1 synon të thellojë dhe zgjerojë bashkëpunimin mes vendeve pjesëmarrëse, 11 prej të cilave janë vende anëtare të Bashkimit Europian.

Drejtimet dhe fushat e bashkëpunimit në kuadër të kësaj Nisme, janë në të njëjtën linjë me përparësitë e tanishme që ka Shqipëria dhe në shumë prej tyre, vendi ka mundësi për të ofruar dhe realizuar bashkëpunime e përfitime konkrete në fusha të ndryshme.

Atasheu tregtar të ambasadës kineze në Shqipëri, Liang Gang, i tha CRI Shqip, se Kina dhe Shqipëria, pavarësisht largësisë gjeografike dhe diferencës së madhe për sa i përket vëllimit të ekonomive të tyre, kanë bashkëpunim ekonomik dhe mundësi të mëdha, sepse të dyja vendet janë në gjendje të plotësojnë kërkesat e njëra-tjetrës me epërsitë që kanë, përveç miqësisë së thellë tradicionale dhe besimit të fortë politik. (Leftion Peristeri)

Mrekulli
Lajmet Kryesore